Lajme

Përveç infermierëve, Gjermania kërkon edhe studentë nga fusha e biznesit

06/25/2019 14:51
nga:Gazeta Blic

Është arritur marrëveshje bashkëpunimi mes Kolegjit ‘Universum’ dhe Universitetit Gjerman “Ludwigshafen University of Bussines and Society”, në lidhje me lansimin e programit master me diplomë të dyfishtë gjermane.

Në konferencë u cekën disa nga arsyet e bashkëpunimit mes tyre. Njëra nga arsyet është se Kolegji ‘Universum’ edhe më herët ka bashkëpunuar me këtë universitet nga Gjermania për shkëmbimin e studentëve me Erasmus+ , ndërsa arsye tjetër thuhet të jetë zhvillimi i madh ekonomik i Gjermanisë – që përveç nevojës për mjekë dhe infermierë, së fundi ka nevojë edhe për staf dhe punëtorë biznesi, raporton GazetaBlic.

Panelistët e kësaj konference ishin, Prof. Rainer Busch, drejtor i programit master në biznes në universitetin gjerman, Eva Nefen, koordinatore e programit, ndërkaq nga ana e Kolegjit ‘Universum’ panelist ishte, Alejtin Berisha.

Përmes kësaj marrëveshje studentët e Kolegjit ‘Universum’ – pasi të përfundojnë studimet i marrin dy diploma, njërën nga Kolegji ‘Universum’ dhe tjetrën nga Universiteti ‘Ludwigshafen’ në Gjermani.

Pasi të përfundojnë studimet e vitit të parë – në studimet master të këtij kolegji, ata do kenë mundësi të vazhdojnë studimet në Gjermani dhe në të njejtën kohë të punojnë punë praktike në ndonjë kompani biznesi dhe me ato para t”i kryejnë studimet.

Profesori gjerman, Rainer Busch tha se diploma e dyfishtë shton mundësitë e larta për punësim kudo në botë. Çasja në tregun gjerman është një mundësi e mirë për këta studentë, pasi mund të ndjekin kurset më të reja që kërkohen nga tregu biznesor.

“Kjo marrëveshje mund të jetë vetëm një copë letre, mirëpo brenda saj ka shumë bashkëpunim. Për bashkëpunim të mirë duhet të ketë përkushtim nga të dyja palët, hulumtim dhe shikim si aplikohen gjërat në jetën e përditshme atje si dhe duhet të ketë fleksibilitet” u shpreh ai.

Ndërkaq, Alejtin Berisha nga Kolegji ‘Universum’ tha se ky bashkëpunim i ka një vit e gjysmë që ka filluar, ndërsa sot po bëhet nënshkrimi për studentë të cilët kanë aspiratë për vazhdimin e studimeve.

“Studentët zhvillohen në karrierë dhe marrin pozita të larta menaxheriale, ata kanë mundësi të bëjnë praktikën në Gjermani me pagesë dhe të bëjnë një urë lidhëse mes Gjermanisë dhe Kosovës” tha ai.

Eva Nefen, koordinatore e programit tregoi kriteret për aplikim në këtë program.

“Të gjithë studentët që dëshirojnë të jenë pjesë e këtij programi duhet të jenë të regjistruar në ‘Universum’ dhe të kenë të përfunduar vitin e parë të studimeve master, si dhe të jenë njohës të mirë të gjuhës angleze” përfundoi ajo.

Studentët mund të ndjekin ligjëratat e këtij universiteti edhe nga largësia pra duke jetuar në Kosovë përmes programit iLearning.

Këta studentë pasi të përfundojmë studimet dhe të marrin diplomën nga universiteti gjerman, kanë të drejtë të qëndrojnë deri në një vit e gjysmë dhe të punojnë në Gjermani.

/GazetaBlic/