Lajme

Përplasja Isa Mustafa – Vetëvendosje: ‘Lajmërohet’ Agim Veliu, por nuk flet shumë për mocionin e rrëzimit të Kurtit

03/22/2020 15:35
nga:N.K

Njeriu i cili u bë “shkaktar” për prishjen e koalicionit ndërmjet LVV-së e LDK-së, Agim Veliu sot ka folur shkurt për Gazeta Blic.

I dyti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili ditë më parë u shkarkua nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme nga kryeministri Kurti, Agim Veliu i pyetur se kur do të mbahet seanca për mocionin e ngritur nga LDK, tha se kjo është çështje e Kuvendit.

Ai tha se kjo pyetje duhet të i adresohet zyrtarëve të Kuvendit, pasi që ai nuk ka informacion dhe nuk merret me atë punë.

“Pyeti përgjegjësit e Kuvendit, nuk merrem me atë punë, s’kam çka deklaroj”, tha Veliu për GazetaBlic.

Kujtojmë se Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbledhur nënshkrimet për inicimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti, mocion të cilin e dorëzuan të premten në Kuvend.

LDK ka siguruar 46 nënshkrime për të thirrur seancën e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, që sipas Kushetutës, kjo seancë duhet të thirret 2-5 ditë nga koha e dorëzimit të kërkesës.

Eskalimi i përplasjes ndërmjet dy partive ka kulmuar sot, kur edhe u shënua viktima e parë me koronavirus.

Ishte lideri i LDK-së, Isa Mustafa përmes një reagimi në Facebook ka drejtuar akuza të rënda ndaj Vetëvendosjes.

Madje, ai tha se e gjykon vetëvetën pse e mbështeti koalicionin me Vetëvendosjen, raporton Gazeta Blic.

“Kur dëgjoj disa zyrtar të lartë qeveritar të VV-së se me çfarë papërgjegjësi flasin dhe si konstruktojnë aleanca, më vjen ta gjykoj veten për gabimin që e bëra kur e mbështeta këtë koalicion me këta njerëz që s’kanë asnjë përgjegjësi për pozitat që i mbajnë por vazhdojnë me fushatë dhe propagandë, për çfarë do t’ua kishin lakmi edhe regjimet më diktatoriale”, ka shkruar ai.

Isa Mustafa i ndan përfundimisht rrugët me Kurtin: Gabova, kur e mbështeta koalicionin me Vetëvendosjen

I menjëhershëm qe reagimi nga Vetëvendosje, gjegjësisht nga Besnik Bislimi.

Bislimi iu kundërpërgjigj duke thënë se Mustafa asnjëherë nuk e ka gjykuar veten që ka hyrë në koalicion me PAN-in dhe asnjëherë nuk e ka gjykuar veten që e ka bërë, me veprime korruptive, Hashim Thaçin president.

Postimin e plotë i Bislimit:

1. Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, po thotë se para pesë ditëve “dhashë idenë për aplikimin e masave të jashtëzakonshme”. Në fakt, masat e jashtëzakonshme tashmë ishin duke u aplikuar dhe ato jemi duke i shtuar. Kosova është ndër vendet që i ka marrë masat më herët, dhe pa mëdyshje qeveria e ka shpallur gjendjen e emergjencës shëndetësore. Problemi qëndron te zelli i Mustafës për të kërcyer menjëherë në shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, zell ky që përputhet me ambicien e Presidentit. E, dihet pse Presidenti ka këtë ambicie: ai nuk e pranon rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit dhe deri në çastet e fundit me 3 shkurt u përpoq ta parandalonte Qeverinë e re.

2. Nuk i ka hije një anëtari të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës të përdorë shprehje të tilla si “papagaj” e “kokëkrisur”. Kjo nuk është as në frymën institucionaliste dhe as rugoviste të LDK-së me të cilën ne duam të bashkëqeverisim. Me fjalorin tonë publik ne japim shembujt për qytetarët. Bashkëpunimi ynë kërkon shembuj të mirë, jo të këqinj.

3. Isa Mustafa asnjëherë nuk e ka gjykuar veten që ka hyrë në koalicion me PAN-in dhe asnjëherë nuk e ka gjykuar veten që e ka bërë, me veprime korruptive, Hashim Thaçin president. Por po shohim se e gjykon veten që e ka bërë kryeministër dikë i cili fitoi legjitimitet me zgjedhje demokratike e që ka në plan të parë luftimin e krimit dhe korrupsionit, dikë në mbrojtje të të cilit janë vënë gjithë qytetarët brenda dhe jashtë vendit. Z. Mustafa duhet të heqë dorë nga asocimi me figurat e PAN-it, dhe duhet ta forcojë qeverinë e përbashkët LV-LDK në luftën kundër virusit.


Ndryshe, para pak ditësh, lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa mori një nismë për mocion të mosbesimit në Kuvend për qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, shkruan GazetaBlic.

Dy partnerët e koalicionit pësuan “krisje” raportesh, pasi që Kurti vendosi të shkarkojë ministrin e brendshëm nga radhët e LDK-së, Agim Veliun.

Për këtë iniciativë, Mustafa ftoi liderët e partive opozitare, ku u takua ndaras me liderin e AAK-së, Ramush Haradinajn, atë të Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limajn, ku sipas opozitarëve, qytetarët duan qeverisje të re dhe të drejtë, e cila nuk cënon raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të premten LDK e ka dorëzuar në Kuvend mocionin me 46 nënshkrime.

 

PDK thërret konferencë urgjente për media

09/23/2020 11:35

Batatina takohet me ministrin e Punëve të Brendshme, diskutojnë për sigurinë në futboll