Lajme

PDK, LDK e AAK kritikojnë Kurtin për nepotizëm: Qytetarët do ta ndëshkojnë me votë!

12/29/2024 09:08
nga:G C

Opozita ka kritikuar ashpër Qeverinë e Albin Kurtit, duke e akuzuar atë për dështim në luftën kundër nepotizmit dhe korrupsionit.

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, theksoi se Qeveria ka dështuar të ndërmarrë veprime konkrete për luftimin e korrupsionit dhe se ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë po e dëmtojnë pavarësinë e gjyqësorit.

Ai kritikoi ashpër që një kryeministër ka ndërhyrë në emërimet e prokurorëve të lartë, duke e quajtur këtë një shkelje të ndarjes së pushtetit.

“Kjo Qeveri ka dështuar në luftim të korrupsionit, ka dështuar në sundim të ligjit. Ka pasë interferime, psh një kryeministër nuk ka ndodhë që në të kaluarën të thotë se derisa “unë jam në pushtet nuk bëhet ai ose ky kryeprokuror”. Nuk di si duhet të luftohet korrupsioni kur Qeveria përzihet në kompetenca të gjyqësorit. Nuk mund të luftohet korrupsioni me ushtreus detyre. Kemi shumë ministra që janë nën hetime, kanë aktakuza. Kemi parë deklarata, por jo veprime nga kjo qeveri. Kosova ka ligje të mira dhe duhet të zbatohen, por duhet të ruhet balance kushtetues i ndarjes së pushteti”, tha Beqa për GazetaBlic.

Nga ana tjetër, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, theksoi se nepotizmi ka arritur nivele alarmante në Qeverinë Kurti, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për hipokrizi.

“Nepotizimi në këtë qeveri është fenomeni që tregon hapur për hipokrizinë e Lëvizjes Vetëvendosje sepse ju e dini që kanë ardhë në pushtet me kauzën se ‘familjarët janë për dasma’ ndërsa tani çdo i dyti person i punësuar është familjar i dikujt prej deputetevë ose kabinetit qeveritar”, tha Krasniqi.

Sipas Krasniqit, shumë anëtarë të kabinetit të Kurtit kanë punësuar familjarët e tyre, duke e thyer premtimin për të luftuar nepotizmin. Ajo e parashikoi një rënie të përkrahjes elektorale të VV-së për shkak të këtyre skandaleve.

“Normalisht që kjo do të ndikojë në zgjedhje pasi i kanë mashtru qytetarët që nuk do të ketë nepotizëm dhe ju e keni parë se sa njerëz janë punësuar deri tani prej Lëvizjes Vetëvendosje, po marr vetëm disa prej tyre….nipi i Besnik Bislimit është anëtar i njërit prej bordeve, vajza e kryetarit të Podujevës e punësuar në Ministrinë e Bujqësisë, axha i kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, e shumë e shumë anëtarë të tjerë të tjerë të kabinetit qeveritar që kanë punësuar anëtarët e familjes e për deputetë nuk po flas se është një numër shumë i gjatë i tyre”, tha Krasniqi për GazetaBlic

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, gjithashtu kritikoi kryeministrin Kurti për mashtrime, duke theksuar se asnjë premtim i fushatës për luftimin e nepotizmit nuk është realizuar.

“Sa i përket premtimit të kryeminsitrit Kurti, unë them lirshëm se asnjë premtim që e ka dhënë gjatë fushatës dhe që e ka pas në atë fletushkën qeveritare nuk e ka realizuar dhe i ka mashtruar qytetarët, kur e them i ka mashtruar e bazoj në atë që ai ka kritikuar që familjarët janë për dasma dhe jo për punësime. Është e kundërta e asaj që ka premtuar dhe sot ne gjithë familjarët e zyrtarëve të lartë i shohim të punësuar i shohim nëpër borde dhe mund të them që në këtë drejtim i ka tejkaluar të gjitha parashikimet edhe atyre që ndoshta kanë menduar që Kurti me të vërtetë do ta lufton familjarizimin dhe mund të them që ka dështuar totalisht”, tha Lekaj.

“Ka ardh me mashtrime, po shkon me mashtrime, dhe kemi borde mjaft të politizuara kemi departamente te familjarizuara dhe që i ka punësuar familjarët, dhe nuk dihet nga familjarët a kanë kohë me shku në dasma sepse të gjithë i ka punësuar dhe mund të mbahet mend kjo qeveri për punsimin e familjarëve dhe punësimin nën petkun e partisë”, shtoi ai.

Lekaj tha se Kurti ka shpërndarë pozita pune për familjarët e zyrtarëve të lartë dhe ka krijuar borde të politizuara, kundër asaj që kishte premtuar gjatë fushatës.

Ai shtoi se qytetarët do ta ndëshkojnë këtë qeveri në zgjedhjet e ardhshme përmes votës.

“Unë mendoj që qytetarët tanë janë mjaft të menqur, dinë me vlerësu punën, dinë me vendos, dinë me votu. Nëse nisemi nga ajo që është parë deri më tash nga kjo qeveri kanë me ndëshku me votë, mendoj që ndëshkimi më i madh për një politikan është vota. Unë mendoj që qytetari jonë ka me vendos ndryshe karhasuar me vitin 2021”, tha Lekaj për GazetaBlic.