Lajme

Për vetëm 3 ditë, rreth një mijë dhurues të gjakut në Prishtinë

06/23/2018 11:20
nga:Gazeta Blic

Drilon Xerxa po dhuron gjak që për të 14 herë. Ai është mjek me profesion, andaj e din sa e rëndësishme është që të ketë doza për ata që kanë nevojë.

Për KosovaPress ai shpjegon përse e bënë këtë tash e sa vite.

Xerxa: Është hera e 14 prej kur unë dhurojë gjak

“Këtë e bëjë rregullisht, të paktën tentojë ashtu dhe arsyeja se pse e bëjë këtë pikë së pari është nga vullneti, ndërsa e dyta duke qenë vetë nga komuniteti mjekësor e kuptoj se sa e rëndësishme është që në vazhdimësi instituti i Transfuzionit të gjakut të ketë doza të mjaftueshme meqenëse institucionet tona shëndetësore përballen me mungesë. Ndaj është shumë e rëndësishme që në çdo kohë të ketë rezerva të mjaftueshme. Fizikisht nuk është e mundimshme, ndërsa dobia për atë që e pranon është e madhe”, është shprehur ai.

Ndryshe nga Xerxa, Ariana Kuqi dhuroi gjak për herë të parë.

Këtë po e bënë për t’iu ndihmuar të tjerëve.

Kuqi: Është një gjë shumë e mirë që e bënë njeriu për njeriun

“Kjo është hera e parë që po dhuroj gjak dhe arsyeja është që është një gjë shumë e mirë që e bënë njeriu për njeriun, pa e dëmtuar vetveten”, tha ajo.

Për herë të parë po dhuron gjak edhe Arsim Gashi, por që ky ka një arsye më të veçantë.

Gashi: Sot është hera e parë

“Sot është hera e parë, arsyeja e imja është për shkak se e kam babin të sëmurë dhe ka marrë dy doza gjak dhe e kam parë që ka nevojë njerëzit për dhurim të gjakut. Kjo është edhe arsyeja pse unë sot dhuroj gjak”, ka treguar ai.

Që nga e hëna kur edhe ka filluar “Java e dhurimit të gjakut” një ekip mobil i Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut është vendosur në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, ku qytetarë të shumtë kanë dhuruar gjak.

Përgjatë kësaj jave vullnetarë të shumtë kanë bërë të mundur që Qendra e Transfuzionit të grumbullojë rezerva të mjaftueshme të gjakut.

Këtë e ka bërë të ditur menaxherja e informimit në këtë Qendër, Albana Gashi, e cila gjithashtu ka potencuar se janë siguruar doza të mjaftueshme të të gjitha llojeve të grupeve të gjakut.

Gashi: Kemi arritur t’i sigurojmë të gjitha grupet e gjakut

“Kemi arritur t’i sigurojmë të gjitha grupet e gjakut, shpresojë që nuk kanë nevojë pacientët nevojë me marrë gjak po secilit që i duhet i kemi ato grupet të cilat janë edhe më specifike, për pacientët të cilët kanë nevojë”, tha ajo.

Për vetëm tri ditë, sipas ushtrueses së drejtoreshës së Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, Bukurie Zhubi, kanë dhuruar gjak 954 vullnetarë.

Zhubi: Kemi pasur 954 dhurues të gjakut të cilët kanë ardhur dhe kanë dhuruar gjak

“Kemi pasur një përgjigje bukur të mirë të qytetarëve të cilët kanë ardhur dhe kanë dhuruar gjak gjatë këtyre ditëve. Gjithsej në total deri mbrëmë kemi pasur 954 dhurues të gjakut të cilët kanë ardhur dhe kanë dhuruar gjak. Mund të them që rritja e numrit të dhuruesve të gjakut ka shkuar gradualisht në këtë javën e dhurimit të gjakut”, bëri të ditur ajo.

“Java e dhurimit të gjakut” ka filluar të hënën dhe ka përfunduar dje.

02/08/2018 13:54

Ç’duhet të dini para se të dhuroni gjak, ç’ndodh me organizmin tuaj pas aktit që shpëton jetë?