Lajme

Pacienti nuk kishte bërë vaksinën kundër Covid-19, spitali refuzon t’i kryejë transplantimin e zemrës

01/26/2022 07:50
nga:Y I

Një spital në SHBA ka refuzuar të kryejë procedurën e transplantimit të zemrës te një pacient, për arsye se ky i fundit nuk ishte vaksinuar kundër Covid-19.

Pacienti 31-vjeçar, DJ Ferguson ka nevojë urgjente për një zemër të re, por spitali në Boston e hoqi atë nga lista, tha babai i tij, David.

Ndër të tjera i ati shtoi se i biri nuk beson te efektiviteti i vaksinës dhe se vaksina e Covid shkon kundër parimeve bazë të djalit.

Nga ana e tyre përfaqësuesit e spitalit deklarojnë se institucioni po ndjek politikat dhe rregullat e tij.

Në një prononcim për BBC zyrtarët e spitalit “Brigham and Women’s Hospital” replikuan:

“Duke pasur parasysh mungesën e organeve në dispozicion, ne bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar që një pacient që merr një organ të transplantuar të ketë shanset më të mëdha për të mbijetuar”.

Spitali tha se shumica e 100,000 pacientëve në listat e pritjes për transplantim organesh nuk do të kenë mundësinë të marrin një organ brenda pesë viteve për shkak të mungesës së organeve në dispozicion.

Z. Ferguson ka qenë në spital që prej 26 nëntor 2021. Ai vuan nga një problem i trashëguar i zemrës që bën që mushkëritë e tij të mbushen me gjak dhe lëngje, shkruan Ora News.

Nuk është hera e parë që një amerikan i pavaksinuar përballet me pengesa në kujdesin shëndetësor javët e fundit.

Në fillim të këtij muaji, një grua nga Minesota paditi spitalin, pasi mjekët u përpoqën të hiqnin burrin të saj të pavaksinuar nga ventilatori që ai kishte përdorur për dy muaj.

Mbi 63% e popullsisë amerikane ka marrë dozën e dytë të vaksinës dhe rreth 40% e amerikanëve kanë marrë dozën e tretë përforcuese.

Miratohen rekomandimet të reja për udhëtime brenda BE-së