Lajme

“Pengimi i mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë mund të shfrytëzohet nga forcat proruse në Serbi për destabilizim në rajon”

03/15/2022 17:26
nga:Donika Fetahu

Analisti politik, Blerim Latifi i ka komentuar kërkesat e ndërkombëtarëve për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë më 3 prill, raporton Gazeta Blic.

Sipas tij, pengimi i mbajtjes së zgjedhjeve mund “të shfrytëzohet nga forcat proruse në Serbi për të shkaktuar ndonjë destabilizim në rajonin tonë, destabilizim i cili pikerisht tani i duhet Putinit”.

“Mendoj se për shkak të krizës së shkaktuar nga lufta e Ukrainës, partnerët perëndimor të Kosovës, posaçërisht SHBA, do të kërkojnë me ngulm nga Kurti që zgjedhjet e Serbisë në Kosovë të tolerohen, në mënyrë që të shmanget çdo mundësi që pengimi i tyre të shfrytezohet nga forcat proruse në Serbi për të shkaktuar ndonjë destabilizim në rajonin tonë, destabilizim i cili pikerisht tani i duhet Putinit”, tha Latifi për Gazeta Blic.

Ai konsideron se Kurti është i vetëdijshëm për këtë situatë, andaj është duke kërkuar gjetjen e zgjidhjes.

“Ajo që dëgjova nga Kurti më jep të kuptoj se ai është i vetëdijshëm për këtë situatë dhe po kërkon një modus se si të akomodojë kërkesën e amerikanve brenda pozicionit të qeverisë së tij lidhur me zgjedhjet serbe në Kosovë”, vlerëson ai.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se pas agresionit rus në Ukrainë dhe vendosjen e Serbisë në anën e Rusisë, edhe takimet në mes Kosovës dhe shtetit serb janë vështirësuar shumë krahasuar me vitin e kaluar.

Shefi i ekzekutivit kosovar theksoi se takimet në nivel të lartë mes tij dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq varen edhe nga Brukseli.

Kurti flet për zgjedhjet serbe të 3 prillit: Jemi në kontakt me QUINT-it dhe BE-në që të gjejmë një zgjidhje

“Besoj që situata është më e vështirë sesa dikur, varet se kur na vjen ftesa nga Brukseli, por pas invazionit rus në Ukrainë dhe agresionit shokues ushtarak të Kremlinit mbi popullin e Ukrainës që po zhvillon luftë të paepur çlirimtare, me ç’rast ne edhe shprehëm gatishmërinë tonë për të marrë 20 gazetarë dhe 5 mijë refugjatë, por edhe iu bashkuam sanksioneve të SHBA-së dhe BE-së, ndërkohë që Serbia praktikisht u vendos në anën e Federatës Ruse takimet janë në një situatë tejet më të vështirë sesa vitin e kaluar. Evropa është në luftë, në Ukrainë po mbrohet kontinenti evropian, demokracia perëndimore po mbrohet dhe është obligim i yni njerëzor, qytetar, demokratik solidarizimi mbështetja e përkrahja e Ukrainës dhe sanksionet ndaj Federatës Ruse ndërkohë dihet që Serbia se ka bërë asnjërën prej tyre… Në këtë situatë ku ata nuk po e kanë kurajon që të distancohen nga Federata Ruse dhe t’u bashkohen sanksioneve edhe takimet tona janë vështirësuar shumë”, tha ai.

Lidhur me atë se Qeveria e Kosovës ka marrë ndonjë vendim për mbajtjen ose jo të zgjedhjeve serbe në Kosovës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se bashkërisht me ambasadorët e QUINT-it dhe BE-së që veprojnë në vend po mundohen që të gjejnë në zgjidhje.

Por shtoi se çfarëdo zgjidhje që të vendoset nuk duhet të cenojë shtetësinë dhe kushtetutshmërinë e Kosovës.

“Ne kemi shprehur qëndrimin tonë dhe konsiderojmë që në njërën anë nuk duhet që t’u pamundësojmë serbëve në Kosovë që përveçse kanë nënshtetësinë e Kosovës dhe atë të Serbisë ta kenë të drejtën e votës, mirëpo në anën tjetër kushtetutshmëria, ligji në Kosovë, rezoluta e fundit e 15 janarit, neve na e obligojnë bazën e çfarëdo zgjidhje që do të marrim në të ardhmen. Jemi në kontakt me ambasadat e QUINT-it dhe BE-së këtu në Kosovë në mënyrë që të shohim se çfarë zgjidhje mund të gjejmë që edhe të drejtat të mos shkelen por kurrsesi të mos cenohet shtetësia, kushtetutshmëria, sundimi i ligjit dhe rezoluta… Ne do ta gjejmë një zgjidhje për këtë dhe konsiderojmë që ajo zgjidhje nënkupton vullnetin e mirë por para se të gjitha janë edhe dysheme e tavan është kushtetushmëria dhe sundimi i ligjit. Nuk duam asnjë qytetar i Kosovës që e ka nënshtetësinë e Serbisë të privohet nga e drejta e votës”, tha ai.