Lajme

Osmani pas zgjedhjes si presidente e vendit: Në këtë rrugëtim, shpresoj të ju kem të gjithëve bashkudhëtar, na priftë e mbara!

04/04/2021 22:49
nga:Gazeta Blic

Sot Vjosa Osmani është zgjedhur presidente e vendit me 71 vota pro.

Osmani për 5 vite me radhë do të ushtroj pozitën e presidentes, ndërsa menjëherë pas zgjedhjes ajo mbajti një fjalim në Kuvendin e Kosovës, para deputetëve, përcjell Gazeta Blic.

Këtë fjali ajo e ka shprëndar edhe në Facebook, ndërsa ka shkruar se për të është nder i madh për mua që në cilësinë e Presidentes së sapozgjedhur të vendit tonë t’jua shpreh mirënjohjen time të thellë dhe përuljen para besimit tuaj që ta drejtoj vendin në pesë vjetët e ardhshme.

Më poshtë statusi i plotë i Osmanit:

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Është nder i madh për mua që në cilësinë e Presidentes së sapozgjedhur të vendit tonë t’jua shpreh mirënjohjen time të thellë dhe përuljen para besimit tuaj që ta drejtoj vendin në pesë vjetët e ardhshme. Vullneti i juaj i shprehur më 14 shkurt, si dhe vendimi i sotëm i Kuvendit të Republikës së Kosovës, përpos që më bëjnë nderin më të madh jetësor, më veshin njëkohësisht me shumë përgjegjësi. Dashuria për Kosovën – vendin tonë dhe bashkëvendësit tanë, ka qenë motivimi më i madh në çdo hap të jetës sime politike dhe do të vazhdojnë të jenë udhërrëfyesi im përherë.
Si Presidente e juaja, Presidente e të gjithë qytetarëve pa dallim, do të sigurohem që interesi ynë nacional të jetë mbi gjithçka tjetër, që kushtetuta të jetë udhërrëfyes i yni i përhershëm, që aleancat tona me miqtë të ruhen e thellohen, që kapitali i jashtëzakonshëm njerëzor të fuqizohet e të angazhohet, që e drejta të sundojë, që natyra dhe jeta mbi të të mbrohet, që inovacioni të lulëzojë, që barazia të kultivohet, e puna të shpërblehet. Unë do të jem presidentja juaj, presidentja e të gjithëve, e prirë nga gjithpërfshirja në vendimmarrje e unifikuese në sfida e në të arritura.
Në këtë rrugëtim, shpresoj të ju kem të gjithëve bashkudhëtar. Na priftë e mbara!
Zoti i bekoftë qytetarët e Kosovës!
Zoti i bekoftë miqtë e Kosovës!
Zoti e bekoftë Republikën tonë!
Fjalimi i plotë pas betimit si Presidente e Republikës së Kosovës