Opinion

Pa ideologji ska as hegjemoni

05/27/2019 11:51
nga:Sead Zymeri

Shkruan: Sead Zimeri

Klasa punëtore sipas pritshmërive të majtistëve do të duhet të votojë për parti të majta, pasi që ato qëndrojnë dhe përfaqësojnë të drejtat dhe interesat e tyre. E majta dhe klasa punëtore janë si dy anë të të njëjtës monedhë. Por nëse vëzhgojmë se si voton klasa punëtore del në pah qartë që ajo jo përherë voton për parti dhe programe politike të majta. Ata në fakt votojnë edhe për parti që janë ekstreme të djathta. Si është e mundur, pra, që e majta e cila gjoja qëndron për interesat e klasës punëtore nuk arrinë t’i marrë as votat e punëtorëve? Ku është defekti në këtë mosmarrëveshje? A thua punëtorët më nuk janë punëtorë, apo e majta më nuk është e majtë?

Sipas sociologut francez, Didier Eribon, arsyeja pse klasa punëtore, e përbuzur kulturalisht nga klasat më të larta, voton për parti të djathta që pikërisht përfaqësojnë klasat e borgjeze që përbuzin klasën punëtore është ngaqë partitë e majta nuk përfaqësojnë më interesat e tyre. Në librin e tij autobiografik, Kthimi në Reims ( Retour à Reims, 2009), Eribon tregon për familjen e tij dhe fëmijërinë e tij në një familje të klasës punëtore, ku identifikimi me të majtën komuniste ishte krejt spontan dhe i natyrshëm, dhe sa herë që politikanët e partive të djathta dilnin në ekran ata ndjellnin neveri te klasa punëtore. Armiku dihej kush ishte dhe për çka qëndronte. Klasa punëtore, e shtypur dhe e përbuzur, e shfrytëzuar deri në rraskapitje, nuk kishte mundësitë dhe luksin që të merrej me kulturë, me lexim, me intelekt. Ata ishin krahu i punës që i mundësonin klasave tjera jetë me nge. Por kjo mungesë e mundësive përkthehej edhe në urrejtje ndaj kulturës borgjeze, librave dhe arteve të tyre.

Por, vazhdom Eribon, prindërit e tij, komunistë të përbetuar dhe të bindur, tani votojnë për një parti raciste që zhvendos problemet nga shfrytëzimi ekonomik, nga klasa si kategori e ndarjes në shoqëri, në kategori tjera që më nuk janë klasore por ideologjike të djathta kulturore, si kombi, raca, feja e kështu me radhë. Klasa punëtore, klasa me vetëdijen më të lartë për statusin e saj të urryer në shoqëri, pra nuk identifikohet më si klasë punëtore por si pjesë e një kategorie joekzistuese siç është populli (francez) kundër një populli tjetër (imigrantët në rastin e prindërve të Didierit). Tani prindërit e tij ishin po aq të eksploatuar dhe shfrytëzuar para ardhjes së imigrantëve, dhe në raport me shfrytëzimin e tyre klasor asgjë nuk ndryshon. Situata e tyre është krejt e njëjtë me atë para ardhjes së imigrantëve të cilët po ashtu i takojnë klasës punëtore, prandaj edhe argumenti që imigrantët janë shkaku i mjerimit dhe vuajtjeve të tyre nuk është i bindshëm pasi që asgjë nuk ka ndryshur në statusin e tyre të ulët shoqëror (nëse diçka e definon përkatësinë në klasën punëtore është dëshira për t’u larguat nga ajo), por që megjithatë tani më urrejtja dhe mllefi nuk u drejtohet politikanëve të djathtë por fqinjve imigrantë. Çka ndodhi pra?

Po të ndryshonte diçka në statusin e tyre në mënyrë drastike do të ishte e arsyeshme që imigrantët të bëhen faktor i rëndësishëm i situatës së tyre. Diçka e tillë nuk ka ndodhur. Çka e shpjegon këtë ndryshim pra? Çka e shpjegon kalimin nga komunizmi në fashizëm? Sipas Eribon arsyeja kryesore ka të bëjë me dështimin e të majtës të përfaqësojë klasën punëtore dhe interesat e saja. Nuk ka më asnjë dallim mes partive të majta dhe atyre të djathta që flasin një gjuhë të njëjtë që nuk reflekton aspak realitetin e tyre.

“Sado paradoksale që mund të duket për disa njerëz, jam i bindur se votimi për Frontin Kombëtar [në vitin 2018 partia ndërroi emrin dhe tani quhrt Rassemblement national] duhet të interpretohet, të paktën pjesërisht, si një strehë e fundit i njerëzve të klasave të punës që përpiqen të mbrojnë identitetin e tyre kolektiv ose të mbrojnë në çdo rast, një dinjitet që është duke u shkelur, tani edhe nga ata që dikur kishin qenë përfaqësuesit dhe mbrojtësit e tyre.”

Partitë e së majtës, së bashku me intelektualët e tyre dhe intelektualët shtetërorë, më nuk flasin me gjuhën e atyre që qeverisen por me gjuhën e atyre që qeverisin. Kështu ata miratuan një pikëpamje mbi botën që nuk përfaqëson as interesat dhe as identitetin e klasave të punës por të klasave sunduese. Ky sulm mbi klasat e punës, kjo zhveshje nga identiteti i tyre kolektiv i mbajtur nga interesa dhe preokupime të përbashkëta dhe nga gjuha e tyre që përbënte vizionin politik të tyre – më nuk flitet për luftë klasash por për identitete margjinale; nuk flitet për shfrytëzim dhe rezistencë, por për reforma radikale shoqërore, për modernizim të domosdoshëm; nuk flitet për mundësi jo të barabarta shoqërore por për përgjegjësi individuale, e kështu me radhë, – do t’i shtyjë këto klasa të votojnë për parti të djathta ekstreme. Klasat punëtore me një fjalë kanë mbetur pa përfaqësues të tyre, prandaj edhe kërkojnë përfaqësuesit në parti proteste të djathtës ekstreme.

Sipas sociologut marksit, Stuart Hall (The Hard Road to Renewal, 1988), partitë e majta kishin krijuar iluzionin se klasat punëtore krejt natyrshëm do të votonin për ta. Por kjo siç e dimë nga përvoja nuk është e vërtetë sepse klasat punëtore votojnë edhe për parti ekstreme të djathta. Çka ndodhi pra me idetë kryesore të së majtës? Çka ndodhi me socializmin, shtetin e mirëqenies, për të mos folur aspak për projektin komunist? Sipas Hall, ka disa arsye që e shpjegojnë këtë ndryshim drastik, por kryesore sipas tij janë: 1) trasgëgimia dhe përvoja e Stalinizmit. Stalinizmi jo vetëm që dështoi por dështoi tragjikisht. Njerëzit humbën shpresën racionale për një imazh konkret të alternativës, prandaj druajnë që po të zhyten edhe njëherë në ndonjë eksperiment me ide të tilla radikale pasojat mund të jenë po aq tragjike sa ato të Stalinizmit. Arsyeja e dytë dhe kryesore është avancimi i të djathtës, sidomos në formën e Thaçerizmit, përhapjes së ideologjisë të neoliberalizmit. Depërtimi i ideve të së djathtës në shoqëri është i thellë. I ka zhvendosur parametrat e common sense-it. Suksesi i përhapjes së tyre është rezultat, thotë Hall, i marrjes seriozisht të ideve:

“E djathta radikale nuk është e varur nga një materializëm i cili u thotë atyre se, natyrisht, idetë janë të përcaktuara plotësisht nga kushtet materiale dhe ekonomike. Ata në të vërtetë besojnë se duhet të luftojnë për ta rrënjosur nocionin e tregut; dhe nëse flasin për atë mjaft mirë, në mënyrë efektive dhe bindëse, mund ta ndryshojnë kuptimin e njerëzve për jetën dhe punën, dhe të krijojnë një lloj kuptimi të ri për atë që është e gabuar në shoqërimdhe çfarë të bëhet me të… Kjo, natyrisht, është pikërisht natyra e ideologjisë. Ajo siguron strukturën brenda të cilit njerëzit përcaktojnë dhe interpretojnë ekzistencën shoqërore.”

E djathta pra bëri një kryqëzatë ideologjike dhe arriti t’i zhvendosë idetë kryesore të së majtës politike, sepse ata kishin kuptuar që pa e fituar luftën ideologjike, luftën e ideve pra, nuk mund të fitohet asnjë betejë për ta ndryshuar shoqërinë dhe për ta sunduar atë. Lufta fillon dhe mbaron si luftë ideologjike, kurse fitoret elektorale janë beteja politike në atë luftë ideologjike. Nuk duhet ngatërruar qëllimin e luftës me betejat politike, që detyrimisht janë plotë koncesione dhe kompromise, por qëllimi është të krijohet një narrativë, një tregim, një master signifier, një vizion për botën që përcakton parametrat për interpretimin dhe kuptimësimin e jetës individuale dhe shoqërore. E djathat, sipas Hall, bëri pikërisht këtë me nocionin e lirisë. Fillimisht e ndanë nga barazia që është koncept bazë i çdo përpjekje për socializëm demokratik, e kontrastuan atë me një statizëm të zbehtë dhe të zymtë të cilin pastaj e lidhën me idenë e social-dmokracinë në pushtet. Me një fjalë, e djathta fitoi luftën ideologjike prandaj edhe nuk është aspak misterioze që e përvetësoi edhe klasën punëtore dhe ata që tradicionalisht votonin për ide dhe parti të majta. Sot gjuha hegjemonike politike është gjuha ideologjike e djathtë, të cilën partitë e majta e kanë përvetësuar por që njëkohësisht ka shkaktuar margjinalizimin e tyre sepse nuk ka asnjë ndryshim nga partitë tjera të cilat së paku janë origjinatorë të ideve. E majta kështu humb votuesit e saj tradicional të cilët përsëri jetojnë në ato kushte të eksploatimit por që tani i interpretojë përmes kategorive ideologjike që zhvendosin fokusin nga shkaqet e vërteta në ato imagjinare.

Politika është luftë për të fituar zemrat dhe mendjet e njerëzve për kauzën që ata mund ta përkrahin dhe mbështesin sepse aty edhe e gjejnë vetën e tyre, interesat e tyre, identitetin e tyre, i cili po ashtu nuk është statik, nuk është i shkruar në yje, por lind si rrjedhojë e betejave, kundërthënieve, luftërave për hegjemoni politike. Hegjemonia nuk ekziston e gatshme por duhet të ndërtohet, të prodhohet në arenën ku jo vetëm fuqitë dhe marrëdhëniet ekonomike kanë peshë por edhe identitetet tjera, politike, morale, seksuale, që luftojnë për hegjemoni. Kjo është politika si prodhim.

E majta, sipas këtyre dy autorëve, po dështon sepse ata kanë keqkuptuar rolin e politikës; politika nuk reflekton realitete të pandërtuara por që ajo duhet të luftojë për idetë e saja, për hegjemoni ideologjike. Edhe nëse madje idetë e saja janë të vërteta dhe efektive, nuk ekziston asnjë garancion se ato do të mbizotërojnë mbi idetë tjera, që nuk përfaqësojnë interesat e klasave të punës. E majta nuk do të fitojë luftën me të djathtën përderisa ajo nuk krijon gjuhën, terminologjinë, dhe ideologjinë që kaplon imagjinatën e njerëzve. Idetë socialiste fitojnë, thotë Hall, sepse ato zhvendosin ide tjera jo aq të mira apo të fuqishme. Ato zotërojnë hapësirën vetëm nëse ato kapin imagjinatën e njerëzve, lidhen me përvojat e tyre, kanë kuptim për botën në të cilën jetojnë, ofrojnë shpjegimet më të mira të ndryshimeve që ndodhin, sigurojnë gjuhën për artikulimin e dallimeve dhe rezistencës, dhe mishërojnë shpresat e tyre. E majta sot nuk ka perspektivë sepse ajo nuk ka ideologji të sajën, nuk i përfaqëson interesat klasore por ato të “popullit”, ky pseudo-koncept që shërben për t’i mohuar të gjitha dallimet, përvojat, shtypjet, identitetet, luftërat, historitë emancipuese, fitoret kolektive të klasave të punës, traditat kulturore dhe artistike ë luftërave klasore, e kështu me radhë. E majta nuk arrinë t’i mobilizojë as klasën punëtore dhe as shtresat tjera që dikur formonin një bllok kolektiv për t’i rezistuar ideve dhe ideologjive tjera. E majta nuk mund të fitojë kur ajo as ideologjinë nuk e ka te veten, por e ka të huazuar nga e djathta. Kjo e bën atë të pabesueshme, prandaj ajo nuk përfaqëson më interesat e punëtorëve në sistemin kapitalist.