Lajme

Pagë 420 euro për ata që do të angazhohen në Shqipëri për rindërtimin pas tërmetit

03/02/2020 15:17
nga:E Sh

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u shpreh sot se në kuadër të programit të rindërtimit vendi ka nevojë për krah pune të kualifikuar, ndërsa theksoi se “qeveria do të imponojë që kompanitë e ndërtimit të vendosin një pagë për të gjithë ata që do të përfshihen në procesin e rindërtimit të barabartë me pagën mesatare në Shqipëri, 420 euro”.

“Ne do të negociojmë me kompanitë dhe do të pranojmë të ulemi vetëm në ato raste që do të jetë e arsyetuar ulja. Nuk do të pranojmë që të paguajnë pagë minimale, paga do të jetë e imponuar nga qeveria rreth pagës mesatare që është sot në Republikën e Shqipërisë”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “kemi filluar të angazhojmë një grup prej 300 nxënësish të shkollave profesionale të viteve të 3-ta dhe të 4-ta, të lidhur me fushën e ndërtimit dhe po fillojmë trajnimet e tyre që t’i japim mundësi të përfshihen në punën për rindërtimin dhe të fitojnë një eksperiencë të drejtpërdrejtë në kantieret e ndërtimit. Ministri për Rindërtimin do të publikojë një thirrje të hapur për të gjithë ata që kanë njohuri në të gjitha proceset e ndërtimit dhe duan punë”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “sado absurde që të duket është fakt se një nga sfidat më të mëdha të këtij procesi është nevoja e madhe për punonjës”.

“Ky proces do të hapi shumë vende pune që kërkojnë punonjës me një kualifikim të caktuar në të gjitha proceset e ndërtimit. Jemi të përgatitur të kryejmë trajnime për të gjithë ata që kanë nevojë. Kemi nevojë për punë me krah të kualifikuar. Por falë ligjit që kemi kaluar në këtë parlament, ne do të hapim kufijtë edhe për punonjësit e huaj. Kanë qenë të hapur por kanë pasur procedura të tmerrshme burokratike, tani do t’i japim mundësi kompanive të kontraktojnë punonjës të huaj në rast se nuk plotësohen me punonjës vendas”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “kjo është një sfidë e madhe e gjithë rajonit dhe Europës Lindore, por në këtë sfidë ne kemi mundësinë e avantazhit me një procedurë të lehtësuar në 7 ditë për marrjen e punonjësve nga jashtë”.

Ndërkohë, Rama tha se “puna në shtet i është lënë perspektivës së studentëve ekselentë, apo atyre që vijnë nga eksperienca të suksesshme të tjera”.

“Shtigjet për të punuar në shtet falë partisë, krushqisë, xhepit do të shkojnë duke u ngushtuar deri në mbyllje të plot. Pas Paktit për Universitetin, punësimet në administratë e kanë fokusin te ekselentët. Vitin e shkuar janë punësuar me qindra, këtë vit së shpejti hapet thirrja e re dhe studentët ekselentë që vijnë për të trokitur në dyert e administratës, e kanë të hapur dhe do të konkurrojnë për vendet e punës”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “në procesin e rindërtimit duam që jo thjesht të riparojmë dëmet dhe të mbyllim plagët e tërmetit por të bëjmë një kapërcim të rëndësishëm për ekonominë e vendit”.

“Kemi të gjitha kushtet për ta synuar këtë. Kemi bazën solide të krijuar këto vite dhe hapësirën e rëndësishme të frymëmarrjes nga suksesi i jashtëzakonshëm i Konferencës së Donatorëve. Shumë shpejt do të paraqesim planin e ri ekonomik për vendin, duke synuar të adresojmë të gjitha potencialet e fjetura dhe ta kthejmë rindërtimin në gravitetin e një ‘bumi’ zhvillimi, me shumë më tepër investime dhe rritje të konsiderueshme të të ardhurave”, tha Rama/ATSH.

05/30/2020 22:45

Rregulla të reja në Shqipëri / Skuadrat lëvizin ndaras, kush i afrohet gjyqtarit, ndëshkohet