Lajme

Parashikojnë analistët: Zgjedhjet e reja në maj ose në qershor

03/28/2019 21:01
nga:A. R.

Pas reagimit të Ambasadës së SHBA-së, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi mori vendim për dekretimin e anëtarëve të rinj të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ).

Dekretimi i anëtarëve të rinj u bë sot, ku u dekretuan nga dy anëtarë të LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Me këtë vendim, jashtë KQZ-së mbeten Nisma dhe PSD-ja, ndërsa PDK-ja dhe AAK-ja kanë marrë ftesë për nga një anëtar, përcjell “Bota sot”.

Për më shumë se një vit, KQZ ka qenë e bllokuar, duke mos u emëruar anëtarët e rinj të këtij institucioni.

Se a ka qenë politik bllokimi i KQZ-së për më shumë se një vit dhe a do të ketë zgjedhje në këtë vit në Kosovë, për “Bota sot”, kanë folur Faton Abdullahu, analist politik, Drita Millaku, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Ramush Tahiri, analist politik, Fadil Maloku, sociolog, dhe Blerim Burjani, analist politik.

Abdullahu: Ky shtet është i kapur

Ish-këshilltari i kryeministrit të Qeverisë së kaluar, Isa Mustafa dhe analisti politik, Faton Abdullahu thotë për “Bota sot” se, prolongimi i emërimit të anëtarëve të KQZ-së, gjetja e arsyetimeve të ndryshme gjithsesi janë të pajustifikueshme për këtë vonesë.

“Është përpjekje e Presidentit që të ndikojë shumë dhe drejtpërdrejt në atë se kur mund të mbahen zgjedhjet apo thënë ndryshe sa e si mund të shtyhen ato. Involvimi i Presidentit në këtë institucion flet për një shkelje të rëndë dhe involvim tipik të politikës aty ku posaçërisht nuk duhet”, ka thënë ai.

Tutje, Abdullahu shton se, reflektimi mbi këtë çështje vetëm pas intervenimit të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, tregon se sa i kapur është ky shtet dhe sa i vështirë është procesi i shkapjes dhe demokratizimit të tij.

Millaku: E dimë se zgjedhjet janë në 2019-tën

Drita Millaku, deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e VV-së thotë se, bllokimi i KQZ-së deri tani nga presidenti, Hashim Thaçi, është bërë për shkak të mohimit apo vjedhjen e dy mandateve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) që i takojnë në bazë të rezultateve të fundit në zgjedhje.

“Arsyeja tjetër është dobësimi i veprimtarisë dhe organizimit të aktiviteteve të opozitës e sidomos të VV-së, e cila është e varur nga fondi i quajtur për demokratizimin e partive i cili ndahet nga buxheti i shtetit dhe mos funksionalizimi i KQZ-së e pengon edhe ndarjen e këtyre mjeteve. Pavarësisht lojërave të Thaçit dhe të Ramushit të gjithë e dimë se zgjedhjet janë në 2019-ten”, ka thënë deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku.

Tahiri: Zgjedhjet në maj-qershor

Politologu Ramush Tahiri, thotë për “Bota sot”, se Presidenti i Republikës së Kosovës është duke e kryer detyrën e vet kushtetuese për të emëruar anëtarët e KQZ –së.

“E para Presidenti i Republikës së Kosovës është duke e kryer detyrën e vet kushtetuese për të emëruar anëtarët e KQZ -së , tash , me arsyetimin se janë sqaruar të gjitha çështjet procedurale dhe përmbajtësore për të cilat ka pasur dilema e që ka të bëjë me faktin se cila parti apo subjekt politik , parazgjedhor apo pas zgjedhor sa antarë ka për ti deleguar dhe zgjedhur në KQZ. Kështu mundësohet që së paku tredhjet asamblist komunal dhe një deputet të marrin mandatin”, ka thënë Tahiri.

“Unë mendoj se koalicionet parazgjedhore e kanë vendin dhe numrin në KQZ e jo grupet parlamentare pas zgjedhore, të cilat me më shumë se gjashtë deputet mund të krijohen edhe nga disa nga i njëjti subjekt politik. Mbetet që partitë politike të pajtohen me dekretimin e anëtareve të KQZ nga Presidenti dhe që të japin betimin”, shtoi ai tjera.

Tahiri konsideron se me kompletimin e KQZ -së vendi lirisht mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare brenda 45 ditësh nga dita e rrëzimit të Qeverisë Haradinaj me mocion votëbesimi nga 61 deputetë apo me vetë shpërndarje të Kuvendit me votim pro kësaj nga 80 deputetë.

“Presidenti Thaçi duhet të mbetet neutral në këtë çështje, ndërsa ish partia e tij PDK mund te del nga Qeveria, si partneri kryesor qeverisës ose mund të përkrahë mocionin e votëbesimit për Qeverinë në Kuvend. Duket se ngecja e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës e Serbisë në Bruksel dhe paralajmërimi i Presidentit serb Vuçiq se në vendin e tij do të shkohet në zgjedhje parlamentare në muajin qershor domosdo se edhe Kosovën e dërgon në zgjedhje të jashtëzakonshme në maj-qershor”, përfundoi politologu Ramush Tahiri.

Maloku: Ligji zgjedhor në shpërputhje me proceset aktuale

Kurse, sociologu, Fadil Maloku mendon se, është absurde të debatohet apo edhe të insistohet për zgjedhjet pa institucionin kompetent, sikurse është KQZ-ja.

“Padyshim që presioni i brendshëm nga ana e subjekteve politike, dhe ai i jashtëm nga ana e Ambasadës Amerikane, për neglizhimin e përzgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së, e ka bërë që Presidenca ta shpejtojë procedurën e emërimit të anëtareve të rinj”, thotë Maloku.

Maloku shton se, gjithë ky vakum i gjertanishëm ishte i qëllimshëm, edhe për një arsye të thjeshtë nga 11 anëtarë 6 janë shqiptarë, kurse 4 minoritarë (shih absurdin 40% përfaqësim!?), ku partitë që fitojnë më shumë vota në zgjedhje nacionale, sipas ligjit kanë të drejtën e përfaqësimit me dy anëtarë.

“Kjo nënkupton se fuqia e tyre në çdo vendimmarrje (sidomos në temat politike) në KQZ- dyfishohet! Shto kësaj edhe 4 vota minoritare, që shkojnë gjithnjë në anën e partive të mëdha, atëherë është e qartë që ndikimi u rritet këtyre subjekteve… Ndërkaq, sa i përket mesazhit të mundshëm nga ana e Thaçit, për rënien e qeverisë Haradinaj, mendoj që nuk qëndron shkaku se presidenti punën e dekretimit e ka obligim ligjor e kushtetues. Definitivisht mendoj që as Ligji aktual zgjedhor, e as përfaqësimi aktual nuk janë pasqyrë reale e zhvillimeve dhe proceseve nëpër të cilat po kalon Kosova”, ka përfunduar, profesori dhe sociologu Fadil Maloku.

Mesazhi është i qartë zgjedhje nuk ka tjetër

Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve juridike dhe politike Blerim Burjani thotë se, shteti po shkon drejt zgjedhjeve, meqenëse ky ka dështuar plotësisht.

“Po shteti edhe ashtu po shkon kah zgjedhjet, meqenëse ky koalicion dështojë plotësisht pasi është zhytur në nepotizëm, korrupsion dhe probleme të shumta qeverisëse. Pra dështim të plotë ka nga të shikosh në cilin do segment. Po ashtu, ka pasur ide që të riformulohet qeverisja por edhe ky opsion ka dështuar, sepse po ti jepej qeverisja LDK-së do të ekzistonte një rrugë e shmangies nga zgjedhjet e jashtëzakonshme. Por siç duket ky ishte problem i madh për këtë klasë politike, andaj zgjedhjet duken të jenë opsion real tashmë dhe më së largu zgjedhjet duhet të ndodhin në vjeshtë ”, ka thënë Burjani.

Burjani shton se, zgjidhja e vetme janë zgjedhjet.

“Mesazhi është i qartë zgjedhje nuk ka tjetër, shmangia nga konflikti i brendshëm dhe hajnia e madhe në PAN nuk durohet nga asnjë aspekt , mungesa e funksionimit të ligjit dhe rendit”, përfundoi analisti politik, Blerim Burjani.

Ndërkaq, ditë më parë u mbajt një seancë e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës për bllokimin e KQZ-së, seancë kjo e cila u mbyllë pa ndonjë rezultat.

05/24/2019 23:50

Haradinaj takon bizneset e diasporës