Lajme

PDK: Qeverisja e LVV-së në Prizren, qeverisje e dështuar

01/24/2020 12:53
nga:Gazeta Blic

Partia Demokratike e Kosovës dega në Prizren, përmes një njoftimi për media ka thënë se javën e kaluar janë arrestuar udhëheqësi i zyrës ligjore dhe një zytar i asaj në zyre në Komunën e Prizrenit.

PDK thekson se arrestimi i tyre është tregues relevant se ngritja e zërit nga ana e opozitës, shoqërisë civile dhe mediave, lidhur me zhvillimet rreth pushtetit lokal, prej se ka ardhur në pozitë koalicioni i udhëhequr nga LVV, nuk kanë qenë pa bazë.

“Paaftësia e koalicionit të udhëhequr nga LVV, me njerëz tashmë të kompromituar dhe me deficite serioze në kapacitete menaxhuese për të qeverisur me qytetin e Prizrenit, është mëse evidente.

Nuk kishte me qenë korrekte të fajësohet vetëm një njeri si Haskuka në këtë rast.

Kemi të bëjmë, me një mendësi jokonstruktive dhe një tërësi individësh pa vizion, por me apetite serioze, për përfitime në mënyrë të ndryshme, por jo në harmoni me ligjin !”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

Njoftimi i plotë:

Javën e kaluar, është raportuar në media, se udhëheqësi i zyrës ligjore dhe një zyrtar i asaj zyre, janë arrestuar dhe u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Ndalimi i udhëheqësit të sektorit ligjor të Komunës së Prizrenit dhe i zyrtarit ligjor, është tregues relevant se ngritja e zërit nga ana e opozitës, shoqërisë civile dhe mediave, lidhur me zhvillimet rreth pushtetit lokal, prej se ka ardhur në pozitë koalicioni i udhëhequr nga LVV, nuk kanë qenë pa bazë. Sektori, i cili do duhej të ishte udhërrëfyes i respektimit të ligjit, në këtë rast, doli të jetë e kundërta.

Dëshiroj të përkujtoj se “Sundimi i Ligjit” është imperativ dhe parakusht, që mundëson zhvillim të mëtutjeshëm të shoqërisë, në të gjitha segmentet e saj, përfshirë këtu: ekonominë, arsimin, shëndetësinë, sportin, kulturën etj.
Paaftësia e koalicionit të udhëhequr nga LVV, me njerëz tashmë të kompromituar dhe me deficite serioze në kapacitete menaxhuese për të qeverisur me qytetin e Prizrenit, është mëse evidente.

Nuk kishte me qenë korrekte të fajësohet vetëm një njeri si z. Haskuka në këtë rast.
Kemi të bëjmë, me një mendësi jokonstruktive dhe një tërësi individësh pa vizion, por me apetite serioze, për përfitime në mënyrë të ndryshme, por jo në harmoni me ligjin !

Dyshohet se çështja për të cilën janë arrestuar, është e ndërlidhur me biznesin Euro-Center dhe është këmbim parcelash, pra çështje e natyrës së njejtë, për të cilën ish kryetari i Prizrenit z. Ramadan Muja është i ndëshkuar kohë më parë.

Vlen të përkujtohet se bazuar në legjislacionin e zbatueshëm në Kosovë, procesi i këmbimit të parcelave të pronës publike me atë private, do të duhej të kalonte përmes procedurave, për të marrë miratimin e Kuvendit Komunal, gjë që nuk ka ndodhur.

Ky këmbim parcelash, ka ndodhur jashtë procedurave ligjore, sepse nuk është marrë fare miratimi i Kuvendit Komunal të Prizrenit.

Ky këmbim i parcelave, do të duhej që komunës t’i sillte dobi (që nuk i ka sjellur), por si duket biznesit, i ka sjellur dobi dhe nuk përjashtohet mundësia se mund të ketë pasur edhe të tillë që kanë përfituar individualisht.

Është interesante se Kryetari i Prizrenit z.Mytaher Haskuka, në postimin e tij të datës 19 janar 2020, në vend se të distancohet nga veprimet jo ligjore, për çka edhe janë arrestuar zyrtarët e tij, ai vazhdon tentimin e tij, që duke luajtur rolin e viktimës për dështimet e tij, akoma të fajësoj partitë opozitare dhe fazën e kaluar, pra para se VV të merrte pushtetin në Prizren.

Dëshiroj të përkujtoj se bilanci i dështimeve të Kryetarit Haskuka, krahas të gjithë atyre që i kemi numëruar kohë më parë, tani kompletohet me arrestimin e dy zyrtarëve të zyrës ligjore.

Të gjitha këto, janë dëshmi se kemi të bëjmë me një qeverisje lokale të dështuar dhe se ka qenë iluzion, nëse dikush ka pritë ndryshime pozitive nga një grup individësh pa vizion.

Në fakt mund të duket paradoksale, por ndryshimi që ka ndodhur, është për të keq dhe fatkeqësisht jo për të mirë.

Këtë tashmë, po e konfirmojnë edhe zhvillimet në nivel nacional ku LVV dhe LDK, qe 4 muaj, nuk po mund të formojnë qeverinë, për të cilën kishin premtuar se do ta krijojnë, posa të çertifikohen rezultatet e zgjedhjeve pas 72 orësh !