Vernon de Marco do të debutojë sot në Kampionatin Evropian për kombëtaren e Sllovakisë. Suksesi i 31-vjeçarit është edhe më i madh nëse e dini historinë e jetës së tij.
De Marco me familjen e tij la vendlindjen e tij Argjentinën dhe u zhvendos fillimisht në Austri, nga ku shkoi në Spanjë dhe filloi të luante futboll që fëmijë.
“Kam luajtur basketboll deri në moshën 12-vjeçare, por më pas vendosa të provoj futbollin… dhe nuk gabova”, thotë mbrojtësi sllovak, i cili mund të luajë në qendër të mbrojtjes.
Fillimi i futbollit nuk ishte aspak i lehtë.
“Kam jetuar në Mallorca dhe kam luajtur për ekipin amator Constancia në divizionin e katërt. Fitoja 225 euro në muaj, këto para nuk mjaftonin as për naftë. Më duhej të fitoja para, kështu që mora një punë të dytë si kamarier në një hotel në Mallorca”, kujton ai.
Pastaj gjithçka ndryshoi me një telefonatë.
“Ishte viti 2012 dhe e mbaj mend mirë sepse ishte thirrja që më ndryshoi jetën. Ishte ora 23, isha në kinema kur më ra telefoni dhe agjenti më ofroi të shkoja në Sllovaki dhe të luaja në divizionin e dytë të atij vendi. Për të qenë i sinqertë, kërkova hartën për të parë se ku ishte Sllovakia. E mendova, më në fund pranova dhe doli të ishte vendimi më i mirë që kam marrë ndonjëherë”, tha i kënaqur De Marco.
Zemplin Michalovce është skuadra që e transferoi këtë argjentinas. De Marco qëndroi në klub deri në vitin 2016, duke i ndihmuar ata të ngjiteshin në ligën më të mirë përpara se të transferohej në Slovan Bratislava. Në vitin 2017, pasoi një transferim në Poloni, dhe në vitin 2021, ky mbrojtës u kthye në Slovan dhe mori nënshtetësinë Sllovake, pas së cilës filloi të luante për kombëtaren e vendit.
/GazetaBlic Sport