Lajme

PDK: Kosova po rrezikohet nga ngritja e çmimit të energjisë – Qeveria po tregohet neglizhente

10/09/2021 14:53
nga:Gazeta Blic

Partia Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin e saj që Qeveria aktuale e ka lënë Kosovën tërësisht të papërgatitur për t’u përballur me pasojat e rënda të krizës energjetike, që po merr formë tashmë një kohë të gjatë.

Partia më e madhe opozitare në vend, përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se gjatë muajve të fundit, mbarë Evropa është duke përjetuar rritje marramendëse të çmimeve të energjisë elektrike, ndërsa sipas PDK, Qeveria e Kosovës po tregohet neglizhente dhe nuk ka marrë asnjë masë për të adresuar këtë krizë që po i afrohet me shpejtësi edhe Kosovës.

Aktualisht, çmimi i rrymës në bursat e energjisë në rajonin tonë ka arritur në trefishin e çmimit të një viti me parë, ndërkohë që jemi ende larg dimrit – kur edhe pritet të arrijë kulmi i çmimit.

“Kjo krizë ndërkombëtare kërcënon furnizimin e rregullt dhe me çmime të pa përballueshme të qytetarëve dhe bizneseve, duke rrezikuar kështu stabilitetin ekonomik, mirëqenien e qytetarëve dhe vetë sigurinë kombëtare”, thuhet në komunikatë.

Dihet që Kosova nuk ka kapacitete gjeneruese të rrymës për të përmbushur nevojat e saj kur arrin piku i konsumit në dimër dhe për rrjedhojë është e varur nga vendet fqinje – qoftë për blerje të energjisë, qoftë për transmetimin e energjisë së importuar.

“Prandaj, do të duhej që Qeveria të planifikonte muaj më parë për dimrin, duke siguruar më herët kontrata për blerjen e energjisë në atë periudhë kur çmimi në bursat e energjisë ishte ende i ulët.
Ndryshe nga Qeveria e Kosovës, qeveritë e shumë vendeve, prej kohësh janë vënë në lëvizje dhe po marrin masa që të përballen me pasojat e rënda të pakësimit të burimeve të energjisë dhe të rritjes së paprecedent në një kohë të shkurtër të çmimeve”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës së PDK-së, nëse nuk merren masa të shpejta nga Qeveria, kjo situatë rrezikon t’i dëmtojë rëndë bizneset kosovare që ende nuk e kanë marrë veten nga kriza e pandemisë. Po ashtu, cenon mirëqenien e familjeve që gjatë dimrit harxhojnë një pjesë të mirë të të ardhurave për ngrohje.

“Mirëpo, Qeveria e Kosovës jo vetëm që është treguar e paaftë dhe e papërgjegjshme për t’i paraprirë adresimit të gjendjes së vështirë energjetike të dimrit, por edhe ka ndërmarrë veprime të dëmshme në fushën e energjisë. Dështimi i projektit të ndërtimit të termocentralit ‘Kosova e Re’ dhe bllokimi i projektit për infrastrukturën e gazsjellësit dhe termocentralit me gaz shkojnë ndesh me interesin e Kosovës për të pasur pavarësi energjetike dhe shtim e diversifikim të burimeve të saj prodhuese të energjisë. Për më keq, është revoltues edhe lajmi për bllokimin e disa investimeve strategjike në energji të ripërtëritshme”, thuhet në komunikatë.

Prandaj, PDK i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të tregohet e përgjegjshme dhe të angazhohet menjëherë për të siguruar sa më shpejtë kontrata për blerje dhe transmetim të energjisë me çmim sa më të arsyeshëm për muajt që vijnë, në mënyrë që të garantojë sigurinë e furnizimit me rrymë të mjaftueshme në muajt e ardhshëm.

Sipas komunikatës për media, Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet maksimalisht edhe për të mirëmenaxhuar rrymën, për të reduktuar humbjet dhe shpërdorimet e rrymës, si dhe për të shtuar rezervat e hidrokarbureve në vend.

PDK, po ashtu, e sheh të nevojshëm shyqrtimin e subvencionimit të çmimit të rrymës për bizneset që mbajnë ekonominë tonë në këmbë, si dhe për shtresat e margjinalizuara të shoqërisë që mund ta kenë të pamundur t’i mbulojnë shpenzimet e rrymës në dimër.