Të martën e 2 majit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq do të mbajnë takimin e radhës në Bruksel.
Sipas të dërguarit të BE-së për dialog, Miraslav Lajçak, në këtë takim do të prezantohet draft statuti i Asociacionit.
Lidhur me takimin, analisti Arbnor Sadiku, thotë për Gazeta Blic se takimi do të jetë shumë i vështirë dhe i rëndë.
“Vlen të ceket se takimi i 2 majit do të jetë shumë i vështirë, shumë i rëndë sepse për kontekstin politik që po flasim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dihet fare mirë sesi është ne pozicione që janë diametrisht të kundërta dhe ndërkohë kanë ndodhur shumë ngjarje të rëndësishme sikurse aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, dhe votimi kundër i Serbisë në kundërshtim me marrëveshjen e Ohrit, që me siguri do të kenë ndikimin e vetë edhe në atmosferën e atij takimi”, thotë ai.
Por, Sadiku vlerëson se do të kemi hapa konstruktiv përpara.
“Por, ajo që është më me rëndësi, me siguri do të kemi hapa konstruktiv përpara sepse nuk mendoj që as bashkësia ndërkombëtare po as Kosova e Serbia nuk do të lejojnë të humbet aq lehtë progresi i arritur në Ohër”, thekson analisti për Gazeta Blic.
Sipas tij, muajt në vazhdim do të jenë vendimtarë përfundimin e shtetndërtimit ndërkombëtar të Kosovës, ku ai thotë se tani po vendoset autonomia lokale me elemente të autonomisë territoriale për komunitetin serb të Kosovës.
“Para së gjithash duhet cekur se në muajt në vijim do të jenë muajt vendimtarë për përfundimin e shtetndërtimit ndërkombëtar të Kosovës, i cili pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008 po përfundon tash me vendosjen e autonomisë lokale me elemente të autonomisë territoriale për komunitetin serb të Kosovës nën Qeverinë Kurti, që në opozitë ishte totalisht kundër autonomisë së serbëve në Kosovë, por, tani ka ndryshuar qëndrim me ardhjen e tyre në pushtet”, deklaron Arbnor Sadiku.
Ndërsa, profesori Muhamet Kelmendi thotë se Kosova gjendet para një prove të rëndë, ku Kurti u paraqit se nuk e di kush e ka përpiluar statutin e Asociacionit e më pas u zbulua komisioni për hartimin e tij, e cila është nga partia e Vuçiqit.
“Republika e Kosovës gjendet para një prove të rëndë! Në skenën politike të Kosovës, u paraqit nga KM i Kosovës, z.Kurti, informacioni se, “statutin e Asociacionit nuk e di kush e përpilon dhe se atij nuk iu ka lejuar të përpilojë të njëjtën”. Ky informacion u zgjerua dhe doli në shesh komisioni për hartimin e Statutit për Asociacion. U pa se komisioni përbëhet kryesisht nga serbët që i takojnë pushtetit aktual në Serbi. Kryesuese e komisionit qenka Daniela Vujovic e partisë së kriminelit të luftës, Vuçiq”, thotë ai.
Sipas Kelmendit, ë thuhet se nuk u lejuan ta përpilojnë draft statutin e Asociacionit pak ditë para takimit në Bruksel është papërgjegjësi e qeverisë dhe se është shkelje e Kushtetutës së Kosovës.
“E dhëna se “Kosovës nuk iu lejua si shtet të përpilojë Statutin e Asociacionit” është papërgjegjësi totale e Qeverisë së Kosovës. Të thuhet, “nuk u lejuam të përpilojmë Statutin”, tash disa ditë para takimit me 2 maj në Bruksel, në mes z. Kurtit dhe kriminelit të luftës, Vuçiqit, ku pjesë e agjendës është edhe prezantimi i draftit të Statutit për Asociacion, është jo vetëm papërgjegjësi politike e Qeverisë Kurti, por edhe një veprim fëmijëror i Kurtit në dialog. Padituri totale!!?? Apo! Ky veprim përmban shkelje flagrante të Kushtetutës së Kosovës. Ekipi është dashur të jetë i Qeverisë së Kosovës, e jo që në ekip për Statut të jenë anëtarët e partisë së kriminelit të luftës, Vuçiq; nga një shtet tjetër, për shtetin e Kosovës”, vlerëson Muhamet Kelmendi për Gazeta Blic.
Ai pyet se çka bëri Kurti në takimet në Bruksel dhe Ohër, a shkoi atje për fitore të Pirros apo për ta mbrojtur shtetin e Kosovës.
“Pyetja paraqitet: Çfarë bëri z.Kurti në Bruksel dhe në Ohër? Shkoi atje për të arritur “fitore të “Pirros”! Apo shkoi në dialogim për të mbrojtur shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës, që e la në baltë dhe e vendosi në “pazar”. Mos shkoi atje për të shprehur dokordësinë për Asociacion”, shprehet profesori.
Ai thotë se është tejet e rrezikshme mënyra se si statuti i Asociacionit që do të bëhet në Kosovë, të përgatitet nga dikush tjetër, teksa shton se me këtë ka mjaft bazë që Qeveria Kurti të largohet nga pushtet dhe po ashtu ka edhe përgjegjësi penale.
“Është tejet e rrezikshme forma e punës së bërë nga shteti serb për Asociacion në Kosovë. Ku është parë kjo në botë! Nuk ka fare bazë juridike, as kushtetuese, sikundër s’ka rast të njëjtë në botë, që dikush tjetër të hartojë draftin e Asociacionit që do të ndërtohet brenda shtetit tjetër, si në Republikën e Kosovës. Kjo është bazë për largim nga pushteti i Qeverisë Kurti. Madje është edhe bazë për përgjegjësi jo vetëm politike, por edhe penale”, vlerëson Kelmendi.
Sipas tij, me 2 maj do të shihet nëse do të vazhdohet pushteti i Qeverisë Kurti, ose nëse Kurti do të ikë me “bisht nën këmbë” dhe do të përcaktohet e ardhmja e Republikës së Kosovës, nëse do të jetë i copëtuar apo do të vazhdojë të jetë i pavarur dhe sovran.
“Me 2 maj do të vije një draft Statut i Asociacionit që ndërtohet në hapësirën territoriale të Kosovës nga Serbia. Dhe, këtej, do të kemi një draft Statut të shtetit të ri serb në Kosove. Ndërsa, dihet se ky Statut nuk guxon të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Nuk lejohet të ketë pushtet ekzekutiv dhe as të krijohet një pushtet i tretë. Këto janë faktet që do të tregojnë se ku gjendet z.Kurti! Me 2 maj bëhet vazhdimi i punës së Qeverisë ose ikja me “bisht nën këmbë” i z.Kurti nga Qeveria e Kosovës ose do të kemi fitore, në kuptimin politik. Në fushën juridike vendim ligjor. Statusi i Asociacionit përcakton gjithashtu edhe të ardhmen e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran apo i copëtuar dhe i ndarë. Republika është në rrezik”, deklaron Muhamet Kelmendi./Gazeta Blic/