Lajme

Pacolli: Bashkësia ndërkombëtare e vetëdijshme që Qeveria po vepron me ligjet e Kosovës

09/04/2024 23:49
nga:G C

Deputetja e Lëvizjes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli ka thënë se Qeveria Kurti po bashkëpunon me qytetarët në mënyrë që të iu ofron siguri dhe kushte sa më të mira.

Pacolli tha se Qeveria Kurti është munduar që të jetë sa më afër ndaj qytetarëve të pjesës veriore të Mitrovicës, me ç`rast kjo është përmes mbylljes së zyrave ilegale dhe hapjen e zyrave të cilat kryejnë shërbime dhe njihen prej shtetit të Kosovës.

Pacolli ka përmendur zyrat të cilat janë në pjesën veriore të vendit si Ministria e Bujqësisë, si dhe Ministria për kthim dhe minoritete.

“Ne thjeshtë po kryejmë punën me të cilën kemi fituar dhe po bashkëpunojmë me qytetarët në mënyrë që të iu ofrojmë siguri dhe kushte sa më të mira. Ne jemi munduar që të jemi afër edhe ndaj qytetarëve të pjesës veriorë të Mitrovicës dhe kjo është përmes mbylljes së zyrave ilegale të cilat nuk kryejnë shërbime për qytetarët dhe hapjen e zyrave të cilat kryejnë shërbime dhe njihen prej shtetit të Kosovës, pra zyra për patentë shoferë është në pjesën veriore të Mitrovicës, Ministria e Bujqësisë do të jetë në atë pjesë në fakt është hapur zyra e ministrisë, si dhe ministria për kthim dhe minoritete do të jetë afër qytetarëve të asaj ane në mënyrë që t`iu ndihmojmë me kërkesat që kanë”, ka deklaruar Pacolli.

Tutje, ajo ka folur edhe për kritikat e Bashkësisë Ndërkombëtare ndaj Kosovës, për mos koordinim.

Mirëpo, sipas deputetes Bashkësia Ndërkombëtare është e vetëdijshme që Qeveria po vepron me ligjet e Kosovës në përputhje me Kushtetutën e saj.

“Është e vërtetë që Bashkësia Ndërkombëtare e ka kritikuar Kosovën për mos koordinim, mirëpo asnjëherë nuk ka thënë që po i shkelni ligjin apo të drejtat e qytetarëve sepse ata janë të vetëdijshëm se po veprojmë me ligjet e Kosovës në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe hapja e këtyre zyrave ofron kushte sa më të mira për qytetarët, pra mbyllja e zyrave ilegale dhe hapja e zyrave të ministrive të Republikës së Kosovës krijon shërbime dhe ofron për qytetarët e asaj ane, të cilët vitin e kaluar e kanë pasur të vështirë për një shërbim të ministrisë është dashur të vijnë në Prishtinë që të marrin shërbimin e ministrisë”, thotë deputetja.

Ndryshe, duke folur për çështjen e dinarit, Pacolli thotë që është diskutuar vetëm për mënyrat të cilat Serbia mundet me i përdorë për t`i dërguar parat në Republikën e Kosovës.

Dialogu në Bruksel është dialog e cila synon që të arrijmë njohje të ndërsjellët, pra që Serbia të njeh shtetin e Kosovës dhe Kosova të njeh shtetin e Serbisë, që të vijmë në një marrëveshje përfundimtare. Ndërkohë, çështja e dinarit është diskutuar vetëm për mënyrat cilat mundet Serbia me i përdorë për me i dërguar paret në Republikën e Kosovës. Shteti i Serbisë është dashur që të gjejë në mënyrë ligjore që t`i sjell këto para sepse deri në atë moment shteti i Serbisë ka sjellë para në mënyrë jo ligjore. Ne kemi kërkuar nga shteti i Serbisë që të vendosim ligjshmëri që në mënyrë ligjore t`i sjellim parat në shtetin e Kosovës”, ka thënë Pacolli.

Në fund, deputetja e LVV-së thotë se Serbia nuk duhet të ndihet viktimë kur Kosova merr vendimet e saj në territorin e saj.

“Shteti i Serbisë nuk ka arsye të ndihet si viktimë kur Kosova merr vendimet e saj në territorin e saj. Ne jemi në një situatë kur Kosova për 20 vite me radhë ka lëshuar pe në plot hapa, pra edhe pse Kosova ka pasur iniciativa ka pasur vullnet për me shkua tutje me disa veprime, janë tërhequr në momentin kur është kërkuar që të hiqen, kjo e ka dëmtuar shtetin e Kosovës, ku e ka përçuar një mesazh që Kosova tërhiqet në momentin kur t`i kërkohet, Serbia nuk tërhiqet në momentin kur t`i kërkohet prandaj duhet të bashkëpunojmë me Serbinë, duhet t`i dërgojmë investime, duhet t`a mbajmë afër Serbinë, që Serbia t`i pranon disa prej kërkesave të cilat i kanë për të”, ka potencuar deputetja në Tëvë1.