Opinion

Peng i së kaluarës, hero i së tashmes, yll i së ardhmes

M KM K

…Tek e fundit, secili lojtar ka të drejtën e përzgjedhjes mes fanellave ‘verdhë e kaltër’ dhe atyre ‘kaltër e verdhë’. Cilatdo që i zgjedh, të jeni të bindur se nuk ka gabuar.

Sot po shkruhet një histori të tjetër, por kësaj rradhe me shkronja të arta. Përfaqësuesja, reprezentacioni, seleksioni e sa emra të tjerë të vënë nga ata që nuk besojnë në këto ngjyra, do të merr pjesë në Ligën e Kombeve. Përsëris, ‘Ligën e Kombeve’…

Peng I së kaluarës, hero i së tashmes, yll I së ardhmes

Mbase do të ishte përshkrimi më I shkurtër I asaj se çfarë e karakterizon një individ që luan për Kosovën nga gjeneratat më të reja e deri tek kombëtarja ‘A’.
Por a është kjo gjithçka që e përfaqëson individin në fjalë? Përgjigjia është e shkurtër. JO! Është më shumë se vetëm një veçori! Është një lidhje! Por jo nga ato lidhje të thjeshta. Është një lidhje shpirtërore më e madhe se aq, sa që Platoni, Kanti, Hegeli e shokët e tyre do t’a kishin të vështirë t’a spjegonin.

Por ky bashkëdyzim nuk e prek vetëm personin që djersitë fanellën verdhë e kaltër. Rrëqeth secilin njeri rreth tij, që në një farë forme apo tjetrën është I gatshëm të jep ç’do gjë për këto ngjyra. Ndoshta ekziston edhe një lloj eufemizmi për t’a quajtur të ‘çmendur’, mirëpo ‘a priori’ ai është një I tillë.
Kjo çmenduri padyshim se buron nga dashuria e madhe. Një dashuri që do t’I lënte me gishta në gojë edhe banorët e Veronës në Itali e të Parisit në Francë, qytete këto që shquhen për njërën nga gjërat më të shtrenjta në këtë botë, kuptohet për ata që besojnë tek një e tillë.
Por kthehemi pak pas, për të kuptuar se ku lindi kjo dashuri!

Pjesa e parë e viteve të 2000-ta, saktësisht vitet 1991/92, po shënonin njërën nga ngjarjet më të rëndësishme të futbollit kosovar. Ky I fundit po mëvetësohej. Njerëz të të gjitha moshave, po vraponin pa rreshtur dhe pa as më të voglin përfitim, që t’a mbajnë gjallë edhe në vendin tonë, sportin më të popullarizuar në rruzull.
Kështu vazhdoi për disa vite deri në periudhën më të keqe të Kosovës në historinë e saj. Vitet 1998/99. Gjatë kësaj kohe tek ne futbolli ishte në plan të fundit. Madje nuk po zhvillohej fare. Po luheshin ndeshje më të mëdha, ato të luftës. E këto të dyja për nga rëndësia në raport me njëra-tjetrën, janë sikur krahasimi mes ndeshjeve të Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Parë të Kosovës.
Mirëpo si popull stoikë që jemi, e tejkaluam edhe këtë sfidë. Fituam me asistimet e ‘lojtarëve’ tanë dhe me golat e njëpasnjëshëm të forcave paqeruajtëse veri-atlantike. Ata na ‘kualifikuan’ tutje, kurse neve na u deshë që t’I përvjelim mëngët dhe t’a marrim timonin në dorë.
Por tash ishte një rend tjetër. Shumë futbollistë të Kosovës, të cilët po mëtonin të bëheshin emra të mëdhenj në të ardhmen, ishin në një tjetër pozicion. Disa kishin ikur si refugjatë, disa të tjerë kishin humbur gjithçka që patën, e dikush po stërvitej në shtëpi vetëm e vetëm që të mos ndalonte synimin e ëndërrës së kahmotshme.

Politika dhe sporti e kanë një të keqe. Sa janë larg me njëra-tjetrën, aq janë edhe afër. Kjo u vërejt në periudhën e pasluftës e deri në shpalljen e pavarësisë. KOSOVA kishte organizim sa për sy e faqe, por që nuk ishte aq shumë sa do t’ia vlente të përmendej. E kur mendohej se ç’do gjë po shkonte për së prapëthi, ndodhi edhe pika e kthesës. PAVARËSIA! Një deklaratë e shkurtër nga vetëm një njeri, e nënshkruar nga 120-të e ca të tjerë, pushtoi zemrat e miliona shqiptarëve që ato momente nën ndikimin e emocioneve dhe me lot në sy, po përqafonin njëri-tjetrin në shenjë triumfi të drejtësisë.

Ky triumf kuptohej se do të ndikonte edhe në futboll. Filluan edhe hapat e parë. I pari i federatës atëbotë ishte një njeri që fatkeqësisht nuk është më në mesin tonë, FADIL VOKRRI.
Zemra e këtij të fundit u shua para pak kohësh, për të lënë një boshllëk të pashlyeshëm tek të gjithë ata që e njohën. Por po e kujtojmë rrugëtimin e tij drejt arritjes së qëllimit.

Në vitin 2009 grumbullimin e përfaqësueses së Kosovës i’a besoi Albert Bunjakit. Ky i fundit një trajner futbolli jo edhe aq i shquar që jetonte e vepronte në Suedi, i mori frerët në dorë. Pranoi pozitën e selektorit të një shteti, diku, në një cep të harruar të Ballkanit, e që ishte pa të ardhme, osë thënë më mirë, e ardhmja nuk po i shihej në horizont.

Kosova kishte të drejtë të luante vetëm ndeshje miqësore dhe me një fusnotë prapa në fanellë. Kjo nuk i pengoi zyrtarët e FFK-së që t’a organizojnë takimin e parë miqësor, që nuk ishte asgjë tjetër veçse një duel revyal, mirëpo tifozëve nuk u interesonte fare fjala ‘revyalitet’. Stërmbushën stadiumin ‘Adem Jashari’ për të vetmen arsye. Për t’a parë Kosovën duke luajtur ndeshje ndërkombëtare. Kundërshtari i parë ishte Haiti. Një shtet nga Amerika qëndrore që shquhet për tërmete të shumta, u ‘godit’ nga një tërmet tjetër. Afro 18000 zëra po brohorisnin me aq fuqi sa kishin për t’i uruar mirëseardhje fanellave verdhë e kaltër. Një ndjenjë e jashtëzakonshme, e që fjalori i gjuhës shqipe është i mangët për t’a përshkruar.

Shtëpia numër një e futbollit evropian nuk e lejonte Kosovën të merrte pjesë në kualifikime për ngjarje të mëdha, kjo për shkak se nuk ishte pjesë përbërëse e instancave më të larta të futbollit. E në këtë të fundit nuk mund të hynte për arsye të asaj që e cekëm pak më lartë. Relacioni ‘politikë-sport’. Ky relacion nuk i lejonte shtetet joanëtare të organizatës së kombeve të bashkuara të aplikonin për anëtarësim në UEFA. Ç’ti bësh?! Rregullat janë rregulla! Dhe janë për t’u thyer! Kësisoj Kosova, priti sa priti dhe në fund paraqiti kërkesën legjitimi për anëtarësim.

Avokati i angazhuar lidhur me çështjen e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në UEFA, anglezi Alasdair Bell, në një farë mënyre bënte thirje për votim pro-aplikimit të Kosovës, pasi ai thoshte se nuk ekziston aryeja që të mos votohet.
Në ato momente ishin 54-anëtarë. Të gjitha vendet pjesëmarrjes kishin të drejtë vote, derisa Kosovës i nevojiteshin 51 % ose vota e 28 shteteve. Askujt nuk i interesonte numri i vendeve që kishin votuar pro, kundër apo apstenim, kur po dëgjoheshin reporterët nga vendi i ngjarjes duke qajtur nga emocionet kur e kuptuan se KOSOVA është anëtarja e 55-të e kësaj shtëpie të madhe. Një ëndërr e bërë realitet, e fotografitë e gazetarëve sportiv të Kosovës në Budapest, po bënin xhiron e botës. Askush nuk e kuptonte atë ndjenjë, se pse burrat qanin si fëmijë për pranim në një organizatë që nuk ishte kush e di se ç’ka. Në fakt për neve ishte ç’do gjë.

3 Maji i vitit 2016 do të hyjë në margjina si njëra nga datat më të rëndësishme të historisë pakvjeçare të Kosovës, kuptohet duke llogaritur vetëm periudhën e pas pavarësisë. Pas 17 Shkurtit 2008, kjo ishte fitorja më e madhe diplomatike e Kosovës, ani pse në rrafshin sportiv.

Ç’do gjë po merrte kahje. Futbollistët tanë ishin të barabartë me ata nga e gjithë bota. Tashmë duhej vetëm organizim. Por jo gjithçka po shkonte si është më së miri, kuptohet vetëm për dikë. Kombëtarja ‘amë’, ose ajo që e njihnin shqiptarët si e vetmja, tash kishte një konkurrentë tjetër. KOSOVA!

Poshtë kufirit shqipëtaro-shqipëtar, po punonin kundër nesh (Kosovës). Refugjatët e lartëcekur tashmë ishin rritur dhe po bënin namin në vende të ndryshme evropiane. Ishte në pikëpyetje se cilën kombëtare do t’a zgjidhnin. Dorën n’zemër, Shqipëria kishte gjasa shumë më të mëdha për t’u kualifikuar. Madje kishin krijiuar një grup të njerëzve që do të mirreshin pikërisht me këtë çështje. Kë e ftonte Kosova, Shqipëria punonte prapa shpinës dhe i ftonte edhe ajo. Kjo ishte një gjë tinëzare nga vëllau i madh për të sapolindurin. Por, është e kuptueshme, xhelozia. Tek e fundit, secili lojtar ka të drejtën e përzgjedhjes mes fanellave ‘verdhë e kaltër’ dhe atyre ‘kaltër e verdhë’. Cilatdo që i zgjedh, të jeni të bindur se nuk ka gabuar.

Sot po shkruhet një histori të tjetër, por kësaj rradhe me shkronja të arta. Përfaqësuesja, reprezentacioni, seleksioni e sa emra të tjerë të vënë nga ata që nuk besojnë në këto ngjyra, do të merr pjesë në Ligën e Kombeve. Përsëris, ‘Ligën e Kombeve’.

Disa janë yje të skuadrave të tyre respektive, disa të tjerë jo, por janë më shumë se aq për ne të tjerët që po i numërojmë minutat deri në orën 20:45, kur edhe zyrtarisht kombëtarja verdhë e kaltër do t’ia bëjë sefte aventurës së parë serioze, nëpërmjet së cilës po kërkon pjesëmarrjen në kampionatin evropian EURO 2020, që do të zhvillohet në 12 qytete evropiane.

Do të jemi dëshmitarë sesi fëmijët e vegjël nëpër rrugët e shtetit tonë, do të thërrasin emrat e atyre që po na përfaqësojnë brenda fushave të blerta, duke mos shikuar asnjë kombëtare tjetër e duke brohoritur, Kosova, Kosova. As nuk e di dhe as nuk i intereson nëse Kosova është kombëtare apo çfarëdo tjetër, ai shpirtërisht është i lidhur me të. Para dy dite, kombëtarja jonë po zhvillonte njërën nga stërvitjet e fundit para nisjes për në Azerbaixhan. Një fëmijë i vogël që nuk po i’a lëshonte dorën babait po i thoshte: “Do të ulem tek e kaltërta edhe pse e bardha është më e pastër”! Babai i tij buzagaz po e shikonte i habitur! Unë gjithashtu, po e pyesja veten pse e bëri këtë zgjedhje? Kush e di, ndoshta që tani e ka mësuar se e bardha nuk llogaritet ngjyrë.

Sot do të jemi dëshmitarë të historisë, e kuptohet do të jemi edhe ne pjesë e saj, duke mos i lënë vetëm djelmoshat tanë për asnjë moment gjatë gjithë kohës.

Për herë të parë Kosova po kthehet në shtëpi, afër familjes, afër fëmijëve të saj që aq shumë e duan.

FORCA KOSOVA 🇽🇰️💙, FORCA KOSOVA 🇽🇰️💙, FORCA KOSOVA 🇽🇰️💙

/Muharrem Kafexhiu/

09/17/2018 21:44

Një autobus tjetër nga Kosova, sulmohet me gurë në Serbi!