Lajme

Pagoi mbi 200 euro për dy parfume falco, konsumatorit i del problem me qendrën tregtare “MiniMax” (Foto)

04/17/2018 09:38
nga:Gazeta Blic

Një qytetar po del se i ka humbur mbi 200 euro për shkak të papërgjegjësisë së menaxherëve të qendrës tregtare “MiniMax”, në Prishtinë.

Personi dje ka blerë dy parfume të shtrenjta, njw “Dior” dhe një “Coco Channel” me besimin se janë origjinale, por që në fakt doli krejt e kundërta.

A.S., (emër i njohur për redaksinë) ka treguar për Indeksonline se dje në “MiniMax” ka paguar për dy parfume të cilat ua kishte dëgjuar aromën në “tester”, por kur i kishte hapur në shtëpi, ato i kishin dalë me krejt aromë tjetër.

Dhe nuk mbaron me kaq. Konsumatori ka lajmëruar inspektorët, por ata nuk janë shfaqur në vendin e ngjarjes. Kjo ka bërë që as Policia e Kosovës të mos mundë të marrë përgjegjësi për rastin. Madje, në konflikt me menaxherin, A.S., ka thënë se i ka kërkuar që t`ia kthejë paratë dhe t`i marrë produktet, por menaxheri nuk ka pranuar në asnjë mënyrë.

Konsumatori ka shtuar se menaxheri edhe ka përdorur fjalë paksa kërcënuese.

“E kemi çu rastin në polici, por pa ardhë inspektorat, policia nuk merr asgjë në përgjegjësi. Inspektorat nuk erdhën. Edhe unë e pash të rastit, që meqë unë kam paguar 220 euro për dy parfuma, që janë prezantu për diçka tjetër e kam marrë diçka tjetër, e pash të udhës me e paraqit rastin që tjetër kush ta dijë. Menaxherat erdhën dhe u munduan sikur të më kërcënonin. Por unë jam konsumator i pakënaqur. Po tutem mos po kam problem më vonë … u thash se përderi sa më keni prezantuar diçka tjetër e më keni dhënë krejt diçka tjetër, kjo është mashtrim. Nuk jam i kënaqur me këtë produkt, por nuk e kthejnë. U thashë që të më kthejnë produktin por nuk u interesoi”, është shprehur A.S. për Indeksonline.

Sipas A.S., kjo qendër tregtare duhet të japë përgjegjësi meqë ia ka shitur atij ujin e destiluar për të cilin ka paguar mbi 200 euro.

“As nuk i interesojke menaxherit, më tha thirrma inspektorin le të më tregon se është falc. Por duhet me jep përgjegjësi, sepse produkti nuk është as 5 euro e as 10 euro, por 220 euro. Kam ble ujë të destiluar 220 euro”, ka thënë konsumatori. /Indeksonline/