Lajme

Pafuqia e BE-së në dialogun Kosovë-Serbi

12/08/2021 14:50
nga:M K

Deklarata e shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell se Kosova duhet ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, shpërfaqë asimetrinë e pozicionit të Bashkimit Evropian në raport me Kosovën në kuadër të dialogut me Serbinë, si dhe është marrje përsipër e kompetencave joekzistuese, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë dhe Serbi, Agon Maliqi dhe Dushan Janjiq.

Në një konferencë të përbashkët për media me Borrellin në Bruksel më 7 dhjetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se janë 33 marrëveshje që janë arritur në Bruksel, por Beogradi insiston në zbatimin e vetëm njërës, atë të Asociacionit, por të cilën, siç tha ai, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka vlerësuar si marrëveshje jokushtetuese.

Por, Borrell, insistoi se kjo ishte njëra prej marrëveshjeve të arritura në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë dhe si e tillë duhet të respektohet, duke e vlerësuar marrëveshjen për Asociacionin si më të rëndësishmen. Ai theksoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e përjashton themelimin e Asociacionit.

“Kështu që, më vjen keq, por na duhet të kërkojmë zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, tha Borrell.

Themelimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë. Dy vjet më vonë, të dyja palët janë pajtuar edhe për parimet për themelimin e tij.

Asociacioni parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovica e Veriut, Kllokoti, Parteshi, Ranillugu, Graçanica, Zveçani, Zubin Potoku, Novobërda, Leposaviqi dhe Shtërpca. Asociacioni parashihet të ketë organe dhe strukturë organizative. Sipas marrëveshjes, Asociacioni është paraparë të ketë një kuvend si trup suprem, të përbërë nga përfaqësues të emëruar prej anëtarëve të zgjedhur nga kuvendet e komunave pjesëmarrëse. Sipas marrëveshjes, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të atyre komunave, në veçanti në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 23 dhjetor 2015 kishte marrë vendim që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të themelohet ashtu siç është paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit, të arritur në prill të vitit 2013, në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, Gjykata kishte konstatuar se parimet e përgjithshme të Asociacionit nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës. Në fakt, është e diskutueshme që Asociacioni nuk bazohet në multietnicitet, por bashkon komuna në të cilat një komunitet etnik është shumicë.

Maliqi: BE-ja me pozicion asimetrik dhe favorizues ndaj Serbisë
Njohësi i zhvillimeve politike, Agon Maliqi, redaktor dhe bashkëthemelues i blogut “Sbunker”, thotë për Radion Evropa e Lirë se BE-ja lë për të kuptuar se nuk e sheh faktin që marrëveshja për Asociacionin nuk do të mund të trajtohet si e shkëputur nga një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Ndërkaq, siç thotë ai, BE-ja nuk ka instrumente për ta detyruar arritjen e një marrëveshjeje të tillë, por edhe për zbatimin e marrëveshjeve të deritashme ekzistuese. Për më shumë, sipas tij, deklarata e Borrellit, shpërfaqë faktin se BE-ja po i bën presion palës më të dobët, në këtë rast Kosovës.

“Absolutisht, pozicioni i BE-së në këtë fazë është asimetrik dhe favorizues ndaj Serbisë, sepse në mungesë të instrumenteve detyruese – çfarëdo lloj instrumenti detyrues edhe ndaj Serbisë – dhe mungesës së çfarëdo lloj procesi integrues, presioni drejtohet drejt palës më të dobët. Pozicioni i BE-së është asimetrik edhe për faktin se pesë shtete nuk e njohin Kosovën dhe kjo po reflektohet edhe në orientimin në një kahe të presionit drejt Kosovës, në një kohë kur nuk ka kurrfarë kuptimi dhe kurrfarë procesi”, thekson Maliqi.

Ai shton se pozicioni i BE-së ka qenë i ditur. Megjithatë, sipas tij, kjo nuk e shfajëson Kosovën që nuk ka një strategji për ta përmbysur këtë asimetri, duke e futur në lojë SHBA-në. Por, Maliqi thotë se është e qartë që aktualisht nuk ka angazhim dhe agjendë të përbashkët të Kosovës dhe SHBA-së për ta ndryshuar këtë situatë.

Janjiq: Themelimi ose jo i Asociacionit, nuk është punë e Borrellit
Dushan Janjiq nga Forumi për marrëdhënie etnike në Beograd, thotë për Radion Evropa e Lirë se në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, roli i BE-së është mbështetës dhe lehtësues, por assesi imponues apo i një arbitri.

Sipas tij, që nga viti 2014, kur ndërmjetësuesi i parë BE-së në këtë dialog, Robert Cooper nuk e kishte më këtë rol, BE-ja e kishte shuar edhe Zyrën për zbatim të marrëveshjeve. Madje sipas tij, tashmë nuk ka as raportime, të cilat ndodhnin çdo gjashtë muaj ku mund të shiheshin faktet dhe argumentet lidhur përparimin ose vështirësitë e procesit.

Insistimin e Borrellit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Janjiq e sheh si përzierje në diçka që nuk i takon shefit të diplomacisë evropiane.

“Nuk është puna e tij që të vlerësojë se a është kërkesa e Beogradit e drejtë. Ai me siguri që nuk e di që grupi punues që duhet ta hartojë statutin (e Asociacionit), i cili grup përbëhet nga përfaqësuesit e katër komunave me shumicë serbe, kurrë nuk ia ka dorëzuar atë statut BE-së. Ky është një arsyetim i mirë për palën e Kosovës. Pra, ai (Borrell) është jokompetent për atë çështje, dhe në rregull, sepse nuk duhet të dijë gjithçka. Por, problemi është që ai që para tij e udhëheq dialogun (i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak) nuk e ‘ndriçon’ udhëheqësin e tij. Problemi i tyre është se ata nuk kanë pasqyrat e vërteta dhe as që iu intereson zhvillimi i dialogut”, thotë Janjiq.

Palët pa gatishmëri për dialog
Deri më tani, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar dy herë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Takimi i tyre i fundit u zhvillua më 19 korrik, por palët nuk arritën ndonjë rezultat konkret.

Që nga atëherë, një takim i Kurtit dhe Vuçiqit ishte bërë i pamundur për shkak të insistimit të palës serbe që të bisedohet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërkaq që këtë kushtëzim e kishte refuzuar pala e Kosovës.

Kryeministri Kurti, më 5 dhjetor, në një konferencë për media, tha se është diskutuar mundësia që në javën e dytë të dhjetorit të ketë një takim në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Më 6 dhjetor, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano bëri të ditur se në këtë moment nuk ka gatishmëri as të Prishtinës e as Beogradit që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog.

Presidenti serb Vuçiq, më 7 dhjetor deklaroi se Serbia dëshiron vazhdimin e dialogut me Kosovën, porse Prishtina është ajo e cila nuk do që dialogu të vazhdojë.

Po atë ditë, në Bruksel, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për punë të jashtme dhe siguri, Borrell tha se megjithatë nuk ka gatishmëri të palëve që të angazhohen në dialog.

“Viti ende nuk ka përfunduar dhe do të bëjmë gjithçka që të organizojmë këtë takim, nëse shohim se do të ketë gatishmëri. Por, nuk mund ta detyrojmë askënd”, tha Borrell.

BE-ja, “pa instrumente për shtyrjen përpara të dialogut”
Analisti Maliqi vlerëson se deklaratat e liderëve politikë në Kosovë dhe Serbi, por edhe të zyrtarëve të BE-së, tregojnë simptomat e ngecjes në vendnumërim të procesit të dialogut dhe mungesën e vullnetit politik për këtë proces.

Sipas tij, Serbia është në pritje të zgjedhjeve që do të mbahen vitin e ardhshëm, ndërkaq në Kosovë, elita e re politike e cila është në qeverisje, ka mbetur peng e deklaratave që ka dhënë në të kaluarën, përfshirë edhe për Asociacionin, për të cilin ka thënë se nuk do ta formojë.

“Asnjëra palë nuk e ka vullnetin, as Kosova e as Serbia, si dhe as instrumentet për ta shtyrë përpara procesin – në këtë rast, kjo vlen më shumë për BE-në. Prandaj, takimet që po mbahen janë më shumë njëfarë lloj adeti për ta ruajtur imazhin e një procesi, i cili, në fakt, ka vdekur klinikisht”, thotë Maliqi.

“Ndarja e veriut, në nëndijen e palëve në proces”
Çështja e marrëveshjes së Asociacionit, sipas Dushan Janjiqit, më shumë shërben si shkak për të shtyrë sa më shumë procesin e dialogut. Sipas tij, që nga viti 2018, në kohën kur dialogun e lehtësonte paraardhësja e Borrellit, Federica Mogherini, procesi kishte marrë tatëpjetën dhe vazhdon më tej në atë kurs të lëvizjes, për shkak të lojërave të politikës ditore.

Siç thotë ai, Asociacioni është një nga mekanizmat për mbrojtjen e komunitetit serb dhe një nga mekanizmat për rregullimin e statusit të kësaj pakice brenda Kosovës. Sipas Janjiqit, pala e Kosovës është barrikaduar pas kësaj teme, sepse dëshiron të sigurojë një status tjetër, pra, pranimin e Kosovës nga Serbia.

Janjiq thotë se insistimi i Serbisë vetëm në formimin e Asociacionit dhe jo edhe për zgjidhjen e çështjeve të tjera, ka prapavijë tjetër.

“Për shkak se edhe në nëndijen e ndërmjetësuesit, por edhe të Vuçiqit dhe Serbisë, ekziston ideja se veriu do të ndahet… Nën ‘rrogoz’, as njëra dhe as tjetra palë nuk besojnë në agjendën e normalizimit (të marrëdhënieve). Ata nuk guxojnë të thonë se nuk duan të shkojnë në Bruksel, ndërkaq që besojnë në ndonjë zgjidhje përfundimtare, çfarëdo qoftë ajo. Për Kurtin, kjo është te bashkimi me Shqipërinë, ndërkaq për Vuçiqin kjo është, siç thotë (ministri i Brendshëm, Alleksandar) Vulini, ‘marrëveshje e Serbisë dhe Shqipërisë për ta ndarë Kosovën’. Pra, deri këtu kemi arritur”, thotë Janjiq.

Roli i domosdoshëm i SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi
Të dy njohësit e zhvillimeve politike, Maliqi dhe Janjiq besojnë se vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të ndikojnë që procesi i dialogut të marrë kahe drejt gjetjes së zgjidhjes së kontestit Kosovë-Serbi.

Maliqi vlerëson se SHBA-ja ka mundësi që ta ringjallë procesin e dialogut. Por, sipas tij, mbetet problem mungesa e një agjende të përbashkët e SHBA-së dhe Qeverisë së Kosovës.

“Çelësi i zhbllokimit të dialogut, por edhe i kthimit të presionit drejt Beogradit, qëndron në marrëdhënien Prishtinë-Uashington, pa të cilën nuk do të ketë angazhim më serioz të SHBA-së”, thekson Maliqi.

Ndërkaq, Janjiq vlerëson se përderisa të ekzistojë formati aktual i dialogut në Bruksel, nuk do të ketë rezultate konkrete për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Ndryshimin (e formatit) nuk mund ta presim nga Borrelli dhe Lajçaku, për shkak të mekanizmave të harmonizimit në Bashkimin Evropian. Ndryshimin mund ta presim vetëm nga Uashingtoni, por vetëm në vitin e ardhshëm. Duket se për ta nuk është në rend të ditës për këtë vit”, thotë Janjiq.

Maliqi dhe Jajniqi vlerësojnë se deri në fund të këtij viti mund të ketë ndonjë takim të përfaqësuesve të nivelit të lartë politik të Kosovës dhe Serbisë, por pa ndonjë dobi. Deri pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi, në pranverën e vitit të ardhshëm, ata nuk presin që të ketë ndonjë lëvizje konkrete që do të shënonte përparim në procesin e dialogut.