Opinion

Pasojat e politikës multietnike: ndarja etnike e Kosovës

07/30/2018 16:52
nga:Donik Sallova

Pse “autonomia e Asociacionit të komunave me shumicë serbe” është zgjidhja me e rrezikshme? Sepse kjo autonomi do të thotë ndarje me e thellë më vonë.

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe përveç komunave veriore përfshinë edhe komunat në brendi të Kosovës të cilat aktualisht janë të integruara në sistemin politik të Kosovës, i nënshtrohen kontrollit të pushtetit qendror si territor, si popullësi dhe si qeverisje lokale.

Asociacioni si entitet autonom do të ketë synim jo vetëm ndarjen e veriut, sepse veriu de fakto është i ndarë, por ndërlidhjen mesvete, izolimin nga “pjesa shqiptare” e Kosovës dhe shkëputjen nga sistemi politiko-juridik edhe të komunave në brendi të Kosovës, duke përfshirë edhe objektet e kultit ortodoks në Kosovë.

Asociacioni autonom “si kompromis” do të ketë ndër të tjera, kompetenca në planifikimin urban dhe “rikthimin e serbëve të shpërngulur”, ku synimi i Serbisë është që rreth 100 mijë serbë t’i “rikthej” në komunat në brendi të territorit të Kosovës, që pastaj edhe po iu ofrua opsioni i ndarjes së veriut, Serbia do të thotë “dua më shumë se sa veriun, sepse kam rreth 100 mijë serbë në Kosovën e mbetur”.

Pra, Serbia ka ardhur në pozitën që në paqe, me mjete politike të ketë mundësi vazhdimin e projektit të moçëm të kolonizimit të Kosovës me popullësi serbe. Nëse në shkëmbim të njohjes nga Serbia, Kosova duhet ta pranoj autonominë e Asociacionit, atëherë Kosova do të bosnjizohet dhe në afatgjatë kjo do të jetë fatale për esencën dhe funksionalitetin e shtetit: në fund ndarja do të jetë coptim!

Që nga viti 1999 bashkësia ndërkombëtare (unmikiste) ka investuar në konceptin e Kosovës multietnike, në një vend me homogjenitet etnik (shqiptar) më të lartin në Evropë, me synimin (e fshehtë) jo për të integruar pacikën serbe, por për ta deshqiptarizuar idenë e shtetit të Kosovës.

Në fund, pas lëshimesh e kompromisesh në dëm të natyrës dhe idesë shqiptare të shtetit të Kosovës, jemi në pozicionin kur “kompromiset” e bisedimeve në Vienë e në Bruksel kanë sjellë dezintengrimin e serbëve nga sistemi shtetëror i Kosovës dhe forcimin e lidhjeve të tyre me Serbinë, e cila e konsideron Kosovën si krahinë të Serbisë.

Kështu, tashmë 20 vite pas gjenocidit të Serbisë në Kosovë, ku populli serb nuk ka qenë i distancuar prej tij e “Serbia demokratike nuk ka kërkuar kurrë falje”, për serbët kosovarë nuk është më iluzion të jetojnë në Kosovë pa e njohur shtetin e Kosovës. Ky është rezultati i multietnicitetit dhe deshqiptarizimit politik të Kosovës.

Prandaj pyetja e natyrshme që vjen për t’u shtruar është: për çka do të bisedohet në Bruksel më tutje? Për “integrimin” e mëtutjeshm të serbëve të Kosovës, duke ua njohur atyre autonominë e që për rezultat do të ketë njohje nga Serbia të “Kosovës si një Bosnje të dytë”? Faktikisht, Serbia më shumë do ta njohë vetëveten brenda Kosovës sesa që do ta njohë Kosovën si shtet sovran.

Për demarkacion (siç po thotë Vuçiq) mes Serbisë e Kosovës, ku do të vlejë parimi i “kontrollit efektiv të territorit, e që dihet që veriu i Kosovës nuk paguan faturë a taksë me vulë të R.Kosovës, sikurse Lugina e Presheves dihet cilit shtet ia paguan taksat etj. Për çfarë tjetër do të diskutohet në Bruksel…

Kosova nuk duhet të pranoj asnjë kompromis tjetër në emër të “integrimit të serbëve ëe Kosovë”. Çdo autonomi do të prodhoj ndarje. Nëse autonomia do jetë e “pashmangshme”, ajo s’duhet ta kalojë veriun dhe vetëm me kushtin që të ketë reciprocotet autonomie në Luginë të Preshevës (pavarësisht nëse kjo autonomi do sjellë integrim a dezintegim, kjo të vlejë për të dy rajonet).

Kushtetuta duhet të ndryshohet, klauzolat “multietnike” të shtetit të Kosovës duhet të hiqen, bashmë me vendet e garantuara në Kuvend, Qeveri, serbishten si gjuhë zyrtare, kompetencat e zgjeruara të komunave serbe në brendi të Kosovës etj., sepse ato klauzola multietnike nuk do të duhej të kishin sjellë deri tek autonomia: pikërisht pakoja e Ahtisaarit solli tek autonomia, prandaj “shenjtëria e tij” e përbrendësuar në kushtetutën e Kosovës duhet të flaket.

Në fund ja ku na solli rruga multietnike e Brukselit: tek ballafaqimi direkt nacional shqiptaro-serb! Kosova në negociatat e reja duhet t’ua hedh në fytyrë dokumentet multietnike teknokratëve të BE-së.

Elita politike kosovare mendoi se duke heqë dorë nga simbolet kombëtare do ta bënim Kosovën të pranueshme për serbët, duke harruar se simbolika themelore e çdo shteti modern është pikërisht Kombi.

Disa thanë ta krijojmë “kombin kosovar”! Tani le ta mbajnë atë si “identitet të theksuar krahinor” kundrejt identitetit kombëtar shqiptar të ndërtuar nga Rilindja Kombëtare Shqiptare. Tërheqja nga interpretimi i Kosovës si “pjesë e çështjes së pazgjidhur shqiptare në Ballkan”, veçanërisht prej 2006-ës e tutje, na ka bërë që sot të jemi në pozicion ku ndoshta “miqtë tanë” do na detyrojnë të zgjedhim mes opsionesh të kqija: ndarje të shpejtë të Kosovës apo ndarje të ngadalshme përmes autonomisë së Asociacionit!