Lajme

Përplasja europiane për dhe kundër Shqipërisë dhe Maqedonisë në BE

06/14/2018 16:29
nga:M H

Marrëveshja mes kryeministrit maqedonas Zoran Zaev dhe atij grek Alexis Tsipras, për t’i dhënë fund mospajtimeve njëdekadëshe për emrin është lavdëruar nga Brukseli, Uashingtoni dhe qendrat tjera të vendosjes në botë.

Por mbeten akoma pengesa tjera për t’u kaluar para se shtegu i Maqedonisë, apo më mirë thënë i Maqedonisë Veriore – siç do të njihej nëse anëtarësohet në Bashkimin Europian, të jetë i pastër.

Problemet më të mëdha lidhen me kundërshtimin e brendshëm në të dy vendet, si në Maqedoni, ashtu edhe në Greqi. Presidenti maqedonas George Ivanov të mërkurën deklaroi se nuk do ta nënshkruar marrëveshjen. Në Greqi, partnerët e koalicionit të Tsipras po ashtu kanë kundërshtuar akordin.

Për më tepër, shtetet kryesore të Bashkimit Europian janë të ndara në çështjen e dhënies të dritës së gjelbër gjatë samitit të këtij muaji për anëtarësimin e Maqedonisë dhe Shqipërisë, shkruan Politco, transmeton Klan Kosova.

Thënë më qartë, në BE janë krijuar dy kampe. Njëri i udhëhequr nga Franca dhe Holanda, që cili insiston se blloku duhet të fokusohet në reformimin e vetes pas Brexit, para se të pranojë anëtarë të rinj. Këto vende po ashtu shqetësohen se prurja e shteteve të reja nga Ballkani, me trashëgiminë e luftërave dhe problemeve me krim të organizuar e korrupsion, do të ishin dhuratë për populistët para zgjedhjeve të reja për Parlamentin Europian.

Franca dhe Holanda kanë draftuar përfundimet për Samitin Europian të 28 dhe 29 qershorit që do ta shtynin vendimin për bisedime për pjesën e dytë të vitit, sipas një dokumenti të siguruar nga Politico.

Kampi që përkrah anëtarësimin e shteteve të reja përbëhet nga zyrtarë të lartë të Komisionit Europian, politikanë të lartë gjermanë dhe zyrtarë të lartë të qeverive të Europës Qendrore dhe asaj Lindore. Ata thonë se BE-ja duhet t’i mbajë vendet e Ballkanit në orbitën e vet, në mënyrë që ta luftojë ndikimin e rivalëve.

“Nëse BE-ja nuk arrin ta menaxhojë procesin e anëtarësimit të këtyre vendeve pasojat do të jenë fatale”, ka thënë ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Mass në Berlin të mërkurën.

“Për kohë të gjatë, fuqitë tjera si Rusia Kina dhe vendet e Lindjes së Mesme, që kanë nocione krejt të ndryshme për rregullin dhe stabilitetin me ato të europianëve janë munduar ta mbushin vakuumin e lënë”, ka deklaruar ai.

Zyrtarë që përkrahin anëtarësimin nënvizojnë se bisedimet për anëtarësim të këtyre shteteve i japin BE-së mundësi që të kërkojë më shumë demokraci dhe sundim të rendit dhe ligjit nga këto vende.

Bisedat për bisedime

Për momentin, duket se Maqedonia dhe Shqipëria duhet të shpresojnë nga samiti është një marrëveshje për të nisur përgatitjet për anëtarësim. Por do t’u duheshin reforma të tjera para se të mund të uleshin në tryezën e bisedimeve.

“Mbështes hapjen e kushtëzuar të bisedimeve me këto dy vende”, ka deklaruar Maas, një nga parlametarët europianë që kanë ndihmuar në arritjen e marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë.

Akordi pritet ta zgjidhë çështjen 27-vjeçare që lindi kur Maqedonia doli nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë. Greqia pretendonte se emri i vendit të ri ishte huazim i emërtimit të një regjioni në Greqi dhe se është tentim për të përfituar nga kultura e lashtë greke. Athina qe zotuar ta bllokonte rrugën e Shkupit drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe NATO, deri në zgjidhjen e këtij mospajtimi.

Qeveria e Maqedonisë do ta qesë në referendum marrëveshjen, ndërsa duhet vota pozitive edhe e dy të tretave të deputetëve të parlamentit për të kaluar ndryshimet kushtetuese.

Kjo marrëveshje e riemëron shtetin në Republika e Maqedonisë Veriore, që duhet të përdoret në të gjitha rastet – brenda dhe jashtë vendit. Por as Shkupi as Athina nuk do ta kenë të lehtë implementimin.

Presidenti maqedonas George Ivanov mund ta bllokojë marrëveshjen, nëse ajo kalon në parlament. Megjithëse teorikisht ai duhet ta nënshkruajë nëse për të votojnë shumica e deputetëve për të dytën herë, ai mund ta vonojë nënshkrimin.

Në Greqi, partnerët e koalicionit të Tsipras kanë refuzuar të pajtohen me këtë marrëveshje, ndërsa partia kryesore opozitare Demokracia e Re e ka kritikuar. Kjo do të thotë se ai duhet të krijojë aleancë ad-hoc për ta kaluar në parlament.

Komisioni sfidon Këshillin

I përfshirë në bsiedime ishte edhe komisioneri për Zgjerim Johannes Hahn, që – bashkë me shefen e diplomacisë Federica Mogherini – mbësheti fuqishëm nisjen e bisedimeve për anëtarësim me Shkupin.

“Tani presim që Këshilli t’i miratojë rekomandimet tona të datës 17 prill dhe të nisin negociatat për anëtarësim me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë në qershor”, thanë ata në një deklaratë të përbashkët.

Por konkluzionet e samitit të draftuara nga Franca dhe Holanda nuk do t’ua japin dy vendeve qoftë edhe një dritë të gjelbër të kushtëzuar, për t’i bashkuar Serbisë dhe Malit të Zi në negociata për anëtarësim. Edhe Shqipërisë dhe Malit të Zi do t’i kërkohen reforma më thelbësore në gjyqësor dhe administratë publike, si edhe në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit.

Këshilli Europian pastaj do ta përcjellë profresin në një raport të bërë nga Komisioni Europian “gjatë pjesës së dytë të vitit 2019”, thuhet në këtë draft. Pra pas zgjedhjeve për Parlamentin Europian.

Diplomatët thonë se Greqia do që Maqedonia ta nisë implementimin e marrëveshjes para se të nisë bisedimet për anëtarësim.

“Gjatë mandatit të qeverisë paraprake Maqedonia pati bërë hapa prapa në sundimin e ligjit… dhe tani duhet që ta zë hapin. Besoj që Greqia dhe Holanda kanë mjaft arsye për ta shtyrë vendimin për vitin tjetër. Dhe do ta bëjnë këtë gjë”, parashikon një diplomat europian.

Një tjetër thotë se gjithçka do të varet nga takimi mes kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emmanuel Macron të martën, në të cilin ata do të dakordësojnë qëndrimet.

Gjërat akoma më shumë i komplikon kancelari austraik Sebaston Kurz. Qeveria e tij është kampione e idesë për përfshirje në Bashkim Europian të shteteve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Maqedoninë dhe Shqipërinë. Por ai është i interesuar edhe për suspendim të bisedimeve me Turqinë – duke lënë të kuptohet se do ta bllokojë krejt procesin nëse nuk plotësohen kërkesat e tij.

06/25/2018 17:19

Kacarska do të gjykojë për dhunën në Kuvendin e Maqedonisë