Lajme

Pacolli del kundër kërkesës së QUINT-it: Jemi të gatshëm për dialog, por kushtet janë të qarta

08/13/2019 17:21
nga:L H

Edhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka komentuar deklaratën e përbashkët të shteteve të QUINT-it lidhur me rifillimin e dialogut Kosovë- Serbi, raporton Gazeta Blic.

Pacolli ka thënë se ne mirëpresim angazhimin e treguar nga të gjitha vendet e QUINT-it për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe rifillimit të bisedimeve mes dy vendeve.

“Politika e jashtme e Kosovës ka qenë gjithmonë e koordinuar dhe në përputhje me pozicionin e partnerëve tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë, Francen, Mbretërinë e Bashkuar dhe Italinë që nga fillimi i viteve ’90. Shtetësia jonë është e bazuar në orientimin tonë perëndimor dhe ne mirëpresim angazhimin e treguar nga të gjitha vendet e Quint së bashku për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar ai.

Ndër të tjera, Pacolli thotë se Kosova gjithmonë ka qëndruar e përkushtuar të vazhdojë dialogun, duke e hedhur fajin tek Serbia e cila, sipas tij, la karrigen e saj të zbrazët dhe provokoi incidente dhe agresion kundër Kosovës.

“Kosova gjithmonë ka qëndruar e përkushtuar të vazhdojë dialogun dhe ne kemi qenë të gatshëm të rifillojmë bisedimet, por ishte Serbia që la karrigen e saj të zbrazët dhe provokoi incidente dhe agresion kundër Kosovës vazhdimisht. Deklarata e Marko Gjuriqit sot dëshmon edhe një herë mungesën e vullnetit nga Serbia për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”, ka shkruar ai në Facebook.

Tutje, ai thotë se “Kosova ka luftuar për 2 vjet një betejë diplomatike të paparë me Beogradin që diplomacia e ndyrë Serbe ka synuar të minojë shtetësinë e Kosovës ndërkombëtarisht. Tarifa ka qenë instrumenti sovran i Kosovës të reagojë ndaj këtij agresioni të provokuar nga Beogradi, dhe sot Serbia ende nuk tregon vullnet për t’i dhënë fund asaj. Ne jemi gati si gjithmonë për dialog, por kushtet janë të qarta si dy shtete të pavarura dhe sovrane që synojnë njohje reciproke dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.”/Gazeta Blic

 

QUINT-i i bën thirrje Kosovës e Serbisë të rinisin bisedimet