Lajme

Pas linjës ajrore, Grenell thotë se prioritet i presidentit Trump është trafiku hekurudhor Kosovë-Serbi

01/26/2020 18:42
nga:B. D

I dërguari Special i presidentit amerikan, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka treguar prioritetin kryesor të presidentit të Amerikës.

I dërguari Special i presidentit amerikan, Donalld Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, pas vizitës që kishte në Prishtinë dhe Beograd, ka thënë se prioriteti kryesor i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është rikthimi i linjës hekurudhore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Associated Press”, Grenell ka thënë se presidenti amerikan, Trump, është i përkushtuar që të rikthej linjën hekurudhore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se sipas tij, rikthimi i kësaj linje është shumë i rëndësishëm për të dy vendet, transmeton lajmi.net.

Grenell i cili është edhe ambasador i Amerikës në Gjermani, ka thënë se rikthimi i linjës hekurudhore ka ardhur si ide menjëherë pas arritjes së marrëveshjes për linjën ajrore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, linjë kjo e cila do të rikthehet pas 21 vitesh.

“Vizioni i Presidentit Trump po ndodh. Komuniteti i biznesit dhe përqendrimi në krijimin e vendeve të punës janë në pararojë”, ka thënë Grenell në një deklaratë për “AP”, transmeton më tutje lajmi.net..

Sipas “AP”-së, Grenell ka theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dëshirojnë që Kosova dhe Serbia të përqendrohen në ekonomi, punë dhe prosperitet si një mënyrë për të normalizuar marrëdhëniet.

Grenell po ashtu edhe një herë u ka bërë thirrje Kosovës që të heq taksën e vendosur ndaj mallrave serbe prej më shumë se një vit.

Theksojmë se për shkak të taksës prej 100 për qind të vendosur nga Qeveria e Kosovës për të gjitha mallrat me origjinë serbe dhe boshnjake, që nga nëntori i vitit 2018, Kosova dhe Serbia asnjë herë nuk janë ulur në tavolinën e bisedimeve, kjo për shkak se Serbia po këmbëngul në heqjen e taksës, kurse Kosova në mbajtjen e saj por, edhe në ndaljen e propagandës së Beogradit zyrtar kundër pavarësisë së Kosovës.

Heqjen e taksës dhe ndaljen e propagandës së Serbisë kundër Kosovës, e ka kërkuar edhe i dërguari Special i presidentit amerikan, Donalld Trump, Richard Grenell, gjatë vizitës së tij në Prishtinë e Beograd