Lajme

PDK e mbështet AAK-në për seancën e jashtëzakonshme për taksën 100%. Analistët komentojnë iniciativën e opozitës

02/25/2020 14:54
nga:E Sh

Paralajmërimi i kryeministrit Albin Kurti për heqjen e taksës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë e Bosnjës, ka mobilizuar opozitën në Kuvend për të thirrur seancë të jashtëzakonshme.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, inicuese për mbledhjen e nënshkrimeve për këtë seancë, ka marrë besimin edhe të partive të tjera në opozitë.

Partia më e madhe opozitare, PDK, ka konfirmuar për GazetaBlic se deputetët e saj po nënshkruajnë për ta mbajtur debatin lidhur me taksën.

Shefi i Grupit Parlamentar i këtij subjekti, Bedri Hamza, ka thënë se janë në proces me nënshkrimet dhe se nuk e paragjykojnë rezultatin që mund të dalë nga debati.

“Janë në proces, nuk e di deri në sa ka mbërri numri i nënshkrimeve. Nuk e di sa deputetë të PDK-së kanë nënshkru, por një pjesë e tyre e kanë nënshkru, janë në proces. PDK nuk e paragjykon rrjedhën e debatit dhe rezultatin e debatit”, ka thënë ai.

E, politologu Ramush Tahiri, për GazetaBlic, ka thënë se thirrja e kësaj seance për taksën nuk është interes nacional, por politik.

Pasi deri më tash nuk janë analizuar efektet e taksës, ato ekonomike apo politike, Tahiri thotë se AAK tash duhet ta përgatisë materialin në këtë seancë ku sqaron pikërisht këto efekte.

Përndryshe, shton ai, pa sqarimin për këto efekte, AAK bën patriotizëm por ai veprim nuk është interes nacional.

“AAK-ja duhet me përgatitë materialin për seancë, me kallxu efektet e taksës, me tregu a janë rritë apo a janë zvogëlu çmimet dhe çfarë efekti ekonomik ka pasur. Ka pak deputetë por me debat dëshiron me përfitu përkrahjen, nëse fiton përkrahje e nxjerr një rezolutë, nëse nuk fiton asgjë nuk mundet me nxjerrë, mundet me vazhdu me protesta. Por Aleanca ka qenë në pushtet, e ka udhëheqë Qeverinë, tash është një parti tjetër, VV që e udhëheqë Qeverinë dhe vendimmarrja i takon qeverisë”, ka shtuar Tahiri.

“Nëse nuk del efekti ekonomik, e kuptoj Aleancën që thotë këtë po e bëjmë për patriotizëm, se ka të drejtë me e bë për patriotizëm. Nuk është interes i Kosovës”.

Tahiri e ka quajtur politikë kryeneçe vendimin e opozitës për ta mbajtur këtë seancë, pasi sipas tij nuk ka asnjë argument ndërkombëtar, interes vendor apo analizë të taksës, për të cilën po thirren deputetët e opozitës në seancë.

“Po më duket si politikë kryeneçe që me insistu me këmbëngulje për një propozim për të cilin nuk i ke argumentet sepse nuk thirresh në Konventë Ndërkombëtare, sepse nuk thirresh në interes nacional, nuk i ke argumentet sepse nuk e ke përkrahjen e ShBA-së, BE-së dhe të asnjë shteti, nuk i ke argumentet se nuk ke bë analizë për efektet politike e ekonomike të taksës”, tha ai.

Ndërkaq, deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, ditë më parë për GazetaBlic kishte thënë se e rëndësishme ishte se kanë arritur në fund të nënshkrimeve dhe se ishte e bashkuar tërë opozita për këtë çështje.

“Jemi në fund. Kemi bashkëpunim si opozitë me të gjithë”.

 

03/27/2020 23:50

Ramush Haradinaj: Shefi i kabinetit të kryeministrit, ka tri shtëpi në lagjen Marigona, dy prej tyre flitet se janë të Kurtit