Lajme

PDK kërkon hapjen e kutive të votimit në Prizren

11/30/2017 18:57
nga:M H

Betim Gjoshi, anëtari i KQZ-së nga PDK-ja ka treguar për ato që kjo parti i ka dorëzuar si fakte në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për balotazhin e 19 nëntorit në Prizren.

Ai në Info Magazine të Klan Kosovës ka shpalosur edhe një nga faktet që ata kanë dorëzuar.

“Në Prizren ka shumë fakte që janë dorëzuar, janë të paktën 10 prova, përfshirë dëshmi të vëzhguesve, videoincizime dhe shkelje të tjera”.

“Është një rast jashtëzakonisht interesant, një pjesë e videos është publikuar, ku persona të paautorizuar shihet se si lëvizin me kutinë e votimit në në Shkollën Teknike në Prizren”.

“Ata janë tre persona, njëra èshtë komisionere e Vetëvendosjes dhe kryesuese e vendvotimit, një vëzhguese e tyre dhe një person tjetër që vjen nga jashtë”.

“Ata fillimisht e nxjerrin kutinë e votimit nga bodrumi dhe lëvizin për 10 minuta bashkë me kutinë e votimit nga njëra skutë në tjetrën”.

“Vëzhguesi nuk ka të bëjë me materialin zgjedhor, ne i kemi dëshmitë me emër dhe mbiemër”.

“Janë dëshmitë e vëzhguesve tanë, derisa këta persona duhet të tregojnë se çfarë kanë bërë, kjo është dyshuese dhe nuk do shumë koment”.

“Ky është njëri prej 11 fakteve që kemi dorëzuar, kemi edhe mungesë të fletëvotimeve dhe zarfeve”.

Gjoshi ka thënë se PDK-ja kërkon hapjen e kutive të votimit në Prizren.

“Të hapen këto kuti dhe të shohim se çfarë ka ndodhur, ka dyshime se procesi ishte i manipuluar dhe vullneti i qytetarëve nuk ka shkuar në vend”.

“Kemi denoncuar shumë probleme, kemi pasur dy ankesa, njëra është aprovuar nga PZAP-ja që e çoi Prizrenin në rinumërim, por Vetëvendosja nuk la mjet pa përdorur për ta hedhur një gjë të tillë poshtë”.

“Kjo lë të kuptojmë se diçka po fshihet”.

“Ne si subjekt kemi qenë të kujdesshëm për vlerësimin e procesit zgjedhor. Kemi fakte, që janë shtuar dita ditës dhe që tregojnë se procesi në Prizren ka devijuar”.

Ai ndër të tjera ka thënë se kundërkandidati i Shaqir Totajt nga PDK-ja për Prizrenin, Mytaher Haskuka nga Vetëvendosja dhe partia e tij duhet t’i lënë të qetë organet e drejtësisë.

“Haskuka dhe Vetëvendosja e kanë vështirë të mbulojnë keqpërdorimin e votave, ne ftojmë që të hapen kutitë e votimit, le të vijnë mediat dhe ta vërtetojmë realitetin që ka ndodhur në Prizren dhe në krejt Kosovën”.

“Unë kisha kërkuar që të lënë të qetë organet e drejtësisë që do të vendosin për fatin e ankesave. Ne kemi dorëzuar fakte që janë të shumta”.

“Ne do të ruajmë korrektësinë, besojmë në organet e drejtësisë edhe pse kemi qenë subjekti që më së shumti kemi pësuar”.

12/10/2017 15:30

Nesër nis fushata zgjedhore në Istog