Lajme

Osmani pret në takim Terras: Vazhdimi i masave mbetet i pashpjegueshëm, i padrejtë dhe i paarsyeshëm

12/09/2025 11:23
nga:Sh R

Presidenca ka lëshuar një njoftim për takimin mes presidentes Osmani dhe Raportuesit Evropian për Kosovën, Riho Terras. Ata kanë diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend.

Osmani i ka thënë se zgjedhjet lokale u zhvilluan në mënyrë të lirë, të qetë dhe demokratike dhe se transferimi i pushtetit u bë në mënyrë paqësore.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Z. Riho Terras. Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, m ç`rast Presidentja Osmani theksoi se zgjedhjet lokale u zhvilluan në mënyrë plotësisht të lirë, të qetë dhe demokratike dhe se transferimi i pushtetit u bë në mënyrë paqësore.”

Osmani ka thënë se “vazhdimi i masave të BE-së ndaj Kosovës mbetet i pashpjegueshëm, i padrejtë dhe i paarsyeshëm”.

Ajo ka kërkuar mbështetjen e Terras për heqjen e masave.

“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani kërkoi mbështetjen e z. Terras për heqjen sa më të shpejtë të këtyre masave, duke rikujtuar se ato dëmtojnë qytetarët dhe minojnë besimin në procesin e integrimit, teksa Kosova ka përmbushur çdo kërkesë të paraqitur nga partnerët evropianë. Sipas Presidentes Osmani, heqja e masave do të ishte një sinjal i fuqishëm për qytetarët dhe një mesazh inkurajues për vazhdimin e reformave.”

Osmani ka shtuar se kërkesa e Kosovës për anëtarësim në BE duhet të procedohet sa më parë dhe anëtarësimi të bëhet në bazë të meritave.

“Gjatë takimit, Presidentja prezantoi një sërë të dhënash të institucioneve ndërkombëtare që e pozicionojnë Kosovën në majat e performancës në shumë fusha kyçe.”