Lajme

Osmani: Nga tryeza presim dakordim për një datë të zgjedhjeve

04/24/2018 17:51
nga:A. R.

Deputetja e LDK-së Vjosa Osmani në një intervistë për Gazetën Blic, ka folur për pritjet e kësaj partie nga tryeza politike që do të mbahet nesër në orën 13:00

Ajo ka thënë se shumica e partive tashmë i kanë konfirmuar ardhjen, dhe se kanë pritje të mëdha që nga kjo tryezë do të dakordohen për një datë të mundshme të zgjedhjeve.

Ka thënë se PDK nuk ka dhënë ende përgjigje, ndërsa ka folur edhe për zhvillimet tjera politike në vend.

Më poshtë mund ta lexoni intervistën

Gazeta Blic: Zonja Osmani, lideri i partisë suaj u ka bërë thirrje partive politike që ta marrin pjesë në një tryezë ku do të diskutohen tema në vend, mirëpo fokusi ishte te zgjedhjet e parakohshme. A prisni pjesëmarrjen e partive tjera, sidomos të atyre në pushtet?

Vjosa Osmani: Shumica dërmuese subjekteve politike parlamentare dhe jo parlamentarë që janë ftuar, tashmë, kanë konfirmuar prezencën e tyre. Tani vetëm mbetet të shihet se në çfarë niveli do të marrin pjesë, në qoftë se do të jetë në nivel të liderëve të partive, të nënkryetarëve apo të shefave të grupeve parlamentare.

Kjo, mendoj, se do të jetë pak e rëndësishme, por, çfarë është me rëndësi është që ne me këtë iniciativë synojmë të krijojmë kulturë të re politike në skenë tonë të arritjes së marrëveshjeve për zgjedhje, sepse, siç e kemi potencuar edhe në deklaratat e mëhershme por edhe në ftesë, diskutimi do të fokusohet në një datë që do të jetë dakordim i partive për zgjedhje të hershme.

Pra, jo zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat do të bëheshin brenda 30-45 ditëve, që nuk i japin kohë as KQZ-së, por krijohet edhe kogja njëfarë krize institucionale në raste të tilla, por, zgjedhje për të cilat do të darkodoheshim që për një periudhë të caktuar të shkurtër, sipas preferencës sonë të kryejmë detyra që janë më urgjente, që i takojnë edhe parlamentit edhe Qeverisë. Këtu, kryesisht, do të fokusoheshim në çështje që dalin nga agjenda e integrimit të Kosovës në BE, por, mbi të gjitha çështje që lidhen me liberalizimin e vizave. Siç e dini ne po presim, së paku vendime në disa prej organeve të BE-së, në Komisionin Evropian, pastaj në parlament, deri dikur kah qershori, korriku.

Natyrisht, që vendimi përfundimtar i takon shteteve anëtare. Mirëpo, është tepër me rëndësi që Kosova t’i kryejë të gjitha detyra e veta që të mos bllokohet cilido ligj që është i rëndësishëm për këtë proces, shkaku i zgjedhjeve. Pra, ky është synimi, të kemi zgjedhje të hershme dhe, natyrisht, që partitë politike mund të kenë në mendje edhe data të ndryshme.

Për neve si LDK është me rëndësi që kjo datë të bëhet sa më shpejt të jetë e mundshme.

Gazeta Blic: Ju thatë se shumica e partive parlamentare e kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Po PDK e AAK?

Vjosa Osmani: Për PDK nuk kam informata të sigurta, megjithatë, partitë tjera kanë dërguar konfirmimet nëpërmjet personave që janë caktuar zyrtarisht të flasin me ta.  Edhe AAK edhe Nisma edhe partitë opozitare kanë deklaruar se do të vijnë.

Siç thashë, nuk e dimë nëse do të vijnë në nivel të shefave të grupeve parlamentare apo të nënkryetarëve ose kryetarëve të partive, por, me rëndësi është që kushdo që vjen nga ta do ta shpreh qëndrimin e partisë së vet.

Për PDK-në nuk e di, por, nuk ka asnjë arsye që në tryeza të tilla politike, që sot po ftohet nga partia më e madhe në vend, që është LDK-ja, ku do të diskutoheshin çështjet që janë urgjente që të kryhen nga ana e institucioneve të Kosovës, në radhë të parë nga Parlamenti, sepse nëse ka zgjedhje të hershme, institucioni i parë që shpërbëhet është parlamenti, se Qeveria pastaj gjatë periudhës që organizohen zgjedhjet, është esenciale që të ketë një pajtim.

Në qoftë se krijojmë, siç e thashë, këtë kulturë të re politike të dakordimit rreth zgjedhjeve, procesi mund të shkojë shumë më mirë, shumë më transparent dhe, mbi të gjitha, edhe nuk do të pritej ndonjë parregullsi.

Gazeta Blic: Çështja e përfaqësimit, e keni lënë të jetë kompromis mes subjekteve që konfirmojnë pjesëmarrjen apo si do të vendoset niveli i përfaqësimit?

Vjosa Osmani: Kjo nuk është çështje e kompromisit, është çështje e vullnetit individual e secilit subjekt. Ftesa ka shkuar nga Kryetari i LDK-së te kryetarët e partive tjera, është ftuar partia dhe, tani, i takon partisë që ta vendos se kë do ta dërgojë si përfaqësues. Mirëpo, me rëndësi është që përfaqësuesi që merr pjesë, natyrisht që mund të flasë në emër të partisë. Dikush që e di qëndrimin e partisë e ka atë të qartë dhe propozon ide dhe flet në emër të partisë. Besoj që në shumicën e partive do të jetë një nivel i lartë që do të ketë autorizimin që të diskutojë dhe të negociojë bashkë me partitë e tjera një datë të zgjedhjeve.

Gazeta Blic: E kuptoj si çështje praktike. Por, niveli i përfaqësimit, realisht, tregon njëfarë serioziteti të një tryeze. Kjo është parim?

Vjosa Osmani: Është parim, por, megjithatë, edhe nga ana e LDK-së do ta shohim tani se kë do ta autorizojë kryetari Mustafa. Me gjasë do të jetë njëri nga nënkryetarët. Siç e thashë, kjo varet nga rrethanat objektive në secilën parti politike. Nganjëherë, siç e kam parë te disa parti politike, meqenëse, shefat e grupeve parlamentare merren me punë të përditshme të partisë, me qëndrimet që mbahen në grup parlamentar që nganjëherë janë edhe shumë më të informuar sesa vetë strukturat e larta të partisë.

Kështu që, unë, personalisht, e shoh më shumë si çështje praktike sesa kemi parë në të kaluarën se shumë takime janë mbajtur në nivel të liderëve por nuk është që ka pasur ndonjë rezultat. Me rëndësi është që ta bëjmë një hap të parë. Në qoftë se kjo tryezë shkon mirë, unë besoj që tryeza e dytë, definitivisht do të mbahet edhe në nivel të liderëve të partive politike dhe mund të arrihet një përafrim i qëndrimeve rreth datës së zgjedhjeve, por, edhe rreth temave që duhet të kryhen gjatë asaj periudhe.

Edhe aty mund të kemi mospajtime, edhe aty, ndoshta, partitë që janë Qeveri dëshirojnë tema komplet tjera t’i kryejnë me ngut , përderisa ne nuk jemi për diçka të tillë. Jemi kryesisht të fokusuar në ligjet apo çështjet që i takojnë parlamentit që duhet të kalojnë dhe lidhen me procesin e liberalizimit.

Gazeta Blic: Cilat munden të jenë ato temat që ju frikësoheni se mund të nxisin një destabilitet politik nëse nuk u ipet ajo periudha kohore parazgjedhore për t’i tejkaluar?

Vjosa Osmani: Ka tema, të cilat domosdoshmërish kërkojnë koordinim edhe me partnerët tanë. Për shembull, çështja e transformimit të FSK-së në Ushtri. Është temë në të cilën është dëshmuar që Kosova nuk mund ta bëjë vetë pa mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara dhe anëtarëve të tjerë të NATO-së.

Përndryshe, ne do ta bënim një transformim që do të kishte efekt vetëm një copë letër. Por, në fakt, nuk do ta kishte mbështetjen e anëtarëve të NATO-së, qoftë në trajnime, qoftë në aspektet e tjera. Nuk do të mund të ecnim përpara as në procesin për partneritet për paqe që është si parahap për anëtarësim në NATO, por as në procesin e lobimit për NATO. Kështu që ky është proces që nuk mund ta bëjmë ne brenda muajit duke anashkaluar faktin që koordinimi me partnerët tanë është i domosdoshëm, kjo është e para.

Mirëpo, çështje tjera, siç janë disa ligje që lidhen me luftimin e krimit dhe korrupsionit, ato absolutisht, në momentin që i sjell Qeveria, Kuvendi duhet ta luajë një rol ekspeditiv dhe në procedura jo të përshpejtuara, ashtu brenda ditës, por, së paku brenda muajit t’u jap më shumë përparësi atyre ligjeve, në mënyrë që ato të kalohen dhe të raportohet në organet themelore, ku vendoset brenda BE-së për këto tema, që këto detyra, tashmë, janë kryer. Këto, ne tash i kemi prioritet, se çfarë do të kërkojnë partitë tjera është çështje tjetër.

Po flitet, për shembull, për reformën zgjedhore. Tash ne dëgjojmë shumë njerëz që fare nuk kanë qenë pjesë e këtyre proceseve që mendojnë që kjo është një punë që duhet të fillojë nga zero. Në fakt, në mandatin 2010-2014, siç e dini, ka ekzistuar një komision për reformë zgjedhore, i cili ka punuar gati dy vite, nëse nuk gaboj, është udhëhequr nga LDK-ja në atë kohë dhe atëherë patëm bërë një punë të madhe në shumicën e çështjeve teknike do të thoja, kërkesave të KQZ-së, sepse, ata, më së shumti i detektojnë problemet që i kanë në terren gjatë procesit zgjedhor. Ato janë adresuar , mirëpo nuk ka pasur pajtim mes partive politike lidhur me zonat zgjedhore.

Nuk ka pasur pajtim në mes të partive politike për numrin e personave që mund të votohen në listë. Ka pasur dallime për çështje të tilla, të cilat sot në qoftë se i hapim nuk mund të kryhen brenda dy muajsh apo tre muajsh.

Patjetër që do të marri kohë, po unë mendoj që në qoftë se dikush do ta trajtojë çështjen e reformës zgjedhore në këtë periudhë, para zgjedhjeve të hershme, atëherë, thjesht, duhet të merret ai material i gatshëm që është përgatitur nga Komisioni për Reformë, para disa vitesh, të rishikohet brenda muajit dhe ai mund të kalojë.

Mirëpo, temat që kërkojnë edhe ndryshimet kushtetuese, për shembull, dikujt mund t’i shkojë mendja me i mbyllë listat në zgjedhje, për një gjë të tillë do të duhej të ndryshonte Kushtetuta. Pra, këto tema që kërkojnë negociata politike shumë më të gjata dhe më të thella, në mes të partive, nuk mund të kryhen brenda 2-3 muajsh.

Intervista e plotë me deputeten Osmani do të publikohet me vazhdime në ditët në vijim./GazetaBlic/

10/21/2019 19:15

Lutfi Haziri, tash me një deklaratë ‘tjetër’ për koalicionin me Vetëvendosjen