Cult

Për shkak të pandemisë, Halloweeni do të duket ndryshe këtë vit

10/18/2020 14:19
nga:N S

Halloweeni, që njihet si festa që tradicionalisht bashkon amerikanët për dashurinë ndaj ëmbëlsirave dhe kostumeve, do të duket ndryshe këtë vit, për shkak të pandemisë.

Përderisa familjet merren me traditat e kësaj feste, kompanitë komerciale shitëse do duhet t’i përshtaten gjendjes së krijuar. Këto janë disa nga pikat se si do të duket Halloweeni këtë vit:

Ëmbëlsirat

Pandemia e COVID-19 po bën një ndryshim në traditën e festimeve këtë vit. Është një zhgënjim për fëmijët dhe shitësit e ëmbëlsirave. Për kompanitë që shesin ëmbëlsira, si për shembull Hershey, Halloweeni është sezoni më profitabil për shitje ndërsa si pasojë e pandemisë, ka marrë një goditje të rëndë ekonomike.

Për t’i rritur shitjet dhe për t’i mbajtur klientët e interesuar, përgatitjet rreth Halloweenit përfshijnë vendosjen e paketimeve speciale, me disa dhurata, duke u përqendruar kryesisht në pako familjare dhe duke zgjatur sezonin e shitjeve.

Kompanitë që merren me shitjen e ëmbëlsirave të Halloweenit duhet të jenë optimiste për një sezon të mbarë. Kështu thotë David Steinberg, bashkëthemelues i Zeta Global, një kompani që merret me marketing. Ai për CNN ka thënë se konsumatorët vazhdojnë të blejnë ëmbëlsira sepse po i shohin si “komoditet”, derisa qëndrojnë të mbyllur në shtëpi.

Kostumet

Koleksioni “Spirit Halloween”, që njihet për numrin e madh të kostumeve, është përgatitur për festimin e Halloweenit në formë jo-tradicionale. Kompania ka ndërruar strategjinë e saj si shkak i pandemisë, duke u bërë kreative me ofrimin e mënyrave të reja të veshjes, si për shembull shitja e rrobave “online”.

“Ne parashikojmë që do të ketë klientë të shumtë dhe shitje në nivelin e vitit të kaluar”, ka thënë Erin Springer, menaxher i lartë në “Spirit Halloween”.

Ai ka shtuar se shitjet e kostumeve janë akoma në rritje, ndërsa fëmijët janë të ngazëllyer.

“Prindërit nuk duan t’i zhgënjejnë fëmijët, veçanërisht pas një viti të vështirë që kanë mësim nga shtëpia”, ka shtuar Springer.

Të blesh apo të mos blesh

Pandemia e koronavirusit ka rritur numrin e blerjeve në internet online, duke e zvogëluar kontaktin mes njerëzve, ndërsa është bërë një nga format më të përhapur gjatë vitit 2020.

Përgjatë përgatitjeve për Halloween, “Lowe”, kompania që merret me shitje, ka thënë se përpos shitjeve, kanë menduar t’u japin klientëve karamele dhe kunguj falas.

Kjo kompani thotë se synon t’i përdorë këto rrethana në favor të saj, duke i mbajtur klientët aktivë dhe të blejnë tek ta.

Kompania Party City ka përpiluar librin e lojërave për festimet virtuale, në shtëpi dhe festime me makinë. Drejtori i saj, Brad Weston, ka thënë se kompania po punon në zhvillimin virtual të saj, duke krijuar planifikime sesi të festohet Halloweeni në mënyrë virtuale, pa kontakte fizike mes njerëzve.

Sidoqoftë, pandemia e koronavirusit ka ndikuar edhe në zvogëlimin e punëtorëve dhe mbylljen e shumë dyqaneve që merren me shitjen e këtyre lloj kostumeve. Në vitin 2019, “Party City”, kishte 275 dyqane të hapura për Halloween, ndërsa gjatë këtij vitit do i ketë vetëm 25.

11/01/2019 21:34

Modelja e njohur u shndërrua në ‘barbie’ për “Halloween”, të gjithë sytë tek linjat trupore