Lajme

Pas përplasjeve me Jakup Krasniqin e Bilall Sherifin, Zeka thotë se dorëheqje jep vetëm nëse i kërkon ky person!

11/06/2018 16:50
nga:A. R.

Deputeti Milaim Zeka, nuk është duke e menduar largimin nga Nisma, pavarësisht konflikteve verbale të cilat i ka pasur me Kryetarin e Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqin dhe shefin e grupit parlamentar të kësaj partie, Bilall Sherifin.

Zeka në një deklaratë të dhënë për ‘Gazeta Blic’, tha se ai nuk ka asnjë arsye që të jap dorëheqje. Dhe që një veprim të tillë ai do ta bëjë vetëm nëse i kërkon Fatmir Limaj.

“Unë s’kam asnjë arsye me dhanë dorëheqje, unë s’jam anëtar i Nismës, kam hyrë si deputet i Nismës në Kuvendit e Kosovës dhe ndihem shumë mirë. Unë jap dorëheqje në momentin kur Fatmir Limaj më thotë që më nuk ka nevojë për mua në Nismën Socialdemokrate”, tha Zeka për ‘Gazeta Blic’.

Zeka theksoi se me kryetarin e Nismës, Fatmir Limajn,  ka raporte shumë të mira.  Ai shtoi se përveç Bilall Sherifit, ai  ka raporte të mira me të gjithë deputetët.

“Me Fatmir Limaj kam relacione shumë të mira, unë kam raporte të mira me të. Unë kam relacione të mira me të gjithë deputetët, përveç Bilall Sherifit, sepse ai nuk ka asnjë relacion të mirë me asnjë deputet të Nismës”, thotë Zeka.

Kurse, gjatë ditës së djeshme, Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, përmes një shkrimi të publikuar në llogarinë e tij në ‘Facebook’, u ka kërkuar falje të gjithëve, për gjuhen të cilën e përdor Milaim Zeka në Kuvendi.  Ai ka shtuar më tej se është i penduar se ka pranuar që Zeka të garojë në  Listën e Nismës për deputet i Kuvendit të Kosovës.

Më poshtë e gjeni edhe shkrimin e plotë të Jakup Krasniqit:

SQARIM: PËR LUFTËN E LAVDISHME TË UÇK-SË

Krejt çka kam pasur të them për luftën e kam thënë në mija faqe të botuara, e kam thënë edhe në Dëshminë në Hagë në rastin Limaj dhe Haradinaj. Opinioni që donë e dinë, i dinë qëndrimet e mija. Gjithçka ishte publike.Për luftën, për as një ngjarje të saj nuk e kam autorizuar as një njeri të vetëm që të flas në emrin tim. Pra nuk e kam autorizuar as gazetarin Milaim Zeka.

E them me bindje, për asgjë që kam bërë në jetën time politike nuk pendohem. Nuk pendohen se çdo veprim timin politik e kam bërë për kombin e vendin tim. As një veprim, në asnjë kohë nuk e kam bërë kundër ndonjë individi.Kurrë nuk kam qenë, në as do të jam në shërbim të asnjë njeriu, cilido që të ketë qenë fuqia e tij politike, e sidomos jo pas vitit 1991 e këndej, krejt deri me sot.

Nëse gjatë këtyre viteve pendohem për ndonjë veprim timin është: Pranimi i Milaim Zekës që të garoi në Listën e Nismës për deputet i Kuvendit të Kosovës.Për ketë gabim timin, qytetarëve të Kosovës, burrave e grave U KËRKOJ FALJE! U kërkoj falje për gjuhën që ai përdor në Kuvendin e Kosovës dhe e cila gjuhë e degraduar hynë në çdo familje shqiptare.Sinqerisht, qytetarëve të Kosovës, familjeve shqiptare u kërkoj falje prej më të sinqertave!./GazetaBlic./

 

04/28/2019 15:03

Hoti: Ministri i Jashtëm duhet të dorëhiqet nëse ndjehet përgjegjës për dështimet