Lajme

Pas njëzetë vitesh, Kolonel Ahmet Krasniqi, heroikisht arriti në Prishtinë!

09/21/2018 15:00
nga:Hafiz Gagica

Shkruan: Hafiz Gagica

Miku im i shtrenjtë, kol. Ahmet Krasniqi, ardhja jote sot në Prishtinë është nderim për Kosovën, është dhimbje dhe krenari për familjen tënde, për neve dhe kombin shqiptar.

Ata qe të vranë, kolonel i dashur Ahmet, donin ta vrisnin lirinë tonë dhe bashkimin kombëtar, synim e kishin shuarjen e rezistencës tonë luftarake, donin ta pengonin luftën çlirimtare, donin të na përçanin dhe ta dobësonin faktorin politik dhe ushtarak shqiptar!

Si njeri i mençur që ishe, ti me kohë e ndjeve rrezikun e hileve që Kosovës i bëheshin pas shpine, andaj nuk hezitove për asnjë çast duke u vu në ballë të detyrave shumë të rënda, sepse ashtu të frymëzonte zëri i atdheut, të cilin ti që nga rinia jote doje ta shihje, sa më parë, të çliruar. Të ishe në krye të shtabit të ushtarakëve profesionist, që nuk ishte detyrë e lehtë, mbase përballë synimeve dhe planeve tua për luftën çlirimtare, kishe njerëz që nuk ia donin të mirën Kosovës, të cilët nuk e kishin synim lirinë dhe pavarësinë e saj, por djallëzinë dhe karrierën e tyre personale, gjë të cilën ti e dije më mirë se askush tjetër!

Ti, me guxim dhe vendosmërinë tënde të pashoqe, i more mbi vete detyrat më të rënda në kohën më vendimtare për unifikimin e faktorit ushtarak për t’u bërë krah dhe mburojë e fortë e popullit shqiptar i cili gjendej para zhbërjes së tij fizike. Popullit, i cili çdo ditë po, masakrohej dhe dhunohej mizorisht para syve të krejtë botës!

Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila po luftonte kundër forcave kriminale të armikut, ajo kishte nevojë për vizionin dhe komandën tënde ushtarake, ajo kërkonte mobilizim gjithë popullor, luftë profesionale, bashkim të mendjes dhe strategjisë së veprimit në frontin e luftës. Ndërsa, i gjithë ai mobilizim dhe angazhim u goditë rëndë me vrasjen tënde në mes të Tiranës, në ditët dhe çastet më të vështira për Kosovën, por edhe para kthesave më të rëndësishme në prag të agut dhe një epoke të re për shqiptarët!

Ti, Ahmet, bashkë me bashkëpunëtorët dhe ushtarakët eminent (me përvojë luftarake nga luftërat në Slloveni, Bosnjë dhe Kroaci), e di se ishit duke përgatitur ofensivë të madhe ushtarake kundër forcave kriminale të Serbisë. Andaj edhe të vranë në terrin e muzgut të asaj mbrëmjeje trishtuese. Kolonel i dashur Ahmet, sepse e dinin mirë se po i priste një humbje e madhe në fushën e betejës dhe luftimeve. Por, siç treguan rezultatet e luftës tonë për liri dhe pavarësi, ata u gabuan rënd në llogaritë e tyre antishqiptare. Megjithatë shqiptarët u bënë bashkë, luftuan, rezistuan dhe me ndihmën e Aleancës më të fuqishme ushtarake Veri-atlantike, arritën ta mposhtin armikun si dhe ta dëbojnë të turpëruar nga Kosova, të cilën ti e deshe më shumë se jetën!

Tani, pusho dhe prehu i qetë në Breg të Diellit, në përjetësi dhe histori, ngase aty do të lëshon rreze mbi lapidarin tënd, dielli i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, për të cilën u flijove! Uroj që një ditë jo shumë të largët drejtësia do të triumfojë mbi dhunën dhe ata të cilët të vranë ta marrin dënimin e merituar!

Kol. Ahmet, kemi edhe shumëçka të themi për ty dhe veprën tënde, madje të kemi mbetur shumë borxh, me shpresën se një ditë do t’i kryejmë të gjitha obligimet që kemi ndaj teje.
Të qoftë lavdi e përjetshme miku im, kol. Ahmet Krasniqi !
Pusho i qetë në tokën e Kosovës martire !

Hafiz Gagica