Opinion

Për Bedri Islamin dhe të tjerë: Pyesni Ramën për Sigurimin e Shtetit

11/12/2017 22:05
nga:Artur Zheji

Nëse duhet për të provuar se media është një kazan, ashtu si thotë kryeministri, zoti Islami, bëre mirë që më përmende.

Po ta shkruaj ty dhe përmes teje edhe mjaft shkronjësve me penë të hollë apo të trashë të këtij fshati, që unë nuk kam qemë asnjë orë të jetës sime, as në kontaktin më të largët me Sigurimin e Shtetit, përveçse nëpër filmat e realizmit socialist.

Dhe është shumë e thjeshtë prova dhe sprova Bedri, se ti merr vesh mirë nga këto punë. Është vetë kryeministri, që mund t’ju kënaqë kureshtjen dhe të nxjerrë ndonjë dosje. Mund të kem qenë në ndjekje, së bashku me prindërit e mi të ndjerë, por asnjëherë në kontakt, e aq më tepër në bashkëpunimin më të largët me ato fytyra të sikletshme.

Kanë shkruar edhe të tjerë aludime të tilla të poshtra, por kur e shkruajte edhe ti o Bedri, thashë se qenka trashur puna, pavarësisht se shton “që nuk e beson”.

Sepse ndoshta duhet të shkruaje që po të ishte e vërtetë, do ta dije.

Le t’ia falim Kaç Myftarit këto fantazira letrare dhe këtë humor të zi, pa të cilat ai nuk jeton dot, por një burrë racional si ty, e vetëfusin në “kazan” këto rreshta. Nëse ishte kjo ajo që ti doje, ja mbërrite, por mua më vjen keq, nuk e di pse për këtë.

Sepse ti, ashtu sikundër dhe unë, e di mirë se kush janë në mes tonë “bashkëpunëtorët”, ata që njihen dhe ata që nuk njihen, sepse jemi ruajtur prej tyre.

Por duke përzier të njomin me të thatin, sapo i bëre një shërbim ish sigurimsave, le të shpresojmë pa dashje, ashtu sikundër dhe unë e besoj, jo në mënyrë të rrejshme.

Kam jetuar 11 vite në Itali dhe përmes pasionit dhe aftësive të mia, vura në “shërbim” të Kosovës, editorialin e Radio Radicales në Romë, asokohe, Radioja politike kombëtare, më e madhja në Itali, me mbi 3.000.000 ndjekës.

Nëse këto janë “shërbimet e huaja”, ti e di. Arkivat e Radios janë aty, madje digjitale tashmë.
Shndërrova në vitet 1992, nga një mik të ish jugosllavëve, në një mik të madh të shqiptarëve, të madhin Marco Pannella dhe Emma Boninon dhe mjaft të tjerë, duke diskretituar figurën e ish ministrit të jashtëm Italian Lamberto Dini dhe aferat e tija me Telekom Serbia etj. Dhe duke mbajtur nën presion ish kryeministrin Italian të asaj kohe Massimo D’Alema, për Çështjen e shenjtë të Kosovës, si e mbiquaja unë atëherë…

“Rekrutova” gazetarë që, si shef departamenti që isha, i dërgoja në Kosovën e pushtuar, për të rrëfyer për Europën tmerret që ndodhnin aty.

Kam qenë korrespondent lufte në Zagreb, në periudhën e luftës së shkurtër kroato-serbe. E kam gdhirë me Arben Xhaferrin në Tetovë, kur donin ta arrestonin si kryetar të PDSH.

Më bëre të kaloj parasyve gjëra të mrekullueshme, për të cilat s’kam folur dhe shkruar asnjëherë, nën trysninë e modestisë. Por dëshmitarët janë gjallë dhe në postet më të larta, të Shqipërisë dhe Kosovës apo të Shkupit.

Po ke të drejtë duhet të shkruaj për atë eksperiencë. Po mund të pyesësh edhe presidentin Hashim Thaçi për këtë, Baton Haxhiun, edhe Ali Ahmetin apo Menduh Thaçin, pasi të kesh pyetur edhe lartësinë e tij, Ramën.

Por edhe Fatos Nanon, që ishte një dëgjues i rregullt i Radios nga burgu.

Nejse Bedri, e kuptoj se Rama sot është në vështirësi dhe jo prej meje dhe as prej mediave, por prej vetvetes dhe zgjedhje të tija personale dhe me vetëdije të plotë. Kishte nevojë për një dorë.

Jepja, është e drejta jote, por mos u shty deri këtu, se nuk kemi moshë, as ti dhe as unë, që të merremi me pallavra.

Dhe po ta shkruaj paraprakisht që nëse më kthen përgjigje, duhet të kërkosh të falur, në një formë ose tjetër.

Pasi të informohesh edhe pranë kryeministrit që ka akses kudo nëpër dosjet e të gjitha llojeve.

Tung.