Cult

Për ekspozitën ‘I see’ të fotografit Neron Deshishku

02/20/2019 22:09
nga:Natyra

Neron Deshishku është një fotograf i ri, i cili përveç fotografisë ka eksperimentuar edhe me forma të tjera të artit, çka reflekton edhe në mënyrën se si na e sjell konceptin e punës së tij në ekspozitën e titulluar “I see”, ku edhe vet titulli si koncept është një lojë fjalësh.

Në bisedë me artistin, kjo lojë fjalësh merr kuptim disa shtresor duke bërë kështu fotografinë një mënyrë komunikimi dokumentaresk dhe poetik në të njejtën kohë.

Ajo çka të lë përshtypje është empatia e tij me emocionet e subjekteve, që të sjellin dy lloj realitetesh, atë përsonal, si storie universale emocionesh të fuqishme njerëzore, dhe përjetimin e artistit.

Neroni është një artist shumë dimensional që veçse ka provuar mënyra të ndryshme të shprehjes për tu ndalur në fotografinë si një tjetër formë arti që tashmë ka vendosur ta bëjë profesion.

Ai ka fillimisht është marrë me muzikë, për të vazhduar më pas të studiojë dizajnin grafik në Universitetin e Prishtinës.

Vetmia, nevoja për tu thelluar në një botë më personale kanë qenë katalizatorët e produktivitetit artistik të Nëronit.

Bisedat sipërfaqësore, pamajftueshmëria me atë çka ofron përditshmëria e ka shtyrë të eksplorojë më tutje dhe pas studimit të dizajnit, ai vendos të vazhdojë për fotografi, të cilën e studion në Paris.

Sipas Neronit, kjo përvojë, studimi në Paris, shoqëri e përspektiva të reja si dhe biseda të thella me njerëz që vinin prej të katër anëve të botës, e kanë ndihmuar të rigjejë vetën, prej së cilës ndonjëherë të largon negativiteti e rutina e kryeqytetit.

Edhepse ka menduar që ai nuk do të kthehet më kurrë në Kosovë, Neronit ky udhëtim e ka ndihmuar të kuptojë lidhjen me vendin e tij dhe nevojën për ta njohur atë më thellësisht. Duket sikur ai ka pasur nevojë të largohet për të ardhur në përfundimin që “para se të eksplorojë botën, të eksplorojë oborrin e shtëpisë time”, thotë ai.