Lajme

Pas PDK-së edhe Nisma kundër projektit më të madh të Qeverisë Haradinaj: Autostrada e Dukagjinit na ndan me AAK-në

07/16/2019 00:22
nga:Gazeta Blic

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Zafir Berisha ka thënë se autostrada e Dukagjinit mund të jetë pikë e cila e ndan partinë e tij me AAK-në.

Berisha ka thënë se ideja e ndërtimit të autostradës e cila po proklamohet, është e gabuar.

Ai thotë se duhet të jetë një autostradë e tipit të hapur, pasi që thekson se shumë biznese janë në atë rrugë dhe me lëvizjen e trasesë shumë prej tyre do të falimentojnë. Ai ka thënë se tipin e mbyllur të autostradës do ta kundërshtojnë edhe në Kuvend.

“Ky është projekt që kushton mbi 1 miliard euro dhe si i tillë duhet të analizohet”, thotë ai.

Ai ka thënë se autostrada mund të jetë pikë kyçe e cila i ndan me AAK-në.

“Edhe me u rreziku Qeveria nuk bëhet nami, me rëndësi është të shpëtohet shteti. Ne duhet të mendojmë për qytetarët. Kemi prioritete të tjera për të cilat mendoj që edhe kryeministri edhe të gjithë e dinë”, thotë ai.

Ai thotë se Qeveria nuk duhet të ngulë këmbë për të ndërtuar një autostradë e cila, sipas tij, nuk është edhe aq e nevojshme.

Sipas tij, brenda koalicionit nuk është diskutuar asnjëherë për zgjedhjet e parakohshme.

Ai në emisionin “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se koalicioni është i qëndrueshëm, ani pse thotë se ka papajtueshmëri për tema të caktuara.

Berisha thekson se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për dialogun, kryeministri duhet të jetë më i qartë për opinionin. Sipas tij tani është koha e fundit që të përafrohen qëndrimet.

“Limaj ka qenë në krye të një delegacioni i cili ka kaluar përmes Kuvendit dhe me një platformë e cila është debatuar. Kosova është mbi të gjitha, mbi partitë politike dhe këto teket individuale duhet të hiqen”, ka thënë ai derisa ka shtuar se opozitarizmi nuk do të thotë që duhet të dëmtohet kauza e shtetit.

Berisha ka thënë se Limaj, Haradinaj e Veseli janë takuar, derisa ka shtuar se kryeministri duhet t’i marr më seriozisht gjërat e politikës së jashtme.

“Kosova është vend parlamentar, rregullimin e brendshëm kushtetues e kemi të tillë. E gjithë jeta politike zhvillohet me Qeverinë dhe kryeministri nuk mund t’i ikë obligimeve të tij kushtetuese”, thotë ai.

Duke folur për rrëzimin e Qeverisë, ai ka thënë se mazhoranca duhet me seriozitet të trajtojë funksionimin e Kuvendit, pasi që sipas tij, shumë ligje kanë mbetur të bllokuara.

“Është koha edhe mazhoranca të mendojë që a shkon kështu, sepse nuk është duke funksionuar as Kuvendi. Nuk ka qenë asnjëherë kështu. Mazhoranca duhet me seriozitet me diskutu funksionimin e Kuvendit e pastaj edhe të Qeverisë. Ne jemi dëshmitarë se shumë procese e ligje janë të bllokuar në Kuvend”, thotë ai.

Duke komentuar deklaratën e deputetit Muharrem Nitaj, i cili pati thënë se Limaj do të kthehet në PDK, ai ka thënë se një gjë e tillë nuk qëndron, pasi që sipas tij Nisma ka krijuar programin dhe rrugën e saj politike.

Ndërkaq për punësimet partiake, ai ka thënë se nëse kandidatët plotësojnë kushtet, nuk ka arsye që të mos punësohen.