Lajme

PDK-ja ia përgatit “kulaçin” Haradinajt: Ky është skenari për rrëzimin e Ramush Haradinajt

12/03/2017 14:18
nga:Gazeta Blic

Skenari i ngjashm si me LDK-në mund t’i ndodhë AAK-së

Së fundi, derisa po bëhet bilanci i zgjedhjeve lokale të kësaj vjeshte, aty këtu kanë filluar disa deklarime nga deputetët e PDK-së kundër mënyrës se si po funksionon qeveria ‘Haradinaj’.

Deputetë nga radhët e kësaj partie kanë filluar të kritikojnë qeverisjen megalomane të udhëhequr nga partneri i tyre, akoma pa e prezantuar në Kuvend raportin e 100-ditëshit të punës. Analistët politikë vlerësojnë se ky nxitim me kritika të hershme mund të merret edhe si sinjal se PDK-ja po shfaq pakënaqësi të njëjta kundër partnerit në koalicion, siç e bëri me LDK-në, të cilën më pas e rrëzoi nga Qeveria.

Ana tjetër e medaljes është edhe fakti që derisa Haradinaj thotë se demarkacioni është gabim dhe nuk do të votohet, Kadri Veseli, por edhe vetë Hashim Thaçi, sërish publikisht e kundërshtojnë Haradinajn, duke thënë se PDK-ja do të japë votat pro demarkacionit.

Mbi këtë bazë ka vlerësime të analistëve, që thonë se shpejt mund të presim skenarin e njëjtë të një mocioni të shpejtë, që mund ta çojë vendin në zgjedhje të reja parlamentare, ose do të detyrohen parterët në koalicion ta ndërrojnë qëndrimin për çështjet sensitive, e që në rend të parë është qëndrimi i Haradinaj për demarkacionin, qëndrim kundër të cilin e ka pasur dhe e ka edhe NISMA e Fatmir Limajt.

Joshja e kryeministrit

Analisti politik Ymret Reshiti thotë se sjellja prej”tradhtarit” politik karshi partnerëve qeverisës është bërë tradicionale në PDK, e kjo mund të përsëritet edhe me rastin e Qeverisë ‘Haradinaj’.

“PDK-ja forcimin dhe shpëtimin nga humbja e pushtetit e ka siguruar përmes praktikës së “tradhtisë” së partnerëve të koalicionit në bashkëqeverisje. Një politikë kryekëput e bazuar në parimet Makiaveliste “qëllimi arsyeton mjetin”. Një politikë fund e krye pa asnjë fije moralin dhe dëshmueshëm e bazuar në interesa të pastra personale.

Si rezultat i politikave të tilla ka ardhur deri te kjo situatë, ku gjendet sot shteti i Kosovës. I ngulfatur, i pasigurt, i kapur dhe pa perspektivë”, u shpreh ai.”Debakli i PDK-së në zgjedhjet lokale vetëm sa ka nxitur udhëheqjen e kësaj partie që t’i kthehet “zanatit të vjetër”, të cilën e patën shpikur në “Zanzibar”.

Është strategji e PDK-së që të kompromentojë të gjitha ato parti politike kosovare që e kritikojnë dhe ia rrezikojnë pushtetin në mënyrë që qytetarëve t’i thotë:”E shihni, të gjitha e kanë për pushtet”! Kështu PDK-ja së pari komprometoi LDK-në dhe atë dy herë, pastaj AKRnë, Listën “Ibrahim Rugova” ,PLK-në etj.

Tani radhën e ka AAK-ja dhe pikërisht Ramush Haradinaj, i cili i pati shkaktuar mjaft kokëçarje PDKsë, sidomos planeve djallëzore të Hashim Thaçit për Demarkacionin dhe ‘Zajednicën'”, theksoi Reshiti.

Sipas tij, PDK-ja nuk ia dhuroi postin e kryeministrit Ramush Haradinajt për shkak të “zemërgjerësisë”, por për komprometim politik të tij para qytetarëve dhe për t’ia bërë më lehtë kurthin.”PDK-ja duke parë rrezikun se mbeti pa asnjë partner politik në skenën politike kosovare, sidomos pas prishjes së bashkëqeverisjes me LDK-në, iu afrua Ramush Haradinajt, duke e joshur me postin e kryeministrit për të bërë një bllok politik në mënyrë që të sigurojë mbetjen në pushtet”, tha Ymret Reshiti.

Ai pohon se dihet fare mirë se PDK-ja është disejnatorja dhe instaluesja e kapjes së shtetit, prandaj ajo është në gjendje që të mos marrë asnjë post ekzekutiv shtetëror, vetëm e vetëm që të mbetet në pushtet sa për të pamundësuar zhvillimet e hetimeve dhe ndjekjeve penale për korrupsion dhe krim të organizuar ndaj zyrtarëve të lartë të kësaj partie.

“Është vetëm çështje kohe që të ndodhë “vetërrëzimi” i qeverisë ‘Haradinaj’ nga “kali i Trojës ” alias PDK-ja që po kalëron korridoreve të Parlamentit të Kosovës që nga viti 2008″, tha Ymret Reshiti.

Të varur nga demarkacioni

Se Qeveria ‘Haradinaj’ mund të përballet shpejt me mocion dhe rrëzim të iniciuar nga PDK-ja, si hakmarrje për kundërshtimin e demarkacionit, këtë skenar e sheh të mundshëm edhe analisti Florim Zeqa.

Sido që të jetë, ai rekomandon kryeministrit që për asnjë çmim të mos e ndryshojë qëndrimin, qoftë edhe për çmimin e mocionit kundër kabinetit të tij.”Ndërrimi i mendjes për sjelljen në Kuvend të Demarkacionit me Malin e Zi sipas versionit të Qeverisë së kaluar do të ishte “vdekjeprurës” për kryeministrin Haradinaj.

Me një veprim të tillë, Haradinaj përveç humbjes së imazhit pozitiv (pas caktimit të komisionit të ri për demarkimin e kufirit), përfundimisht do të humbasë edhe kredibilitetin si lider shtetëror, kur dihet se i njëjti si opozitë e bashkuar (LAN) e kundërshtoi me të gjitha mjetet në Kuvend ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi, të nënshkruar nga presidenti Thaçi”, u shpreh ai.

“Gjasat janë të mëdha, që sjellja e demarkacionit në Kuvend mund të jetë vetëm një skenar për mocion të përshpejtuar kundër Qeverisë “Haradinaj”, gjegjësisht çuarja e vendit në zgjedhje të reja parlamentare. Në fakt, rruga e ardhjes në pushtet e Haradinajt mund të jetë e njëjta për zbritje nga froni i pushtetit. Andaj, si “shpëtim” për Haradinajn ashtu edhe e dobishme për vendin do të ishte mbrojtja e qëndrimeve nga ana e kryeministrit Haradinaj për mossjellje në Kuvend të versionit të qeverisë së kaluar”, tha Florim Zeqa.

AAK-ja mund ta pësojë më keq se LDK-ja

Politologu Gurakuq Kuçi konsideron se as optimisti më i madh nuk do të duhej pritur që PDK-ja do ta lërë rehat Haradinajn në ushtrimin e plotë të mandatit kushtetues, sidomos tani kur i ka dal PDK-së fatura negative nga dy palë zgjedhje, parlamentaret e lokalet. “Nuk është pritur ndryshe vetëm se kjo të ndodhë. PDK-së nuk i dolën shumë pritjet që të fitonte në Mitrovicë dhe Prizren e VV-ja të humbte në Prishtinë, se ndryshe do flisnim për çështje ditësh për rrëzimin e Qeverisë.

Kritikat ndaj Qeverisë Haradinaj janë kritika ndaj partisë së vetë, pasi ata vetë i kanë dhënë besimin për këso lloj qeverie. Por, PDKja, duke e zënë ngushtë LDK-në, që nuk arrinte të siguronte vota për demarkacion dhe asociacion, e tani AAK-në që ka edhe kritikën ndërkombëtare po e shfrytëzon rastin për të dështuar çdo qeverisje ku nuk është kryeministri i tyre në sy të ndërkombëtarëve dhe popullit’, theksoi ai.”

Ndërsa, AAK-ja nuk ka njerëz të mbrohet para këtyre politikave agresive, sepse ka zgjedhur të punojë me njerëz aspak adekuatë. Ramushi nuk do të tërhiqet nga qëndrimet e tij, por nuk po arrin ta mbrojë kauzën e tij për demarkacionin, kur ka shumë instrumente, por nuk ka njerëz afër t’ia mësojnë.

Kjo periudhë deri në Pranverë do të prodhojë të paktën edhe një ngjarje që do e dëmtojë Haradinajn dhe do të dërgojë vendin në zgjedhje me arsyet sipërfaqësisht të drejta. Haradinaj duhet të ndërmarrë veprime të shpejta, ndryshe nuk do të dalë nga qeveria si LDK, por i dështuar në masë edhe më të madhe”, shpjegoi më tutje Gurakuq Kuçi.

Qeveri e përkohshme

Analisti Blerim Burjani thotë se PDKja është total e heshtur dhe pa ndikim dhe e painteresuar fare çfarë bën kjo qeveri aktuale, sepse kjo qeveri udhëhiqet nga dy parti të vogla dhe pa kapacitet profesionale, me numër të madh të ministrive dhe numër pa lidhje dhe pa kuptim të zëvendësministrave.

“PDK vazhdon të kundërshtojë edhe hezitimin e pranimit të demarkacionit me Malin e Zi, me çka ndërlidhet dhe çështja e liberalizimit. Po ashtu ka edhe stagnim të plotë në zhvillimin e ekonomik të shtetit. Ka një politikë përfituese edhe pse kjo qeveri duket të jetë plotësisht e përkohshme deri në zgjedhjet e ardhshme.

Mendoj se kjo qeveri e ka humbur plotësisht hapin që të bëjë reformim të skemave sociale, të ndërtojë mekanizëm zhvillues, prandaj PDK-ja është plotësisht e pakënaqur dhe e dëshpëruar, madje as që vërehet që është dhe PDK në këtë koalicion”, tha Burjani. Mirëpo, me këto vlerësime nuk pajtohet analisti Muhamet Kelmendi.

Ai thotë se derisa PDK-ja doli dobët në dy palë zgjedhjet e fundit, nuk mund të llogarisë që duke rrëzuar qeverinë Haradinaj të ngrihet automatikisht në vota dhe ta rimarrë fuqinë qe e ka pasur në të kaluarën.”Është koalicion që e ka një shumicë jashtëzakonisht të vogël, relative në Kuvend, dhe mjafton një fërkim sado i vogël midis palëve kalicioniste që qeveria të bjerë dhe të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Kjo nuk i konvenon koalicionit aktual, pra as Kadriut as Ramushit”, potencoi ai. Sipas Kelmendit, pyetja shtrohet a ka interes Kadriu ta prishë tani këtë koalicion? “Unë mendoj se jo”, vlerëson analisti Muhamet Kelmendi.

Ai thekson se PDK-se i duhet riorganizim dhe rifreskimi i të gjitha radhëve. Kjo kërkon kohë, kështu që rënia e Qeverisë mund të planifikohet më vonë.

12/10/2017 22:42

Haradinaj viziton nesër shkollën e Erdoganit