Lajme

Pete Buttigieg tërhiqet nga gara për president të ShBA-së

03/02/2020 08:51
nga:N.K

Politikani homoseksual, i cili i kishte hyrë garës brenda Partisë Demokratike për të qenë kandidat i partisë për president të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara, Pete Buttigieg, është tërhequr nga kjo garë.

Ish-kryetari 38-vjeçar i qytetit South Bend asnjëherë nuk ka mbajtur pozita të nivelit kombëtar, por shënoi rezultate të mira në zgjedhjet fillestare brenda partisë, duke fituar në Ioëa në një garë të ngushtë me kandidatin favorit, Bernie Sanders.

Megjithatë, Buttigieg nuk arriti të shënonte përparim në Nevada dhe Karolinën Jugore, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Gjatë fjalimit të mbajtur të dielën në mbrëmje, ai tha: “Ne duhet të kuptojmë se në këtë fazë të garës, mënyra më e mirë për ta ruajtur besimin ndaj qëllimeve dhe ideve tona është që të qëndrojmë anash dhe të ofrojmë ndihmë për bashkimin e partisë dhe bashkimin e vendit.”

“Qëllimi ynë gjithmonë ka qenë që t’i unifikojmë amerikanët për të dhënë ndihmë në mposhtjen e Trump-it dhe ta fitojmë epokën për vlerat tona”, shtoi ai.

Tash për tash, brenda garës së Partisë Demokratike është duke prirë Bernie Sanders, por në zgjedhjet e Karolinës Jugore, fitore shënoi ish-nënpresidenti amerikan, Joe Biden.