Lajme

Parashikon Syla: Marrëveshja me Serbinë arrihet brenda 6 muajve – zgjedhjet mbahen në vjeshtë, kjo parti del fituese

01/24/2019 10:46
nga:Gazeta Blic

Qeveria e Kosovës nuk duket të ketë shumë opsione në tryezë, përballë presionit të SHBA-ve dhe BE-së, për heqjen e taksës ndaj Serbisë, në mënyrë që t’i hapë rrugë finalizimit të dialogut.

Njohësi i çështjeve politike, Valon Syla është i mendimit se ajo do të hiqet brenda pak ditësh, në të kundërtën, sipas tij, taksa mund të bëhet ‘mollë sherri’ për rrëzimin e qeverisë aktuale.

Ai shton se shfuqizimi i vendimit për taksë do ta dëmtojë Kosovën, pasi që thotë se vendi ka shpenzuar të gjithë “municionin diplomatik” para Serbisë me ketë vendim, i cili sipas tij, është marrë për t’i mbuluar dështimet dhe skandalet e Qeverisë Haradinaj.

Syla thekson se brenda 6 muajve, me ndërmjetësim të SHBA-ve, Kosova do të arrijë marrëveshje me shtetin serb, marrëveshje kjo që sipas tij, do të ishte valide për të gjitha organizatat ndërkombëtare që do ta pranojnë Kosovën si palë të barabartë sovrane dhe pa fusnota e pengesa të tjera, deri në një pranim në NATO dhe OKB.

Me arritjen e marrëveshjes mes dy shteteve, sipas analistit Syla do të krijohen kushtet për zgjedhje të parakohshme, të cilat ai beson se do të mbahen më së voni në vjeshtë të këtij viti.

Ai po ashtu ka dhënë edhe një prognozë lidhur me rezultatin zgjedhor, duke e renditur LDK-në si partinë e parë, PDK-në të dytën dhe VV-në të tretën për nga numri i votave. Por, zgjedhjet e parakohshme, sipas tij do të ndikojnë në përafrimin e pozicionimeve ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, për një koalicion të dytë qeverisës, së bashku me AAK-në dhe NISMA-në.

“Punët e mëdha nuk kryhen në Kosovë pa PDK-në dhe LDK-në, me doza edhe të komandantëve lokal për te eskivuar tregimin e muskujve. Në secilin variant pasi që marrëveshjes vendimtare po i vjen koha, pres afrim të pozicioneve PDK-LDK dhe pastaj të kombinuar me satelitë nga radhët e partive katërtsore që po i quaj, duke e hequr gjithmonë partinë e tretë VV e cila është anti gjithçka dhe esencialisht anti – amerikane dhe neokomuniste në esencë, që në asnjë variant nuk shihet partnere në një proces që sponsorizohet nga Amerikanët, e sidomos republikanët e atjeshëm,” – ka thënë Syla.

Në vazhdim mund ta lexoni intervistën e zhvilluar me njohësin e çështjeve politike, Valon Syla:

GazetaBlic: Presioni ndërkombëtar nga SHBA dhe BE siç duket ka nisur ta dobësoj qëndrimi e qeverisë për taksën ndaj Serbisë. Mendoni se do të dorëzohet qeveria e Kosovës?

Syla: Sigurisht. Heqja ose suspendimi i taksës 100% kundër prodhimeve serbe konsideroj se është vetëm çështje ditësh, para se të ndodhë. Tendenca e qeverisë për të negociuar me amerikanët, për suspendim 3 mujore është dëshpëruese. Amerikanët nuk negociojnë pas vënies së kushteve. Kushti i SHBA është që taksa të hiqet për mos t’i penguar bisedimet me Serbinë dhe këtë të hiqet pa kushte. Mos heqja e taksës do të sanksionojë Qeverinë dhe partitë e koalicionit qeveritar.

GazetaBlic: Nëse do të hiqet taksa, cili do të jetë efekti? Kush humb dhe kush fiton pas tërheqjes së këtij vendimi?

Syla: Kosova humb sepse e ka zbrazur municion diplomatik para Serbisë, duke goditur me taksën 100%, në të thatë. Tash, pa kurrfarë kushte, e sidomos për shkak të mos-koordinimit me sponsorët e bisedimeve në Bruksel dhe Uashingtonin zyrtar, kjo taksë do të hiqet, shpejtë pa kushte, pa përfitime, sepse është luajtur vetëm si kartë populliste me të. Është luajtur sepse fillimisht është vendosur pa planifikime, vetëm për t’i mbuluar dështimet dhe skandalet e Qeverisë Haradinaj, si ‘skandalet me Autostradë’ ku u shfarosën 53 milionë, skandalet me lista të veteranëve, liberalizimi i vizave, dhe dështimet e tjera diplomatike për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, lojë me rritje rrogash dhe mos menaxhim të sektorit publik, që po i hakmerret me greva. Pra, po humb Kosova, nga sjelljet e papërgjegjshme të Kryeministrit i cili nuk po mendon për ne, por vetëm për mbijetesën e vet politike.

GazetaBlic: Dialogu me Serbinë ka hyrë në fazën përmbyllëse, mendoni se do të këtë marrëveshje me Serbinë?

Syla: Edhe Uashingtoni dhe Brukseli presin që marrëveshja iniciale të kryhet në gjashtë mujorin e këtij viti. Këtë e ka konfirmuar kryediplomatja, Mogherini. Interesim dhe mbështetje të një marrëveshjeje madje ka treguar edhe Rusia. Brenda kësaj periudhe kohore, pra para qershorit 2019, pritet të ketë marrëveshje, në Bruksel, dhe festim dhe nënshkrim ceremonial në Uashington te presidenti, Trump kjo është agjenda e paraparë. Megjithëkëtë, protestat e opozitës në Serbi, si dhe protestat e Qeverisë Haradinaj me pengesa me tarifa 100% për ti ndaluar bisedimet, pavarësisht sa qëndrojnë ende, duken të jenë influenca minore dhe shumë të vogla, për t’i bërë ballë Uashingtonit, Brukselit dhe Moskës.

Valon Syla – Analist

 

GazetaBlic: Çfarë prisni të jetë marrëveshja mes dy shteteve?

Syla: Pres që marrëveshja mos të jetë vetëm ‘korrigjim i kufirit’ (Border Correction – në anglisht), por të jetë diçka më shumë si ‘definim i kufirit’ me Serbinë. E, cila nuk do të ngërthejë as propozimin maksimal të palës kosovare në krye me Presidentin Thaçi që është ‘korrigjimi i kufirit’, por as me propozimin maksimal të presidentit, Vuçiq që është ‘Razgranicenje’ (përkufizim).

Marrëveshja do të jetë diçka në mes. Kjo do të jetë një rivendosje e kufirit, jo në baza etnike ashtu siç e dënon BE dhe SHBA, Britania dhe vendet që ishin sponsorisuese të pavarësisë, por rivendosje dhe korrigjim kozmetik të kufirit për funksionalitet më praktik dhe të pranueshëm për Serbinë dhe Kosovën, e që do të prodhonte një ‘marrëveshje dypalëshe’, që do të ishte valide për të gjitha organizatat ndërkombëtare që do ta pranojnë Kosovën si palë të barabartë sovrane dhe pa fusnota e pengesa e ‘kajde’ të tjera, deri në një pranim në NATO dhe OKB. Sepse, për BE ka garancë më të mëdha duke e pasur parasysh që bisedimet po zhvillohen në kryeqytetin e NATO-s dhe BE-së në Bruksel.

GazetaBlic: Presidenti, Thaçi ka përmendur disa herë një “marrëveshje të dhimbshme” me shtetin serb, çka në të vërtetë fshihet pas saj? Ekziston mundësia e ndarjes së Kosovës?

Syla: ‘Ndarja e Kosovës’ është ide dhe projekt tendencioz serb me ngjyra fashiste, por në esencë edhe imagjinar dhe i paarritshëm ose i pamundshëm. Shpeshherë është përdorur si ofertë maksimale nga diplomacia serbe, por që historikisht ju është drejtuar vetëm Tiranës zyrtare gjatë historisë moderne edhe atë disa herë, por kurrë Prishtinës zyrtare.

Ndarja, e konceptit serb, është ide e vjetër me tipare fashiste që lidhet rreth ndarjes së territorit në bazë të origjinës së gjakut, dhe etnike. Ndarja është ide e rrezikshme. Por në Bruksel nuk po flitet për ndarje, por për një definim të kufirit. Lëvizja kozmetike, ose rivendosja kozmetike e kufirit për të prodhuar funksionalitet mund të ndodhë. Dhe kjo nuk nënkupton ndarje etnike, e as territoriale… por korrigjim i hartës që do të ishte e pranueshme për dy shtetet sovrane që po negociojnë në këtë proces. Mos harroni se garantues i territorit të Kosovës është vetëm NATO dhe misioni i KFOR-it në Kosovë. Nuk shoh se ka ndonjë forcë politike që do ta ndryshonte këtë fakt, përveç një marrëveshje e paqes midis dy vendeve që do ta kishte një pranueshmëri nga Prishtina, Uashingtoni dhe Brukseli e për serbët edhe Moska, për shkak të garancive që i kërkojnë.

GazetaBlic: Zgjedhjet vazhdojnë të shihen si opsion i duhur nga opozita. Vendi ka hyrë në një fazë të nxehtë të zhvillimeve, numri i grevistëve po rritet dita e ditës, ndërsa dje u kërkua nga kryeparlamentari, Veseli të bëhen zvogëlime pagash, të cilat vet i kanë kërkuar. A është një lojë kjo e PDK për ta çuar drejt shkarkimit këtë qeveri?

Syla: Nëse taksa 100% duhet të hiqet, sepse e pengon agjendën dhe dinamikën kohore të këtij 6 mujorit të parë të 2019, kur pritet të përfundojnë bisedimet me një marrëveshje zotimi, e njëjta do të ndodhte që edhe zgjedhjet do të ndalnin bisedimet dhe do të hynin në një proces të brendshëm që po shihet se Brukseli dhe Uashingtoni nuk janë të interesuar ta prishin. Pra, nuk besoj se do të ketë zgjedhje para muajit qershor.

LDK është ajo që i kërkon zgjedhjet, por që edhe ajo tashmë e ka kuptuar se vonohet agjenda dhe bisedimet, dhe mundësia e vetme për ta do të mbetet, një ‘ri-formatim i qeverisë’ ose vendosja e datës së zgjedhjeve si parakusht i mbështetjes së bisedimeve me vota në parlament, duke kërkuar së pari të jetë pjesë e qeverisë, pas zgjedhjeve që do të mbaheshin, pas Qershorit, ose më së largu në tetor/nëntor, kur edhe tradicionalisht mbahen zgjedhjet.

Kosova nuk ka kohë as të luajë me taksën e as me zgjedhjet. Dhe kjo është çështje ditësh kur do të bëhet e qartë publikisht. Kam biseduar me diplomatë të lartë në Prishtinë dhe më kanë thënë që pjesa e dytë e muajit shkurt pritet të jetë fillim më intensiv i bisedimeve, dikur pas festës së pavarësisë me 17 shkurt, pritet që prioritetet për bisedime të fokusohen dhe të harrohen aktivitetet e tjera që kanë për qëllim vokabularin popullist për konsum ditor politik. Zgjedhjet mund të ndodhin vetëm pas arritjes së një marrëveshje të nënshkruar… ose gjithçka do të dështojë dhe do të kemi fund tragjik, siç ka shkruar edhe në letrën e fundit të Trump.

GazetaBlic: Kur prisni të ndodh rrëzimi i saj dhe shkuarja në zgjidhje te reja?

Syla: Qeveria si ka numrat dhe faktikisht është e rrëzuar. Atë me frymëmarrje artificiale po e mban Kadri Veseli me PDK-në e tij dhe Dardan Molliqaj me PSD-në dhe këtë tashmë edhe të verbërit që se shohin, po e ndiejnë. Vetëm kryeneçësia e Haradinajt, mund ta rrëzojë atë nga Qeveria nëse ngujohet dhe e vë Kosovën në një pozicion Anti-Amerikan dhe Anti-Proceseve… Mos heqja e taksës e fërfëllon Haradinajn nga Qeveria, sepse ai vetë nuk e ka fuqinë ta mbajë asnjë vendim sepse vjen nga një parti e vogël apo katërtsore, dhe kjo do t’i detyronte të partnerët ta braktisin në lojën e tij populiste si super nacionalisti anti serb me 100% gjithçka në retorikën, apo vokabularin siç shprehet Z. Haradinaj.

GazetaBlic: Nëse shkohet në zgjedhje a prisni koalicione parazgjedhore, nëse po kush me kë mund të shkojë?

Syla: Punët e mëdha nuk kryhen në Kosovë pa PDK-në dhe LDK-në, me doza edhe të komandantëve lokal për të eskivuar tregimin e muskujve. Në secilin variant pasi që marrëveshjes vendimtare po i vjen koha, pres afrim të pozicioneve PDK-LDK dhe pastaj të kombinuar me satelitë nga radhët e partive katërsore që po i quaj, duke e hequr gjithmonë partinë e tretë VV e cila është anti gjithçka dhe esencialisht anti-amerikane dhe neo-komuniste në esencë, që në asnjë variant nuk shihet partnere në një proces që sponsorizohet nga Amerikanët, e sidomos republikanët e atjeshëm…

GazetaBlic: Cilën e shihni parti fituese në zgjedhje, LDK-në, VV-në apo PDK-në?

Syla: Unë i shoh të gjitha sondazhet e partive që i bëjnë për veti dhe nevoja për informim të brendshëm, që bëhen në baza 4 mujore e ndonjëherë edhe më pak. Por disponimi i partive me përqindje në sondazhin e fundit, LDK është partia e cila udhëheqë për ca nga PDK, dhe e treta është VV, që fatkeqësisht ende mbetet një elektorat i quar poshtë dhe jo konstruktiv në asnjë ngjarje madhore dhe të interesit kombëtar tash e sa vite. E, që pastaj e katërta vjen partia AAK, e cila ka shënuar rritje, sepse ka bërë dhe NISMA e barazuar mbi prag ku sillet edhe PSD. Kjo që po flas është disponimi i nëntorit të vitit të kaluar, e që për të mëgjithatë, nuk besoj se ka ndryshuar shumë, përveç që me lëvizjen e të voglave, besoj se ndryshon si sjelljet e PSD-së, si dhe punësimet e ‘vrazhda’ të NISMA-s, dhe populizmat, ndarja e tenderëve dhe intervenimet e ndarjes së parasë publike nga AAK.

| Gazeta Blic |

03/23/2019 11:39

Vetëvritet e mbijetuara 19-vjeçare e sulmit në Parkland të SHBA-së