Lajme

Përgjigja e Aleancës për deklaratat e Jakup Krasniqit për largimin nga Qeveria

09/21/2018 12:35
nga:A. R.

Edhe pse partnerët e koalicionit Nisma Socialdemokrate, kritikuan qeverinë që nuk është duke punuar si duhet,  dhe që edhe zgjedhjet mund të jenë një opsion për ta shpëtuar vendin nga kjo gjendje,  Aleanca për Ardhmërinë nuk kanë dhënë asnjë deklaratë rreth kësaj.

‘Gazeta Blic’, ka kontaktuar me shefin e Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufin, për ta pyetur se sa janë serioze deklaratat e tilla të bëra nga Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate Jakup Krasniqit, ai refuzoi të flas për këtë temë.

“Nuk i komentojmë deklaratat e Jakup Krasniqit”, u shpreh Isufi.

Ahmet Isufi, AAK

Ndryshe, dje Jakup Krasniqi, ka thënë në media se qeveria aktuale, pjesë e së cilës është edhe partia partia e tij nuk po e udhëheq mirë vendin. Në këto rrethana, ai nuk e ka mohuar se zgjedhjet mund të jenë si opsion i duhur.

Megjithatë, karshi situatës së krijuar në vend, sipas Krasniqit partia e tij së shpejti do të dalë me një qëndrim, nëse do të vazhdojë edhe më tutje të jetë pjesë e kësaj qeverie apo të largohet.

“Së shpejti do ta kemi qëndrimin tonë. Vetë gjendja në të cilën ndodhet vendi, tregon që nuk është e mirë kjo qeveri”, ka deklaruar Jakup Krasniqi.

Krasniqi ka shtuar se opozita nuk është e bashkuar për ta rrëzuar qeverinë, sipas tij vetëm në mandatin e kaluar ishte një opozitë e bashkuar, të cilët kanë arritur ta rrëzojnë qeverinë me mocion të mosbesimit./Gazeta Blic./