Lajme

PDK-ja në Skenderaj tejkalon problemet, arrihet një marrëveshje!

04/20/2019 23:10
nga:Gazeta Blic

Mospajtimet ndërmjet zyrtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës, dega në Skenderaj tashmë janë zgjidhur.

Burimet brenda këtij subjekti politik i kanë thënë “Gazeta Blic” se është arritur një marrëveshje për ndarje të përgjegjësive nga procesi i brendshëm zgjedhor.

Sot janë tejkaluar problemet në PDK-në e Skenderajt, pas një marrëveshjeje të arritur mes zyrtarëve të partisë, ku për kryetar do të jetë Sami Lushtaku, ndërsa funksionin e nënkryetarit do ta ushtrojnë Nuredin Lushtaku dhe Bekim Haxhiu“, thonë burimet e njëjta brenda PDK-së.

Deri tek ky vendim, PDK-në e Skenderajt e ka dërguar acarimi i situatës ndërmjet anëtarëve të këtij subjekti politik që ndodhi në javën e kaluar në Klinë të Eperme, ku për shkas edhe u anulua procesi i zgjedhjes së përfaqësuesit të fshatit nga radhët e kësaj partie.

Ndryshe, Komunën e Skenderajt aktualisht e drejton Bekim Jashari, që zgjedhjet e fundit i kishte fituar si kandidat i pavarur. Ai ishte mbështetur edhe nga zyrtarët e PDK-së në garën për kryetar, pasi që ky subjket politik kishte vendosur të mos marrë pjesë në zgjedhje, në shenjë respekti për familjen Jashari./Gazeta Blic/