Lajme

“PDK e vendos fatin e zgjedhjeve në Podujevë”

02/18/2020 18:47
nga:Y I

Njohësi i çështjeve politike Shemsi Jashari në një prononcim për “Gazeta Blic” ka folur për zgjedhjet e parakohshme në Podujevë.

Jashari thotë se favorit në këtë komunë është Lëvizja Vetëvendosje, por cek se do të shkohet në balotazh.

Ai thekson se pasi të shkohet në balotazh rolin përcaktues se cili kandidat do të bëhet kryetar komune e ka PDK-ja.

“Në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Podujevës, garojnë vetëm tre kandidatë. Nga tri subjektet që janë në garë, dy subjekte garojnë për vendin e parë LDK dhe LVV ndërsa PDK garon për vendin e dytë në mënyrë që të arrijë të futet në balotazh. Nëse e analizojmë shumë faktorë, kandidati i LVV-së, Shpejtim Bulliqi ka gjasa të mira për të fituar më shumë vota por e ka shumë problem ta fitoj në raundin e parë, kështu që detyrohet të shkoj në balotazh. Për të fituar Lëvizja Vetëvendosje duhet të fitoj në raundin e parë. Sepse nëse shkohet në balotazh nuk do të gjejë aleat për ta mbështetur nga subjektet tjera për shkak të qëndrimit refuzues të LVV-së ndaj PDK-së, dhe AAK-së, në nivel qendrorë i cili nuk lejon hapësirë për koalicione e marrëveshje. Në secilin variant PDK-ja, do ta ketë rolin përcaktues se cili kandidat do ta bëhet kryetar për këtë mandat të mbetur. Nga ajo që deri tashmë kemi parë mendoj se, PDK-ja më parë do ta mbështes në balotazh LDK-në, se LVV-në” tha Jashari për Gazeta Blic.

Jashari tutje ka folur edhe mbi mungesën e buxhetit që sot u tha nga KQZ-ja .

“Mendoj se qeveria do të ndërmarr veprime dhe nuk do të lejohet rrezikimi i mbajtjes së zgjedhjeve për shkak të buxhetit por, vonesat në miratimin e buxhetit mund të ndikojnë në kualitetin e organizimit të zgjedhjeve, prandaj çdo vonesë është e dëmshme dhe kontribuon në uljen e cilësisisë së organizmit të procesit zgjedhorë dhe nuk duhet të lejohet të ndodhë diçka e tillë”.

Podujeva me 15 Mars u drejtohet kutive të votimit për të zgjedhur të parin e Komunës.

Zgjedhjet në këtë komunë erdhën pas dorëheqjes së Agim Veliut nga ky post për të shkuar në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Në garë për kryetar të Podujevës janë Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje, Nexhmi Rudari nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Naim Fetahu nga Partia Demokratike e Kosovës.

/Gazeta Blic/