Opinion

Përse Tirana është e ndarë, përballë shqiptarëve të bashkuar në Maqedoni?

01/29/2017 22:00
nga:Mero Baze

Partia Demokratike në Shqipëri, duket se ka nxitur shqiptarët në Maqedoni të formojnë një qeveri me Nikolla Gruevskin.

Edhe pse në Maqedoni nuk është arritur ende ndonjë marrëveshje për formimin e qeverisë, por të dy palët kanë pranuar kërkesat e shqiptarëve, zyra e Lulzim Bashës në Tiranë, përshëndeti krijimin e qeverisë së re në Maqedoni, mes BDI dhe Nikola Gruevskit, duke bërë fakt të kryer marrveshjen për shkak të pranimit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare. Pro Gruveskit ka qenë thuajse hapur dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, e Ilir Metës. Disa komentatorë politikë afër saj, e kanë argumentuar atë me nevojën e stabilitetit politik në Maqedoni dhe aftësitë e Gruevskit për reforma ekonomike.

Socialistët në pushtet nuk janë përfshirë në këtë histori, por kanë mbështetur kushtet e partive politike shqiptare dhe kanë nxitur ata të krijojnë një qeveri që garanton zbatimin e tyre.

Në fakt situata në Maqedoni është ende e paqartë. I vetmi lajm i mirë është që të dy blloqet politikë maqedonas, kanë rënë në gjunjë para shqiptarëve, por Gruevski nuk i ka votat e shqiptarëve për qeveri. Ali Ahmeti ka problem me së paku katër mandate nëse shkon me Gruevskin. Teuta Arifi, Xhevat Ademi, Nevzat Bejtja dhe një shqiptar orotodoks i Resnjës, kanë shprehur hapur kundërshtinë e tyre. Ndërsa konsensusi me opozitën e Zaevit mund të jetë më i lehtë, dhe më legjitim, po të llogarisim që brenda saj janë dhe 70 mijë vota shqiptarësh.

Por përse Tirana është e ndarë, përballë shqiptarëve të bashkuar në Maqedoni?

Arsyeja kryesore është modeli Gruevski. Modeli Gruveski, është modeli i një lideri autoritar, i aftë për të kontrolluar ekonominë pa liri ekonomike, dhe një politikan që ka mbijetuar falë shpikjes së një platforme fallco nacionaliste, që shkon deri tek shpikja e një kombi që nuk ekziston. Ai është konfliktuar fort me Brukselin dhe Uashingtonin për standartet e demokracisë në Maqedoni, dhe sidomos për prokurorinë speciale, dhe ka dhënë shenja të forta pro ruse për t’i bërë karshillëk Perëndimit.

Me një paralele të thjeshtë me Shqipërinë, Gruevski është përballur me perëndimin, njësoj siç u përball Perëndimi në Shqipëri me kundërshtarët e reformës në drejtësi. Fryma anti-perëndimore e Gruevskit, u kultivua thuajse nga të njëjtat arsye që u kultivua kundërshtimi ndaj Perëndimit nga kundërshtarët e reformës për drejtësi në Shqipëri. Të dy palët njësoj i druhen ndëshkueshmërisë dhe paranojës, se Perëndimi do t’i nxjerrë nga politika përmes reformave në drejtësi.

Të dy palët po ahstu po i bashkon një ideologji e re, që ka ngritur papritur adrenalinën e liderëve nacionalistë ballkanikë. Është fitorja e Donald Trump. Të bindur se tani SHBA do merret me gjëra të mëdha si Kina, Meksika, India, Rusia apo BE; ata ndjehen të çliruar që Uashingtoni s’do merret më me shtete të vogla si këto të Ballkanit dhe aq më pak me vese liderësh, përderisa kanë Trumpin president.

Kjo ka bërë që këta në përpjekje për t’u dukur si Trump, të shpallin armik të tyre armikun e Trumpit, dhe fare papritur Xhorxh Soros, një miliardier kontravers, që financon me fondacionet e tij programe kulturore, arsimore dhe sociale në Evropën lindore, është shpallur armik rajonal. Të gjithë mendojnë se tani po shave Sorosin, do kesh një kartolinë urimi nga Trumpi dhe një leje për të bërë çfarë të duash në vendin tënd. Njësoj si në Tiranë dhe Gruevski në Maqedoni, mendon se Sorosi, po e rrëzon nga pushteti, dhe po njësoj si në Tiranë, ai e shikon me gëzim faktin që tani SHBA, nuk do merret më me gjëra të vogla.

Së fundmi mbështetësit e Gruveskit në Tiranë, e shikojnë si shans një qeveri të shqiptarëve me Gruevskin, pasi kështu ata mund t’i japin një sinjal Bruskelit, se nuk janë duke ja respektuar shumë rekomandimet për prokurorë specialë në Shqipëri, në kuadër të reformës në drejtësi apo një zbatim rigoroz të ligjeve të miratuara në kuadrin e reformës.

Gruevski për adhuruesit e tij në Tiranë, është rruga si i duhet përplasur Perëndimit shuplaka në fytyrë. Por ngaqë nuk ua mban ta bëjnë hapur vetë, duartrokasin për të. Është një mënyrë për t’u gëzuar paradhënie, për një betejë që ende nuk guxojnë ta bëjnë vetë hapur. Dhe po e bëjnë duke besuar që Gruevski do shkoj “bedel” për këta, do të marrë hak edhe për këta, ose së paku do hapë rrugën për këta.

02/21/2018 22:54

Shakatë e rënda me rindarje kufijsh