Lajme

Pas tërheqjes së Krasniqit, këta dy emra po përmenden si kandidatë të LVV-së për kryetar të Vushtrrisë

07/01/2021 14:59
nga:Gazeta Blic

Kardiologu i njohur, Artan Krasniqi, nga Vushtrria është tërhequr nga mundësia që ai të kandidojë në zgjedhjet e brendshme të Lëvizjes Vetëvendosje, për të qenë kandidat i kësaj partie për kryetar të Vushtrrisë, raporton Gazeta Blic.

Pas tërheqjes së Krasniqit, dy emrat që po përmenden si kandidatë për kryetar të Vushtrrisë, janë Sylejman Meholli ose Nasuf Aliu.

Gazeta Blic merr vesh se të dy këta do të hyjnë në garë të brendshme të Lëvizjes Vetëvendosje, për të qenë kandidat për kryetar të Vushtrrisë.

Gara e brendshme është zyrtarizuar që nga dita e sotme e deri më 3 korrik.

Sylejman Meholli

Nasuf Aliu

Postimi i plotë nga Artan Krasniqi:

Pasi ishte përfolur emri im si kandidat i mundshëm nga Lëvizja

VETËVENDOSJE! për kryetar të komunës së Vushtrrisë, ditë më herët pata bërë një postim ku sqarova se nëse do futem në garë do të respektoj statutin dhe organet e Lëvizjes. Përkundër përkrahjes së madhe në përgjithësi, pati edhe reagime brenda organizatës në Vushtrri, që qartazi bëjnë të kuptohet se nuk ka nje dakordancë për këtë. Arsyetimi i disa të pakënaqurve lidhej kryesisht me gjoja mosangazhimin tim në vitet e fundit (sic!). Unë asnjëherë s’kam qenë i gatshëm të “shtyhem me bërryla” brenda organizatës; le të merret kjo si të dojë.

Kam investuar mbi dy dekada shkollim deri ne profesionin tim, me tepër mund, dhe gatishmëria ime për ta ndërprerë angazhimin profesional qoftë edhe përkohesisht për shkak të kontributit për Lëvizjen mendoj se do duhej të shihej si sakrificë.

Në këto rrethana, duke i falënderuar nga zemra të gjithe aktivistët, shokët e qytetarët që kanë mirëpritur e inkurajuar kandidimin tim potencial, njoftoj se unë nuk do të jem kandidat. Sidoqoftë shpresoj që kandidati i levizjes kushdo qoftë të krijojë frymë bashkimi, bashkëpunimi e harmonie, e jo të kundërtën, dhe kështu gara në Vushtrri do të fitohet pa balotazh. Suksese!

Artan Krasniqi nga LVV: S’do të kandidoj për kryetar të Vushtrrisë, s’ “shtyhem me bërryla” brenda organizatës