Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka zhvilluar takim me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, dhe të dërguarin special të SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar.
Takimi në ndërtesën e Kryesisë në Serbi ka nisur në ora 17:00 dhe zgjati rreth 40 minuta. Nga zyra e Vuçiqit është bërë e ditur se pas takimeve do të dërgohet edhe një komunikatë për media.
Lajçak dhe Escobar gjatë ditës së sotme kanë mbajtur një takim me përfaqësuesit e Listës Serbe në ndërtesën komunale të Mitrovicës së Veriut, pas së cilës i dërguari special i BE-së ka thënë se ai dhe Escobar po bëjnë gjithçka që, siç u tha, ata të mos mbeten pas dhe të mos tradhtohen përsëri.
Një ditë më parë, më 24 gusht, të dërguarit e BE-së dhe SHBA-së zhvilluan takime edhe me zyrtarë të Republikës së Kosovës.
Arsyeja e krizës mes dy vendeve nisi për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës që nga 1 shtatori të fillojë zbatimin e vendimit për targa RKS dhe lëshimin e dokumenteve në hyrje-dalje të vendkalimeve në pika kufitare Kosovë-Serbi.


