Lajme

Partitë politike nuk e respektojnë Ligjin për Barazi Gjinore

09/11/2019 09:52
nga:Y I

Vazhdimisht bëhet thirrje për respektimin e kuotova gjinore në listat zgjedhore.

Por edhe në këto zgjedhje duket se nuk është respektuar Ligji për Barazi Gjinore që do të thotë se duhet të jetë përfaqësim i barabartë 50% gra dhe 50% burra.

Blerta Aliu nga KDI në një prononcim për Gazeta Blic ka theksuar se për kundër thirrjeve të vazhdueshme për përfaqësim të barabartë edhe në këto zgjedhje nuk ka ndodhur një gjë e tillë.

“KQZ ende nuk ka bërë publike listat e certifikuara dhe ende nuk i kemi të njohura përbërjen e listave për secilin subjekt politik. Por nga ana tjetër nga ajo qe kemi pa deri tani nga listat që i kanë bërë publike partitë politike, shumica e partive nuk e kanë përfshire sistemin 50 me 50 por pjesa me e madhe e tyre kanë aplikuar ketë kuotën prej 30 % që i obligon ligji për zgjedhjet e përgjithshme. Ligji për Barazi Gjinore parasheh që të jenë të përfaqësuara të dyja gjinitë në mënyrë të barabartë. Një element tjetër që ne e vërejmë gjatë fushatave zgjedhore janë edhe hapësirat që subjektet politike ju japin grave nëpër tubime elektorale apo delegimet tek mediat, zakonisht shumica e folësve janë burra. Gjate fushatës elektorale të 2017 as 20 % i folësve nuk kanë qenë gra, pra hapësira që u jepet grave është minimale” ka theksuar ajo.

Ndërsa Luljeta Aliu nga Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi ( INJECT) ka thënë për Gazeta Blic se këtë vit , lista e kandidatëve nga secila parti politike ka arritur të përfshijë 30% të grave, e cila edhe është kuota e kërkuar sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Aliu thekson se në Kosovë Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme nuk është i harmonizuar me Ligjin për Barazi Gjinore që kërkon përfaqësim të barabartë të te dy gjinive.

“Këtë vit, lista e kandidatëve nga secila parti politike ka arritur të përfshijë 30% të grave, e cila edhe është kuota e kërkuar sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Vlen të theksohet se Kushtetuta e Kosovës garanton qasje të barabartë për secilin qytetar, pa dallime. Mbi të gjitha, neni 22 i Kushtetutës parasheh aplikimin direkt dhe me prioritet të një numri të konventave ndërkombëtare, ndër to edhe Konventa për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit kundër Grave. Kjo nënkupton se sipas Kushtetutës duhet të synohet një përfshirje e barabartë mes gjinive, sikurse e kërkon edhe Ligji për Barazi Gjinore. Mirëpo, sikurse shumë çështje të tjera ligjore që mbesin të pa harmonizuara brenda kornizës ligjore në Kosovë, Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme nuk është i harmonizuar me Ligjin për Barazi Gjinore. Ligji për Barazi Gjinore në nenin 6 thekson se “përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe institucionet e tjera publike arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej 50% për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse”, deklaroi ajo.

Përfaqësimi përmes kuotës gjinore, edhe pse ka qenë një kërkesë e nevojshme, nuk ka sjellur ndryshimin e dëshiruar dhe të domosdoshëm shoqëror të pozitës së grave në shoqëri ka theksuar Aliu.

“Edhe në legjislaturën e kaluar gratë kanë qenë të përfaqësuara me 32% në parlament dhe me 35% në kuvende komunale. Ky përfaqësim nuk ka arritur që të ndikojë mjaftueshëm për të ndryshuar mbizotërimin e një mendësie patriarkale. Kjo është dëshmuar kur shihet numri i ulët i përfaqësimit të grave në pozitat tjera. Nga 38 kryetarë komunash, asnjë nuk ishte grua. Nga 21 ministra, vetëm dy ishin gra. Prej 31 ndërmarrjeve publike, të cilat gjithsejtë i kanë 159 anëtarë të bordeve, vetëm 15% janë gra”, shtoi ajo.

Ndryshe, bazuar në listat e kandidatëve për deputetë të të gjitha këtyre subjekteve politike, në garë për 120 ulëset në Kuvendin e Kosovës janë gjithsej 1070 kandidatë.

Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse, prej të cilave 20 janë të garantuara për komunitetet joshumicë, përkatësisht 10 për komunitetin serb dhe 10 të tjera për komunitetet joserbe.

/Gazeta Blic/