Lajme

Organizatat e Shoqërisë Civile: Vendi i bllokuar – Kosova pa marrëveshje, pa qeveri e pa buxhet

12/09/2025 09:46
nga:Sh R

Në kuadër të Javës Kundër Korrupsionit 2025 e cila organizohet nga Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile, i përbërë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO), me moton “Bashkë Kundër Korrupsionit”, IKD të martën publikoi promon “Kosova pa marrëveshje, pa qeveri, pa buxhet”, në të cilën theksohet se vendi ka mbetur i bllokuar si pasojë e mosformimit të Qeverisë dhe moskonstituimit të Kuvendit. Ndërkohë që tashmë jemi në prag të vitit të ri dhe vendi është pa buxhet e pa miratim të marrëveshjeve ndërkombëtare.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 votuan 966,283 qytetarë të Republikës së Kosovës.

Qytetarët ua dhanë besimin partive politike që të formojnë institucionet dhe të qeverisin vendin. Por ky besim nuk u shndërrua në qeverisje.

Partitë politike sipas peshës dhe fuqisë politike që morën nga qytetarët e Kosovës, dështuan që votën e tyre ta kthejnë në qeverisje të mirë dhe vendimmarrje për të promovuar interesat strategjike të Kosovës.

Vetëvendosje, si parti e parë, në mungesë të vullnetit politik dhe bashkëpunimit të sinqertë për të formuar instituconet, filloi me manovra politike duke prolonguar formimin e institucioneve.

Ajo propozoi disa herë Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, por mori vetëm 57 vota. Dështuan edhe propozimet për Gërvallën, Muratin dhe Nagavacin, derisa në fund u zgjodh Dimal Basha.

Kosova mbeti për 179 ditë pa Kuvend të konstituuar, për faktin se procesi u zvarrit për shkak të moszbatimit të tre aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Më 26 qershor 2025, Gjykata urdhëroi konstituimin brenda 30 ditësh, por afati u anashkalua.

Më 7 gusht, konstatoi se deputetët nuk zbatuan Aktgjykimin e 26 qershorit 2025, që Kryesuesi Dehari nga LVV nuk veproi në pajtueshmëri me Aktgjykimin e datës 26 qershor dhe që Kryetari duhet të zgjedhet përmes votimit të hapur.

Më 8 tetor, Gjykata konstatosi se seanca nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb.

Moszbatimi i këtyre vendimeve e mbajti Kosovën të bllokuar për muaj të tërë.

Ky bllokim vazhdoi edhe në përpjekjet për formimin e Qeverisë: as Albin Kurti dhe as mandatari i dytë, Glauk Konjufca, nuk siguruan shumicën, dhe vendi shkoi në zgjedhje.

Tani, pasojat i paguajnë qytetarët. Pa Kuvend nuk ka mbikëqyrje të Qeverisë, nuk ka ligje të reja dhe reformat ndalen: drejtësia, ekonomia, skemat pensionale e sociale, si edhe administrata publike.

Ndërkohë, vendi hyn në vitin e ri pa buxhet; RTK mbetet pa financim, me 700 punëtorë pa paga; katër komuna pa buxhet; nuk u votuan marrëveshjet e Planit të Rritjes me rrezik mbi 800 milionë euro; dhe pa u miratuar mbeti edhe marrëveshja me Bankën Botërore.

Kjo është kostoja e mosbashkëpunimit. Kostoja që e paguan vendi dhe qytetarët. /BetimipërDrejtësi