Lajme

Para disa javësh shkelën masat anti- Covid: Por, sot Albin Kurti kështu e arsyeton mbylljen

04/05/2021 21:13
nga:Gazeta Blic

Ani pse para disa javësh Albin Kurti, së bashku me politikanët tjerë shkelë masat anti-cocid, që ndikoi në rritjen enorme të rasteve të reja, ai sot po i arsyeton vendimet e Qeverisë së tij.

Kurti në një postim në Facebook thotë se ka qenë i detyruar të marrë masa kufizuese, raporton Gazeta Blic.

“ Që të ruajmë njëri-tjetrin, që të mbrojmë shëndetin tonë publik, që të kujdesemi edhe për personelin tonë shëndetësor i cili po kujdeset për shëndetin tonë, ju bëj thirrje që t’u përmbaheni masave që janë treguar efektive dhe tashmë janë bërë pjesë e përditshmërisë sonë: ruani distancën fizike, mbajeni maskën mbrojtëse e higjienën personale dhe ajrosini ambientet ku jetoni e punoni. Ndërkohë, po vazhdon vaksinimi dhe po angazhohemi që sa më shpejt të sigurojmë sa më shumë vaksina të reja”, ka shruar ai.

Shënimi i plotë:

Trendi i rritjes së numrit të të infektuarve me COVID-19 është bërë i frikshëm. Në bazë të analizës së situatës epidemiologjike me COVID-19 nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) në dy javët e fundit janë raportuar 11.577 raste pozitive, 150 raste fatale, ndërsa shkalla e fatalitetit të rastit (CFR) është 1.29%.

Në pranverën e vitit 2020 me dhjetëra qytetarë testoheshin deri sa njëri dilte pozitiv, kurse tash më shpesh se çdo i pesti po dalin pozitiv me virusin COVID-19.

IKShPK ka testuar me Real Time PCR 147 mostra pozitive me SARS CoV-2 për detektimin e varianteve të reja, si atij britanik, B.1.1.7, i cili është jo vetëm më përhapës por edhe më vdekjeprurës se variantet e mëparshme të virusit Corona. Këto mostra ishin pranuar nga të gjitha rajonet e Kosovës dhe të cilat kishin rezultuar pozitive në SARS-CoV-2 gjatë ditëve të fundit. Nga numri total i mostrave të testuara, 97.27% e tyre ishin me variantin britanik. Prandaj kjo situatë ku ky variant i rrezikshëm është më së shumti i përhapur, kërkon që të minimizohet edhe më shumë ekspozimi ndaj COVID-19 dhe të ngadalësohet edhe më urgjentisht përhapja e tij, në mënyrë që kapacitetet e shërbimit spitalor të jenë të përballueshme dhe të menaxhueshme.

Në këso situate alarmante jemi të detyruar të veprojmë.

Gjendja emergjente e shëndetit publik, na detyron që të kufizojmë lirinë e lëvizjes, lirinë e tubimit, e të drejtën e privatësisë, dhe lirinë e dhënies së shërbimeve dhe të administrimit të biznesit. Këto kufizime janë të bazuara në Ligjin Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19, dhe ashtu siç kanë konstatuar ekspertët shëndetësor nga IKShPK dhe OBSh, janë rreptësisht të nevojshme atëherë kur situata epidemiologjike është e rënduar.

Pas një analize dhe studimi dyjavor, Ministria e Shëndetësisë ka sjellë sot propozim vendimin për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, e të cilin e miratuam në mbledhje të Qeverisë. Aty në mbi 40 pika janë shpjeguar konkretisht masat ndërkaq në ditët në vijim Ministria e Shëndetësisë do t’i sqarojë e përshkruajë edhe më hollësisht ato.

Marrja e masave është bërë duke iu kushtuar rëndësi tri objektivave: minimizimit të ekspozimit ndaj COVID-19 dhe ngadalësimit të përhapjes së tij, ashtu që kapacitetet shëndetësore të shëndetit publik të mos përmbyten përtej limit të tyre; ruajtjes së shëndetit mendor dhe fizik të qytetarëve; dhe, për aq sa është e mundur, mbajtjes së aktivitetit ekonomik të hapur. 

Që të ruajmë njëri-tjetrin, që të mbrojmë shëndetin tonë publik, që të kujdesemi edhe për personelin tonë shëndetësor i cili po kujdeset për shëndetin tonë, ju bëj thirrje që t’u përmbaheni masave që janë treguar efektive dhe tashmë janë bërë pjesë e përditshmërisë sonë: ruani distancën fizike, mbajeni maskën mbrojtëse e higjienën personale dhe ajrosini ambientet ku jetoni e punoni. Ndërkohë, po vazhdon vaksinimi dhe po angazhohemi që sa më shpejt të sigurojmë sa më shumë vaksina të reja.