Lajme

Partitë në pushtet “tallen” me kërkesën e LDK-së për zgjedhje, e quajnë jo serioze!

05/15/2018 14:39
nga:Gazeta Blic
  • Koalicioni qeverisës kundërshton zgjedhjet e parakohshme parlamentare
  • Kërkesa për zgjedhje të reja, vlerësohet si jo serioze
  • Anëtarët e shoqërisë civile nuk presin diçka konkrete nga kjo situatë

Partitë në pushtet, po e kundërshtojnë edhe me tutje kërkesën e LDK-së për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Përfaqësues të PDK-së dhe AAK-së, madje nuk po e shohin as serioze kërkesën e kësaj partie opozitare për zgjedhje, me arsyetimin se i “kanë vetëm fjalë boshe”.

Nënkryetari i PDK-së, Xhavit Haliti duke e cilësuar si të pabazë kërkesën në fjalë të LDK-së, thotë fillmisht është dashur të bindin shumicën parlamentare për rrëzimin e qeverisë, pastaj të vazhdojnë me hapa të tjerë konkret. Megjithatë, ai është pesimist nëse LDK-ja mund të arrijë të sigurojë votat e deputetëve nga radhët e partive në pozitë, pasi që sipas tij, vendi nuk përfiton asgjë nga zgjedhjet e reja.

“Nuk e di në çka e kanë bazuar ata kërkesën për zgjedhje të reja. Për zgjedhje të reja, së pari duhet ta kenë shumicën në parplament që votojnë për rrëzimin e qeverisë, nëse nuk ka mocion dhe ka marrëveshje ndërmjet partive, atëherë duhet të ketë një koncensus të madh për zgjedhje të parakohshme. Por nëse ka politikan të përgjegjshëm në Kosovë, ose kryepolitikan, paraprakisht para se të bisedonin për këtë çështje, do duhej të analizionin se çfarë përfiton Kosova nëse mbahen zgjedhejt e reja. E kemi praktikën e se kaluares dhe e dimë se çfarë ka ndodhur. Prandaj unë jam, që pozita ta luajë rolin e vet dhe opozita rolin e saj, kontrollin e qeverisë dhe jo të flasin fjalë boshe sa për të pretenduar se mund të qeverisë dikush tejtër”, tha Haliti.

Xhavit Haliti, PDK

Duke e konsideruar si veprim naiv të LDK-së kërkesën për zgjedhje të reja, ky nënkryetar i PDK-së thotë se do duhej të dilnin me program qeverisës dhe me kandidatin për kryeministër, në atë mënyrë që kërkesa si e tillë të merrej me seriozitet, gjë të cilën sipas Halitit, ende nuk e kanë bërë.

“Në vendet serioze, kur kërkojnë ndryshimin e qeverisjes, dalin me program, dalin edhe me kryeministrin që do të emrojnë dhe me listën e deputetëve dhe nënshkrimet e tyre të cilët dëshirojnë rrëzimin e qeverisë dhe ndryshimin e saj.
Unë jam kundër fjalëve të lojërave. Janë dy rrugë, njëri për ta rrëzuar qeverinë dhe tjetri për gjetur një konsesus për të shkuar në zgjedhje. Për të dy këto varjante, nuk e shoh se do të ndryshojë diçka pozitivisht për vendin”, u shpreh ai.

Tutje, Haliti tha se nuk është në interes të partisë së tij që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

“Ne nuk jemi të interesuar të shkojmë në zgjedhje, dhe ne nuk po kërkojmë të shkojmë në zgjedhje. Ne do të votojmë kundër rrëzimit të qeverisë”, ka deklaruar Haliti.

Në anën tjetër, edhe nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi konsideron se kërkesa e LDK-së për zgjedhje të reja, është jo serioze, pasi që sipas tij në tryezat politike që janë mbajtur nuk janë treguar insistues që të ndodh një gjë e tillë.

“Me vet faktin që nuk ekziston një gatishmëri e partive politike që të ketë zgjedhje sipas deklaratave të tyre, qeveria është stabile, funksionon dhe normalisht që do ta kryej mandatin” tha Isufi.

Ahmet Isufi, AAK

Ai është shprehur i bindur se qeveria “Haradinaj” do ta dërgoj mandatin deri në fund, ani pse ka mungesë të shumicës për të marrë vendime.

Isufi ka thënë se një qeveri e mirë nuk varet nga numrat por nga logjika, duke shtuar se qeveria e kaluar me 87 vota nuk kishte suksese.

“Ne kemi pas qeveri që kanë pas edhe 87 vota po nuk ka funksionuar si duhet, andaj numrat janë numra ndërsa punët janë punë, ndërsa koalicioni funksionin në bazë të veprimeve dhe angazhimeve ne qeveri, andaj konsiderojmë se numrat nuk e bëjnë proceset por i bënë logjika e veprimit politik” është shprehur Isufi për “Gazeta Blic”.

Karshi, kërkesës së LDK-së vërejtje kanë edhe anëtarët e shoqërisë civile. Një gjë e tillë u bë e ditur ë tryezën e organizuar nga LDK-ja, një ditë më parë me temën “Sfidat e Kuvendit të Kosovës në realizimin e mandatit kushtetues”

Albert Krasniqi nga KDI tha se janë dy deputetë nga kjo parti, të cilët kanë më së shumti mungesa në seanca.

Kurse publicisti Adriatik Kelmendi, tha se është një situatë e çuditshme në Kuvendin e Kosovës, pasi nuk ka fuqi opozita të shkojë përpara me kërkesën për zgjedhje të parakohshme.

Ndërsa analisti Dastid Pallaska tha se Kuvendi apo mënyra e bërjes politikë, është pasojë e koalicioneve jo parimore.

Bazuar në gjendjen aktuale, Qeveria nuk e ka shumicën, por as opozita nuk i ka 61 votat e nevojshme për rrëzimin e Qeverisë, por zyrtarët e LDK-së thonë se do të provojë të sigurojë votat e nevojshme për rrëzimin e Qeverisë./Gazeta Blic/

01/23/2019 17:40

Demhasaj: Taksa do të hiqet ndaj Serbisë, ky do të jetë efekti i saj për vendin. Marrëveshja nga dialogu e çon vendin në zgjedhje!