Lajme

Për viktimat e dhunës seksuale kërkohet të flitet edhe në librat shkollorë

12/07/2017 17:11
nga:A K

Në përmbyllje të fushatës vetëdijesuese për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftësw është kërkuar që për to të shkruhet në librat shkollorë.

Elvana Shala, ambasadore e vullnetit të mirë për Kosovën sot ka bërë përmbylljen e fushatës vetëdijesuese kundër diskriminimit të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Kjo fushatë vetëdijesuese që kishte moton “Një Fije Dritë” synonte të krijonte pozitë të barabartë në shoqërinë kosovare për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.

“Ne si shoqëri duhet të ngremë zërin, të kërkojmë drejtësi për krimin e padrejtë ndaj tyre,integrim të barabartë të tyre në shoqëri dhe mbështetjen të plotë institucionale”, tha Shala.

Ajo po ashtu ka kërkuar nga institucionet që t’ju ofrojnë mbështetje viktimave të dhunës seksuale të luftës në Kosovë.

“Kërkojmë nga Ministria e shëndetësisë që të ofrojë shërbime pa pagesë për këto raste, po ashtu në tekstet shkollore asnjëherë nuk flitet për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, kërkojmë nga Ministria e Arsimit që në tekstet shkollore,viktimat e dhunës seksuale të kenë vendin e tyre”, tha Shala.

Ndërsa këngëtarja Nexhmije Pagarusha e cila ishte pjesë e videoklipit “Një fije dritë” kërkoi që të punohet më shumë në këtë drejtim.

“Dëshira e të gjithë neve është që të punohet më shumë në këtë drejtim dhe të kenë më shumë kujdes”, u shpreh Pagarusha.

Ministrja e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj tha se gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë meritojnë një respekt dhe trajtim Institucional.

“Bashkë me të gjitha gratë që janë në Institucione dhe jashtë tyre,do të kërkojmë trajtimin e denjë për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”, tha Reshitaj.

Në përmbylljen e kësaj fushate mori pjesë edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Blerta Deliu, e cila tha se institucionet janë vonuar për trajtimin e viktimave të luftës.

“Jemi vonuar shumë në çështjen e trajtimit të viktimave të dhunës dhe për këtë jemi fajtorë të gjithë, e veçanërisht ne që kemi pasur në dorë të bëjmë më shumë për këtë kategori”, tha Deliu.

Ajo po ashtu shtoi se do të angazhohet që viktimat e dhunës në familje të kenë vendin e merituar në tekstet shkollore.

Numri i grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë mendohet të jetë 20.000. Qeveria e Kosovës më 15 nëntor caktoi pensioni prej 230 eurove për këtëkategori të shoqërisë.

 

12/15/2017 19:01

Kurz siguron BE: Qeveria e re austriake do të ruajë qasjen pro-europiane