Sporti

Për shortin e Kosovës flasin: Futbollistë, trajner, analistë dhe gazetarë të sportit

01/24/2018 16:57
nga:Lorik J

Në Luzanë të Zvicrës është hedhur shorti i garës inauguruese të UEFA-s, Ligës së Kombeve.

Ligën e Kombeve, është garë e re e UEFA-s, e cila do të nisë në shtator të këtij viti dhe do të zhvillohet çdo dy vjet e ku do të marrin pjesë të gjitha kombëtaret evropiane.

Kosova dhe Shqipëria kanë mësuar kundërshtarët për këtë kompeticion.

Kosova do përballet me Azerbajxhanin, Ishujt Faroe dhe Maltën, ndërsa Shqipëria me Izraelin dhe Skocinë.

Për shortin e Kosovës për GazetaBlic kanë folur futbollistë, trajner, analistë dhe gazetarë të sportit.

Florim Canolli (Gazetar i Sportit )

“Mendoj se Kosova ka qenë me fat në këtë short, pasi kundërshtarët janë të përafërt në cilësi, ose edhe më të dobët. Perjashto Azerbaixhanin, që ka pasur ngritje në nivel viteve te fundit, Malta dhe Ishujt Faroe janë mëse të kalueshme. E themë këtë duke u bazuar në nivelin e lojtarëve që ka Kosova, por do të varet shumë se si do të qaset edhe trajneri i ri. Personalisht mendoj që Kosova ka mundësi reale për të marrë pozitën e parë dhe të kualifikohet në Play-Off. Kundërshtari më i vështirë është padyshim Azerbaixhani. Jo rasisht mban pozitën e 23’të në ranglistën e UEFA-s, dhe ka pasur rezultate pozitive edhe në kualifikimet e botërorit. Sidoqoftë, Kosova ka cilësi më shumë se të gjithë kundërshtarët, por do të varet shumë sa do të dijë t’i shfrytezojë ato”, tha Canolli për GazetaBlic.

 

Arsim Prepolli (Analist i Futbollit)

“Pas Azerbajxhanit ne jemi favorit të grupit. Ishujt Faroe dhe Malta kanë përparësi vetëm që janë pranuar më herët se ne. Nuk duhet të dorëzohemi para kohës, por nëse nuk e kalojmë edhe këtë grup, atëherë është shumë keq. Ne kemi lojtarë kualitativ dhe duhet të synojmë për fitore edhe ndaj Azerbajxhanit. Por nuk duhet të dorëzohemi asesi dhe duhet të luftojmë për vendin e parë”, tha Prepolli për GazetaBlic.

 

Gani Sejdiu (Trajner i Futbollit)

“Kemi fuqinë për të kaluar grupin. Vetëm Azerbejxhani është në një nivel më të lartë se ekipet tjera në grupin e Kosovës. Ishujt Faroe dhe Malta mund të kalohen lehtë, pasi ne kemi nje Përfaqësuese shumë të fortë. Varet paksa edhe nga Selektori që do të vjen, varet se si do ta komponojë ekipin dhe shumë elemente tjera. Përvoja e tyre është më e lartëne aspektin ndërkombëtar, mirërpo mendojë se pas ndeshjeve me Kombëtaret e mëdha edhe ne jemi pjekur dhe kemi arritur një nivel të përvojës së duhur. Kosova tashmë do të jetë shumë më e përgatitur në këtë ligë. Ndaj Azerbejxhanit do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, mirëpo tashmë kemi edhe një faktor tjetër që na mbush me optimizëm. Stadiumi i Prishtinës do jetë i gatshëm dhe unë mendojë se me atmosferën e tifozëve do jetë më e lehtë”, tha Sejdiu për GazetaBlic.

 

Genc Sermaxhaj (Analist i Futbollit)

“Liga e Kombeve është një rast i mirë për kombëtaret të cilave do t’ju shtohen apetitet për të siguruar vend në kampionatin Evropian, gjithashtu do të jetë një lehtësim për kombëtaret ngase nuk merren shumë me aranzhimin e ndeshjeve kontrolluese, dhe të gjitha këto do të përballen me kundërshtarë të nivelit të tyre.

Kosova ka rënë në një grup të lehtë dhe ka mundësi të kaloj fazën e grupeve, sepse kombëtaret tjera në po të njejtin grup nuk janë edhe shumë cilësore.

Në grupin ku bën pjesë Kosova, kundërshtarin më të vështirë mund ta kemi Azerbajxhanin.

Ishujt Faroe dhe Malta janë kundërshtarë që mund të mposhten dhe besoj fuqishëm se në Ligën e Kombeve do të kemi paraqitje të kënaqshme e pozitive, sepse jemi në një grup të kalueshëm por që duhet dëshirë e përkushtim për t’ju çasur ndeshjeve me shumë seriozitet dhe gjithçka është e mundur”, tha Sermaxhaj për GazetaBlic.

Arber Avdyli (Gazetar i Sportit)

“Nuk do të mund të shpresonim short më të lehtë. Natyrisht nuk duhet ta nençmojmë asnjë ekip kundërshtar, por vërtet kemi pas fat në short. Duhet t’i marrim seriozisht rivalët tanë dhe shpresojë se kemi gjasa të mira.

Një plus i madh do të jetë definitivisht që ndeshjet më në fund do t’i luajmë në Prishtinë. Do të kemi përkrahjen e madhe të tifozëve tanë dhe mendojë se me një trajner të huaj kemi gjasa të mira madje për të dalë të parët në grup. Unë jam shumë optimist.

Tashmë edhe kemi pervojë pasi kaluam një cikël eliminatoresh dhe nuk do të ketë më vend për justifikime. Besoj se kishim shumë fat në short, tha Avdyli për GazetaBlic”.

Ylber Kelmendi (Gazetar i Sportit)

“Mendoj që shorti është shumë i lehtë,madje Ishujt Faroe dhe Malta janë kombëtare jo profesionale, Azerbajxhani është kombëtare e cila mund të na rivalizoj, por as ata nuk kanë lojtarë të nivelit të Kosovës. Nëse e shikojmë cilësinë e lojtarëve, Kosova ka dukshëm futbollistë, më kualitativë. Unë personalisht pres që pa problem ta kalojmë grupin. Vetëm këtu një rol të madh do ta luajë edhe se kush do të vjen në pozitën e selektorit”, tha Kelmendi për GazetaBlic.
Qendresa Krelani (Gazetare e Sportit)

“Kosova jonë, është antari më i ri në familjen e FIFA-s dhe pavarësisht grumbullimit të vetëm një pikë në fushatën e tyre kualifikuese, ata mundën 4-3 Latvinë në një miqësore dhe janë shumë më lartë në pozitë se kombetarët Andora, San Marino dhe Gibraltar. Megjithatë kundërshtarë më të fortë e konsideroj Azerbaijanin, sepse po vjen nga një fushatë e fortë kualifikuese e Kupës së Botës, edhe pse perfunduan të parafundit në Grupin C prap grumbulluan dhjetë pikë pas fitoreve mbi San Marino dhe Norvegjinë.

Supermarket pikësh e konsideroj kombëtaren e Maltës e cila duket më e lehtë për tu kaluar nga ekipet tjera të grupit D. Pra Kosova mund të shërbehet me disa pikë nga Malta. Ndërsa Ishujt Faroe janë sfidë për djemtë tanë, sepse kujtojmë që shkëlqyen në kualifikueset e fundit të Kupës së Botës pas marrjes së nëntë pikëve në Grupin B pas një fitoreje ndaj Letonisë dhe gjithashtu mbajti Hungarinë në një barazim pa gola, tha Krelani për GazetaBlic”.

 

 

Fetah Veliu (Analist i Futbollit)

“Mua më ka befasuar ngritja e formës dhe paraqitjës së Përfaqësueses së Kosovës në ndeshje me Letoninë! Përfaqsësuesja e Kosovës ende nuk ka gjetë formën, modulin e saj të lojës. Ajo ende mbetet në formim të sipërm, të gjetjes së strukturës adekuate të futbollistëve dhe të komponimit të saj. Për aq kohë sa është paraqit në garat kualifikuese të kampionatit botëror Rusia 2018, rezultatet dhe paraqitja e gjerëtanishme rezulton me ngecje të theksuara në organikën e saj strukturore dhe funksionale, gati ne shumë dimensione organizative të lojës dhe të menaxhimit.

Përshkak të këtyre faktorëve në ngecje të zhvillimit strukturor dhe funksional, përfaqësuesja jonë është ranguar në grupin e përfaqsueseve tjera të cilet janë në zhvillim të siperm, por jo me përmasa të zhvillimit të duhur organizativ. Perfaqsuesja e Azerbexhanit, posedon infrastrukturë evropiane, investime të mëdha në sjelljen e shumë futbollistëve dhe trajnerëve të huaj në ligën e saj. Futbolli atje është në ngritje rapide. Kjo perfaqësuese është lidere e grupit, përfaqsuesja jonë mundet të ketë vështirësi vetem me Perfaqësuesen e Azerbejxhanit, ndersa dy perfaqësueset tjera, ajo e Ishujve Faraoe dhe Maltës, janë kombëtare të vogla dhe mbesin prapa përfaqësueses tonë, në cilësi dhe strukturë të lojtarëve dhe të nivelit organik të lojës.

Përfaqësuesja e Kosovës, ka mundësinë e madhe në këtë rangë të garave të kombeve të ngritet dhe të jetë edhe lidere e grupit. Por, nga ndeshja e fundit me Letoninë dhe me ndërrimet në shtabin teknik dhe organikës së lojes mbetet ende për të dëshiruar dhe pritje në ngritje të lojës dhe rezultateve”, tha Fetahu për GazetaBlic.

 

Jon Ajeti (Gazetar i Sportit)

“Ndryshe prej kundërshtarëve në eliminatorët e Botërorit Rusia 2018 ku Kosova pati përballë superfuqi botërore të futbollit si Kroacia, Turqia e Islanda, ne shortin per Ligën e Kombeve ishte shumë me fat, pasi do të ballafaqohet kryesisht me kombëtare që janë të një niveli të përafërt.

Përveç Azerbejxhanit që ka investuar shumë në futboll, nuk pres që Kosova me pas probleme të mëdha me Maltën dhe Ishujt Faroe , futbollistët e të cilës kryesisht janë amator.

Nëse i shohim futbollistët individualisht , Kosova ka përparësi ndaj çdo skuadre kundërshtare, dhe shpresoj që në këto ndeshje të shfrytëzohen aftesitë e futbollistëve që të nxjerrin rezultate në Ligën e Kombeve që poashtu do të jetë një test i mirë edhe për futbollistët kosovar qe nuk janë mësuar ndoshta të kenë angazhime të shumta gjatë vitit përveç se me klube.

Kosova ka potencial që të renditet e para në grup, por sigurisht që një punë e madhe do ta pret selektorin e ri të Përfaqësuses së Kosovës, tha Ajeti për GazetaBlic”

Artan Muhaxhiri (Gazetar i Sportit)

“Liga e Kombeve supozohet të krijojë mundësi të reja për shtetet e vogla në botën e futbollit.

Në mesin e tyre, pa dyshim bën pjesë edhe Kosova, duke qenë në proces të formimit të një strukture konkurente me të tjerët.

Në grupin e Kosovës, pa dyshim, favorit llogaritet Azerbajxhani, ndërsa me Ishujt Faroe e Maltën, kemi gjasa të nxjerrim diçka pozitive.

Por, Kosova duhet të merret më shumë me stabilizimin e lojës së saj, sepse nga ndeshja në ndeshje, kemi parë lëvizje të mëdha në formë dhe taktikë.

Gjithsesi me Ishujt Faroe jemi matur në miqësore dhe pak a shumë e dimë potencialin e tyre, kurse Maltën do e mposhtim nëse nuk e nënvleftësojmë , tha Muhaxhiri për Gazeta Blic

 

Përveç analistëve për Gazetën Blic, kanë folur edhe tre lojtarë të Kosovës.

 

Bernard Berisha (Futbollist i Kosovës)

“Sa i përket shortit i cili per mendimin tim është short të cilin duhet t’i vlersojmë shumë kundërshtarët edhe mendojë se nuk ka përfaqësuese të lehtë prandaj mendojë se e kemi një shansë të mirë nëse dëshirojmë me tregu se Kosova ka mundësi për një nivel tjetër

“Mendojë se duhet vlerësuar çdo përfaqëseuse, dihet se nuk ka ndeshje të lehta, por mendojë se Azebajxhani është shumë e fortë, po megjithatë kemi shansat tona”.

Për tifozët kam deshirë të na perkrahin, sepse realisht kemi nevojë për ta dhe i falemnderojë që na kanë perkrah edhe në momente të vështira, por unë kam besim se ditët e mira të Kosovës do vijnë së shpejti”, përfundoi Berisha për GazetaBlic.

 

Bledar Hajdini (Portier i Kosovës)

“Mendoj se Kosova është në një grup mjaft të volitshëm, sepse thuajse jemi në të njëjtin nivel me ta.

Po besojë duke parë shtetet që do luajmë kundër tyre kemi shumë gjasa që ta kalojmë grupin.

Kundërshtari më i fortë duke parë sipas ranglistës së FIFA-së besoj që janë Ishuj Faroe, ka thënë Hajdini për GazetaBlic”.

 

Armend Thaçi (Futbollist i Kosovës)

“Nuk mendojë se kemi kundërshtarë të fortë. Nuk e di saktë edhe cilësinë e ekipeve, por mendoj se kemi shanse për të kaluar tutje. Nuk jemi favorit për të kaluar grupin, pasi jemi të rinj. Të gjitha skuadrat jemi të barabarta dhe do zhvillohen ndeshje të forta”, tha Thaçi për GazetaBlic

 

 

 

 

 

 

 

 

 

11/20/2019 00:09

E thotë Ramush Haradinaj: Heqja e taksës do të ishte “veprim tragjik”