Lajme

Paralajmërimi i ekspertëve: Perëndimi po krijon një “inkubator” të ri terrorist

09/12/2019 00:42
nga:Gazeta Blic

Tetëmbëdhjetë vjet pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, zyrtarët e luftës kundër-terrorizmit paralajmërojnë se koalicioni po ndihmon që historia të përsëritet.

Një grup prej 13 ish-zyrtarësh, përfshirë dy ish-drejtorë të Qendrës Kombëtare amerikane Kundër-Terrorizmit, ish-drejtori i Operacioneve të Kundër-Terrorizmit në MI6-ën e Britanisë dhe ish-i dërguari amerikan i koalicionin që kishte në shënjestër grupin terrorist të Shtetit Islamik, publikuan të martën vonë një letër të hapur duke kërkuar nga vendet perëndimore që të ndalojnë injorimin e të arrestuarve në Siri dhe Irak.

“Ne kemi dëshmuar për ngritjen e dhunshme të al-Qaedës, grupit Taliban dhe ISIS-it”, shkruajnë ata. “Kemi studiuar kushtet që i kanë dhënë mundësinë këtyre grupeve dhe i kanë lejuar ata të rriten fuqishëm. Shohim se disa nga këto kushte kanë lindur sërish”, thuhet gjithashtu në letër.

Në veçanti, zyrtarët përqendrohen në kampin al-Hol në veri-lindje të Sirisë, ku ndodhen rreth 70 mijë njerëz të zhvendosur gjatë luftës së udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për shkatërrimin e kalifatit të vetëshpallur të ISIS-it.

Sipas të dhënave të përpiluara nga organizata “Human Rights Watch” rreth 11 mijë persona mendohet të jenë gra e fëmijë të lidhur me luftëtarë të dyshuar të ISIS-it.

Me gjithë kërkesat e përsëritura nga zyrtarët amerikanë, shumë vende evropiane nuk kanë treguar gatishmëri t’i marrin shumë prej tyre.

Ish-zyrtarët e kundër-terrorizmit dhe të sigurisë kombëtare e quajnë këtë një gabim.

“Ky qëndrim ‘i shmangies së përgjegjësisë’ do të krijojë rrezik edhe më të madh në të ardhmen”, shkruajnë ata. “Refuzimi i shtetësisë nga vendet e tyre do t’u forconte ndjenjën se janë në të vërtetë qytetarë të Shtetit Islamik, duke i përgatitur potencialisht për të formuar bazat e një ringjalljeje në të ardhmen”.