Shtetet e Bashkuara thonë se janë duke përgatitur “përgjigje të fuqishme” për shkak të frikës së një pushtimi të Ukrainës nga Rusia, pasi presidentët Joe Biden e Vladimir Putin zhvilluan bisedime nga largësia të martën.
Përmes video-lidhjes, shefi i Shtëpisë së Bardhë shprehu shqetësim të thellë për grumbullimin e trupave ruse dhe kërcënoi me masa të fuqishme ekonomike e masa të tjera, tha Uashingtoni.
Në anën tjetër, presidenti rus e akuzoi Ukrainën për provokim dhe kërkoi garanci se NATO-ja nuk do të zgjerohet më tej në lindje dhe nuk do të dërgojë armë afër Rusisë, shkruan BBC.Pamjet nga fillimi i bisedës mes dy presidentëve shfaqën përshëndetje miqësore, por diskutimet më pas u zhvilluan prapa dyerve të mbyllura dhe zgjatën rreth dy orë.
Pas samitit virtual mes dy presidentëve, këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, u tha gazetarëve se Uashingtoni është duke përgatitur përgjigje të fuqishme specifike në javët e ardhshme, nëse ato kërkohen.“Gjërat që nuk i kemi bërë në vitin 2014 jemi të përgatitur që t’i bëjmë tani”, tha ai, duke iu referuar reagimeve të Perëndimit ndaj aneksimit të Krimesë së Ukrainës nga Rusia.