Partia Demokratike e Kosovës, e ka akuzuar kandidatin e LDK-së për kryetar të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, për mbulimin e posterave të kandidatit të tyre (PDK-së) për kryetar të kësaj komune, Ferit Idrizi.
Vetë Idrizi, në një postim në Facebook, akuzoi drejtpërdrejt Xhafer Tahirin e Lidhjes Demokratike.
Madje, Idrizi theksoi se Tahiri nuk duhet të fshihet pas këtyre vandalizmave politikë, ai duhet t’i përgjigjet ftesës së tij për debat në sheshin kryesor të qytetit.
“Të dashur qytetarë, Sot shumë prej jush kanë parë në vandalizmin e posterave tanë dhe të kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje!, nga ana e kundërshtarit politik. E dimë me saktësi se i kanë bërë ata, sepse këtë gjuhë të urrejtjes ka përdorur gjatë gjithë fushatës z. Tahiri. Këta postera janë të fushatës raciste të Xhafer Tahirit. Kjo asnjëherë më parë nuk ka qenë pjesë e kulturës dhe e edukatës sonë qytetare, por as e politikës së mirë. Këto etiketime të ulëta nuk do t’i shërbejnë në asnjë formë z .Tahirit, sepse me këtë veprim po shpërfaq urrejtje patologjike ndaj kundërkandidatëve të tjerë në Vushtrri dhe ndaj kolegëve tanë në Mitrovicë e në Skenderaj, të cilët populli i ka zgjedhur qysh në raundin e parë. Kryetari në shkuarje do të mbahet mend për tendencën e tij për ta instaluar gjuhën e urrejtjes, e cila nuk është përkrahur as nuk do të përkrahet kurrë nga vushtrriasit. Krejt çka mund të bëjë ai është kjo, ngase zgjedhjet tashmë i ka humbur. Z. Tahiri nuk duhet të fshihet pas këtyre vandalizmave politikë, ai duhet t’i përgjigjet ftesës sime për debat në sheshin kryesor të qytetit. Të gjithë vushtrriasit meritojnë të dinë drejt për programet tona dhe për aferat korruptive të tij, të vartësve dhe të familjarëve të tij. Qeverisja e mirë po rikthehet, fitorja është vetëm disa ditë larg!”, thuhet në reagimin e Ferit Idrizit.
E i menjëhershëm ishte reagimi nga ana e LDK-së në Vushtrri.
Në reagimin e tyre thuhet se i mohojnë kategorikisht akuzat e kandidatit të PDK-së, për të cilin thonë se nga frika e humbjes, është duke shpifur ndaj Xhafer Tahirit.
“Reagim LDK në Vushtrri i mohon kategorikisht akuzat e PDK-së e të Ferit Idrizit kundër Kryetarit Xhafer Tahiri e degës së LDK. Kryetari Tahiri e as LDK nuk qëndrojnë prapa posterëve të publikuar nga PDK. Si duket në panikë nga humbja e sigurtë, ndonëse prap PAN është ri bashkuar në Vushtrri, ekipi në prapaskenë i z. Idrizi po inskenojnë vet situata të tilla me posterë të tillë që më pas të akuzoj të tjerët. I gjendur pa program qeverisës, Ferit Idrizi i PDK po i ikë debatit me Kryetarin Tahiri. Ikja nga debati televiziv është injorim për qytetarin e Vushtrrisë e që ky injorim është i papranueshëm. LDK e Kryetari Tahiri gjatë gjithë mandatit asnjëherë nuk ka përdorur gjuhën e urrejtjes, qytetarët e dijnë mirë kush ka përdorur gjuhë urrejtje në Vushtrri e në Kosovë”, thuhet në reagimin e LDK-së, dega në Vushtrri.